Me “Lumturi” nga Sicilia arbëreshe, The DAGGS

Të dëgjosh fjalën shqipe “lumturi” nëpër brigjet e bukura të Sicilisë është ndjenjë e veçantë. Por, të dëgjosh këngë bashkëkohore nga një komunitet mesjetar paraqet majën e gëzimit dhe qejfit.

Bendi me të rinj arbëreshë, The DAGGS nga Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) e ofron këtë dëfrim shpirtëror me një aftësi spektakolare përmes këngëve të tyre të kënduara në arbërisht, shqipen e paraardhësve tanë.

Bashkëdyzimi i vargjeve të poetit arbëresh Paskal Renda (1955-2014) dhe i mjeshtërisë muzikore të The DAGGS çon në krijimin e një melodie mbresëlënëse siç përjetohet përmes këngës Lumturi. Kjo këngë përbën edhe videoklipin e parë të grupit arbëresh, i frymëzuar nga një udhëtim nostalgjik e përplot mall nëpër fshatrat arbëreshë të Kalabrisë.

Lumturi është kënga e parë e lansuar nga albumi i tyre i parë. Përderisa bendi pret me padurim të ndajë albumin e tyre me audiencë të gjerë, lansimi i tij është shtyer për shkak të koronavirusit.

Nuk mjafton vetëm të lexohet për këtë krijimtari të bukur, ajo duhet të dëgjohet patjetër.

BIO – THE DAGGS

“The Daggs” është një grup të rinjësh nga Hora e Arbëreshëvet, qytezë siçiliane e themeluar nga mërgimtarë shqiptarë para pesë shekujsh, në të cilën ende sot është e gjallë gjuha, kultura dhe identiteti arbëresh.

Shkruajnë kështu në gjuhën e stërgjyshërave dhe e përditëshmërisë: arbërisht.

Këngat e tyre janë një nevojë shprehëse. Tregojnë dashuri për rrënjët dhe një identitet gjithmonë në udhëtim, ndër ethnos dhe stil bashkëkohor.

Ata kanë marrë pjesë në Suns Europe (Festivali Evropian i Këngës në Gjuhë Pakicash, Cagliari, 2015) dhe kanë fituar OPP! Festival-in (Favara, 2017). Kanë patur edhe ekpserienca në televizionet shqiptarë (Top Channel, TvKlan, TVSH; Digitalb) dhe italianë (Rai). Në janar 2018 kanë luar një koncert për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, në Pallatin e Brigadave (Tiranë).

 

MekuliPress ju sjellë këngën e mrekullueshme të quajtur “Lumturi”, të  kënduar nga “The DAGGS”, nga Sicilia arbëreshe

Bendi arbëresh “The DAGGS” ka publikuar një këngë të re.

“Lumturi” titullohet kënga, dhe vjen e shoqëruar edhe me videoklip.

Teksti është i poetit arbëresh Paskal Renda (1955-2014), muzika është origjinale e bendit e videoja, nga Alessandro Ferrantelli dhe Vincenzo Pipitone, na përcjell në tour-in e bendit nëpër fshatrat arbëreshë të Kalabrisë.

Pas “Drita” (2017), kjo është kënga e dytë e publikuar nga grupi, i cili përbëhet nga arbëreshë të rinj prej Sicilisë.

 

Giorgio Fusco – vokal

Saverio Guzzetta – kitare, vokale, bouzouki

Rosa Alongi – violin

Giorgio Ciulla – bas elektrik

Alessandro Ferrantelli – bateri

www.facebook.com/TheDaggs
www.instagram.com/TheDaggs
https://open.spotify.com/artist/6xfuOei41kw5zAR83EFGR3?si=JGiP1h2jRG20RLmgBrxBRg

www.youtube.com/c/TheDaggs