Takimi i shumëpërfolur mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska përfundoi pa asnjë marrëveshje konkrete, duke lënë hapësirë për kritika të ashpra nga analistë dhe ish-zyrtarë amerikanë. Ndërsa Trump e quajti “shumë produktiv”, shumica e ekspertëve e shohin ngjarjen si një triumf për Putinin dhe një dështim për Shtetet e Bashkuara.
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton, tha se “Trump nuk humbi, por Putin fitoi qartazi”. Nga ana e tij, ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, e quajti takimin “të turpshëm dhe të rrezikshëm”, duke theksuar se presidenti amerikan “u përdor nga Putin” dhe doli nga bisedimet bosh, ndërsa Kremlini fitoi kohë.
Edhe senatori demokrat Richard Blumenthal e quajti takimin “plotësisht të zbrazët”, pa përmendur fare një armëpushim apo hap drejt paqes. Ekspertët theksojnë se Putin e përdori takimin për të shmangur presionin për sanksione të reja dhe për të forcuar imazhin e tij ndërkombëtar.
“Pa përfshirjen e Europës nuk ka marrëveshje të vërtetë për Ukrainën. Takimi vetëm sa i dha kohë Putinit, ndërsa SHBA-të dolën pa asnjë rezultat”, komentoi Evelyn Farkas, ish-zyrtare e Pentagonit dhe drejtoreshë e McCain Institute.
Në përfundim, takimi që duhej të sillte “përparim”, sipas shumë analistëve, u kthye në një demonstrim të qartë se Rusia vazhdon të diktojë ritmin e lojës dhe se pa Europën, çdo nismë e SHBA-ve për paqen në Ukrainë mbetet e gjymtuar./Mekuli Press/