Nga samiti rajonal I Shkupit kanë qarkulluar disa foto që zakonisht në mediat shqip, të cilat as kanë dhe as blejnë shërbim fotografik, i marrin nga profilet e politikanëve në rrjetet sociale. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli për takime me Kurtin dhe Vuçiç por preferoi të shpërndante foto familjare, pra në grup nga takimi.
Për një foto më të afërt dhe më informale është kujdesur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që ka postuar 3 foto ku shfaqet ai me Ramën dhe një politikan shqiptar tjetër, Arben Taravari. Kabineti i z. Kurti është kujdesur të publikojë foto ku z. Rama duket në pozicion inferior – çka jep efektin e vet edhe te komentuesit e tyre – ndërkohë që vetë Kurti shfaqet në qendër dhe me gjeste epërsie duke mos e parë asnjëherë në sy kryeministrin e Shqipërisë që ngjan madje si një i padëshiruar që lutet për diçka.
Është padyshim një truk propagandistik pas asaj që ndodhi në verën e vitit të shkuar, por edhe një të vërtetë aty ka: z. Rama nuk ka më asnjë rol në politikën rajonale, pasi nuk ushtron asnjë ndikim më askënd në rajon si më parë. Si një politikan që luan me fotot, shmangia e publikimit të fotove nga biseda me Kurtin flet për një problem në marrëdhëniet mes dy Kryeministrave.