Analisti serb dhe kryetari i Forumit për marrëdhënie etnike Dushan Janjiq, duke folur për raportet midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb  Aleksandar Vuçiq, ndikimin e Ramës në dialogun Kosovë Serbi dhe idenë e Mini Shengenit ballkanik.

Duke folur për ndikimin dhe mundësinë që kryeministri Rama ta ndihmojë dialogun Kosovë-Serbi, analisti serb tha për Radio Evropa e Lirë, se kriza në marrëdhëniet në mes Prishtinës dhe Beogradit po stërzgjatet.

“Kriza nuk mund të zgjidhet në marrëdhëniet bilaterale. As Beogradi dhe as Prishtina nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta bërë këtë. Në një situatë të tillë, nismat si ajo që ata e quajnë gabimisht Mini Shengen janë shumë të mirëseardhura. Kjo e relativizon çështjen e kufijve. Shqipëria mund të ndihmojë në këtë drejtim. Ndoshta vetë Rama sot mund të ndihmojë më pak sesa më parë, por një Shqipëri demokratike që bashkëpunon në mënyrë bilaterale me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështet iniciativat rajonale – sigurisht që mund të ndihmojë”, tha Janjiq.

Ai më tej tha se “Tirana nuk mund të vendosë ose të nënshkruajë në emër të Prishtinës, por mund të jetë e dobishme në dialogun Kosovë-Serbi. Por, a është e dobishme sot [Tirana zyrtare]? Aktualisht nuk është për shkak se kjo ide shumë e dobishme e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nga disa qarqe në Kosovë po kontestohet shkaku i Vuçiqit dhe Ramës. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës madje po organizon demonstrata në Tiranë kundër ardhjes së Vuçiqit në kryeqytetin shqiptar. Në thelb këto janë protesta kundër Ramës”.