Siç pritej, pa u mbyllur dyert e takimit në Bruksel, Albin Kurti është vënë nën sulm nga segmente të pushtetit ne Tiranë.

Sulm, sepse kritika është tjetër gjë. Premisa prej nga ngrihet ky sulm pak ka të bëjë me realitetin e fakteve dhe arrin për shkak të ligësisë dhe axhendës për të mbajtur Edi Ramën si kampion të oksidentalizmit në botën shqiptare, në kufijtë e injorancës. Kurti po akuzohet se sot e pozicionoi Kosovën kundër Perëndimit dhe se e bën këtë për interesin egoist të faktorizimit në krizë. Për të shkuar ku?! Cili është opsioni i këtij anti-oksidentalizmi të supozuar?

Në një luftë propagandistike nuk kërkohen përgjigje, por shtrohen vetëm pyetje që nuk ka pse te hulumtojnë, mjafton që të provokojnë.

Sigurisht kryeministrit të Kosovës i takon të sqarojë se çfarë ndodhi dhe të mbrojë vendimin e tij aty. Jo për të rishpikur veten si hero, por për të vënë në dritë një vendim që duket se ka sikletosur edhe zyrtarë të lartë të Brukselit.

Të mos e harrojmë këtë, pra elementin e një karriere personale, pasi sot në Bruksel nuk lexohej faqja e parafundit e Apokalipsit, por diskutohej një kompromis mbi drëfte të dakordësuara edhe më herët. Z. Kurti deklaroi p.sh se z. Borrell kishte hequr dorë nga kërkesa për normalizim marrëdhëniesh mes Serbisë dhe Kosovës që sipas tij u diskutua në Paris. Nëse kjo është e vërtetë atëherë në Bruksel është kërkuar thjesht një lloj armëpushimi për të lejuar Vuçiç të manovrojë në skenën e brendshme me një marrëvëshje të pranueshme.

Mbi Serbinë Bruksel po preson shumë për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë por Vuçiç ka bërë të qartë se nuk tërhiqet nga politika e vet. Jo pa marrë diçka në Kosovë.

Dhe kemi parë qoftë edhe me liberalizimin e vizave apo kufirin Kosovë – Mali i Zi se Brukseli e ka shumë më të lehtë të tallet e tregtojë Kosovën. Patjetër që kjo nuk përligj qasje antiperëndimore, por edhe një kufi duhet vënë. Kosova, shtetësia e saj, është vepër kryesisht e Perëndimit, por jo ekzistenca e saj.

Këtë koha jo vetëm e provon, por ajo na vë në pah më së miri një fakt historik e politik të hidhur: Shqipërinë, të mëdhenjtë e kanë trajtuar njësoj. Nuk është politikë e mençur, as aleancë e sinqertë ajo që ndodh me MEK në vendin tonë, as edhe me reformën në drejtësi që shpartalloi një kollonë të shtetit.

Në këtë kuadër lojërat me miq dhe armiq në një mjedis ku emergjencë është aftësia për të mednuar e jo Liria që është gjasë fatlume nga anët tona, i shërbejnë vetëm iluzionit të rremë të një lufte lugatësh mediatikë e politikë, ndonjë kryeministri që po shqyen në mes një vend të tërë dhe një ndarjeje që është në fakt ai mallkimi i vërtetë që kërkohet gjetiu.

Në çdo rast ky ishte një episod i nevojshëm për të kuptuar se Kurti dhe kushdo që ecën me kokën e vet në Kosovë, armiqtë kryesorë i ka për t’i patur përherë në Tiranë, jo ne Beogad. Ata që urrejnë dhe përvjellin vrer dhe smirë. Dikush shkruan shpesh.p.sh për relacionet Rugova-Berisha, apo jo?!

s.zaim