Ankesa, ankesa, ankesa pa fund. Sindroma e të pakënaqurit në një shoqëri të lirë
Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Në shumë situata sociale, në ndeja, biseda e kuvendime, duke dëgjuar radion apo televizionin, qoftë edhe në restorante, në punë, në familje, në taksi, në shitore apo në biseda të përditshme me miqë e shoqëri vërehet një dukuri e mërzitshme, e lodhshme, bajate dhe e “zakonshme”: ankesa, ankime, ankesa e ankime pafund, në vazhdimësi e pa u ndalë hiq.
Gjindja flasin për të përditshmen me ton të zymtë, njerëzia ankohen, qahen e ankohen, e urrejnë punën, ankohen për shtetin, për ushqimin, për pijet, për jetën në përgjithësi; edhe kur në t’vërtetë kanë, thuaja, gjithçka që u duhet për të pasur një jetë të qetë, normale e pa zhurmë.
Të nderuar lexuesë,
Kjo nuk është më thjesht shprehje pakënaqësie; kjo sëmundje kronike kolektive shqiptare është kthyer në një kulturë, një model komunikimi që po e helmon pra, po i zeherlisë marrëdhëniet tona ndërnjerëzore, atmosferën tonë të përbashkët po e bëjnë deprimuese të përgjithshmen tonë.
Ankesa si status shoqëror i rremë?
Sipas teorisë së “ankesës si formë identiteti social” të sociologut gjerman Ulrich Beck, në shoqëritë moderne, disa individë përpiqen të krijojnë peshë dhe autoritet përmes negativitetit. Ata ndihen më të “ditur” ose më “të vetëdijshëm” ose edhe viktima kur kritikojnë gjithçka, edhe pa e kuptuar thelbin. Për ta, ankesa është mënyra më e lehtë për të shmangur përballjen me veten dhe për të transferuar përgjegjësinë tek “të tjerët”. Këta janë njerëz të pakënaqur me vetëveten që kërkojnë fajtorë jashtë vetes për çdo dështim personal.
Nga kënaqësia në ankesa e në pakënaqësi patologjike
Psikologjia sociale ofron një tjetër shpjegim. Sindroma e të pakënaqurit kronik, një fenomen i identifikuar nga psikologë si Martin Seligman (babai i psikologjisë pozitive), shpjegon se disa njerëz zhvillojnë një “shprehi të ankimit”, pra sall ankohen, e ku truri mësohet të përpunojë gjithçka në formë negative. Ky proces, me kalimin e kohës, bëhet automatik dhe çon në një lloj varësie emocionale ndaj dramës, negatives dhe pesimizmit. Në vend që të shohin mundësitë, këta njerëz ndihen më rehat duke jetuar në një realitet të errët, të vetëshpikur.
Shembuj të përditshëm
Kemi njerëz që jetojnë në shtëpi dhe banesa bashkëkohore (me demek moderne), punojnë në publike e private, me rroga të rregullta, udhëtojnë për pushime një ose dy herë në vit (mos të flas për pushimet e fundjavës).
Dhe përsëri ankohen, vajtojnë, qajnë, nuk janë të kënaqur e ankohen për “këtë vend që nuk bëhet”, “këtu nuk jetohet”, për “rininë që nuk ka shpresë”, për “rrugët që nuk janë asfaltuar mirë”, për “njerëzit që s’dinë kulturë”; ndërkohë që vetë e ndotin rrugën, vet pështyjnë në rrugë, nuk i lëshojnë radhë askujt, e, runa Zot me e lexu një libërth në vit.
Dhunë psikologjike ndaj bashkëbiseduesit dhe të tjerëve përreth.
Kjo formë e (keq)komunikimit, e ngarkuar me pesimizëm, ankesë dhe dramë, nuk është e padëmshme për shëndetin mendor. Është një dhunë psikologjike, sepse e helmon atmosferën sociale dhe krijon një klimë të rëndë kolektive.
Ja për shembull ti mund të jesh i qetë, i lumtur, duke ecur rrugës me mendimet e tua pozitive, por sapo një i tillë t’afrohet, biseda e tij e ngarkuar me negativitet e ankesa ta thithë krejt energjinë. Këta njerëz të pengojnë të jesh mirë. Janë njerëz që nuk dinë të rrinë 5 minuta pa u ankuar e pa shpërndarë pakënaqësinë e tyre.
E këta imsan meritojnë të kritikohen hapur. Jo me urrejtje, por me ashpërsi të drejtpërdrejtë. Sepse janë ata që po e çojnë shoqërinë në një spirale mentaliteti të kalbur. Nuk mjafton t’i kuptosh, duhet t’i ndalosh. Ndoshta duhet me i thënë: “Mjaft! Nuk dua të dëgjoj më ankesat e tua! Nisja të bësh diçka vet!”
Sepse e vërteta është kjo: nëse ke bukë për të ngrënë, ujë të pijshëm, shtëpi, internet, PlayStation, veturë, biçikletë, ngrohje dimrit (Qebesa edhe ftohëse), punë të rregullt dhe liri të plotë për të menduar dhe vepruar, por ende ke zgjedh të ankohesh e të vajtosh gjithë ditën, ti je problemi. PIKË!
Nuk po them që çdo gjë në Kosovë e Shqipëri është perfekte. Sigurisht që ka probleme. Veçanërisht ata që kanë sëmundje të rënda… Por të rrish gjithë ditën duke i përsëritur ankesat pa bërë asgjë, është formë vetëshkatërrimi dhe ndotje sociale. Në vend të ankohesh, pyet veten: Çka kam bërë unë për ta përmirësuar këtë gjë që më shqetëson?
Nëse përgjigjja jote është ASGJË, atëherë hesht, mshele gojën. Sepse heshtja jote është më e shëndetshme se FJALA jote.
Konsekuent deri në fund: unë kam probleme, të gjithë kemi probleme.
Por dikush i fsheh telashet, dikush i përballon me heshtje, dikush i shëron ngadalë.
Por s’do të thotë se çdo njeri që takon është shporta jote e mbeturinave.
Bashkëbiseduesi/miku nuk është shportë mbeturinash ku ti e zbraz krejt negativitetin, mërzinë, zhgënjimin, ankesat, dramën…
Fol, po fol me masë, more.
Gjindja kanë hallet e veta, nuk janë kriju për me i mbajt edhe të tuat.
Sepse nuk është njërzillëk me u anku për çdo gjë.
Njërzillëk është me i përballu gjërat pa i lëndu e pa i ngarku të tjerët.