Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, vendimin e instuticioneve e ka cilësuar si “përpjekjen e fundit të organizuar për të parandaluar Qeverinë Kurti 2”. “Megjithatë kjo përpjekje është e kotë citon”, MekuliPress z. Kryeziu

Në një postim në Facebook, Kryeziu ka përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 kur vendosi se e drejta ekskluzive për formimin e qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa më 2019 se ajo mund të bëhet edhe pa fituesin e zgjedhjeve. Më 2020, ai ka thënë se Kushtetuesja “përkundër që nuk e kishte fare objekt shqyrtimi, në interpretimin e saj megjithatë vendosi një standard arbitrar sipas së cilit pretendohet se askush që është dënuar me vepër penale në tre vjetët e fundit, pavarësisht veprës, nuk mund të kandidojë për deputet”, e se tash KQZ-ja pritet të mos certifikojë kandidatët e VV-së që janë të dënuar me vendim të prerë në tri vitet e fundit, “përkundër se në zgjedhjet e kaluara kishte konstatuar se ajo nuk ka asnjë të drejtë t’ia mohojë kandidimin askujt që nuk ka vendim plotësues”.

“Të gjiitha këto vendime, bashkë me shumë tjera, ishin politikisht të ndikuara, sepse janë në shërbim të pushtetit të vjetër, e në kundërshtim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndonëse kredibiliteti i sistemit të drejtësisë sa shkon e bie për tokë, fraza që mbizotëron në diskutimin publik është se vendimet e institucioneve të drejtësisë janë të padiskutueshme edhe duhet të zbatohen nga të gjithë. Pra, përgjigjja që i ofrohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj padrejtësive të njëpasnjëshme është se vendimet e drejtësisë, edhe pse të kapur, korruptive e jokompetente, duhet të respektohen. Si mund t’i kërkohet të dëmtuarit, mbi të cilin bëhet një padrejtësi, që zgjidhja e vetme e tij është respektimi i vendimeve edhe kur ato janë të një sistemi të drejtësisë për të cilin të gjithë jemi dakord se është i ndikuar politikisht, i korruptuar dhe tani haptazi me qëllime eliminimi politik?! Kjo çka po ndodh sot është përpjekja e fundit e organizuar për të parandaluar Qeverinë Kurti 2. Por përball tyre është ndryshimi të cilit i ka ardhë kohë. E asgjë e askush nuk mund t’i dalë ballë diçka të cilës i ka ardhur koha. Prandaj kot e kanë”, ka argumentuar ai.

KQZ-ja në orën 14:00 pritet të vendosë për certifikimin e kandidatëve. 47 prej 1081 pas verifikimit janë propozuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës si kandidatë që nuk përmbushin kushtet për certifikim.