Themeluesi i Shoqatës së Mjekëve Serbë, «babai i kirurgjisë serbe» dhe politikani dr. Vladan Gjorgjeviq, më 1913, botoi librin «Arnautët dhe fuqitë e mëdha» më të cilin para fuqive të mëdha duhej të viheshe në pyetje pjekuria civilizuese e shqiptarëve e me këtë edhe e drejta e tyre që të kenë shtet të vetin. «Arnautët si njerëz me bisht» është vetëm njëri prej përshkrimeve.

Nga Vladan JOVANOVIQ

Para njëqind viteve, një anëtar i shquar i Partisë Përparimtare Serbe (nuk është Aleksandar Vuçiqi), me kënaqësi të hapur ka cituar qëndrimet e diplomatit austriak Johann Hahn (nuk është komisioneri evropian për Politika Fqinjësore dhe Zgjerim). Me këtë rast s’bëhet fjalë për deklarata hipokrite në lidhje me gjendjen e lirisë së medieve në Serbinë përparimtare, por për fabrikimet pseudoshkencore mbi karakteristikat antropologjike të shqiptarëve. Më fjalë të tjera, themeluesi i Shoqatës së Mjekëve Serbë, «babai i kirurgjisë serbe» dhe politikani dr. Vladan Gjorgjeviq, më 1913, botoi librin «Arnautët dhe fuqitë e mëdha» më të cilin para fuqive të mëdha duhej të viheshe në pyetje pjekuria civilizuese e shqiptarëve e me këtë edhe e drejta e tyre që të kenë shtet të vetin.

Ky ishte këndvështrimi i përkrahjes intelektuale të operacionit gjashtëmujor ushtarak serb në veri të Shqipërisë, më 1912/13, i cili kishte për qëllim daljen në det të Serbisë. Për këtë, Gjorgjeviqi gjallëroi shënimet folklorike të cilat konsulli i përmendur austriak i shqyrtoi në veprën e tij «Albanesische Studien» (1854). Njëri prej përshkrimeve më piktoreske është ai për shqiptarët si njerëz me bisht, i cili në këndvështrimin e «konstruktit kulturor» më lehtë qe i pranueshëm në mesin e racistëve dhe shovinistëve, siç vëren edhe antropologu slloven Bozhidar Jezernik (http://www.danas.rs/dodaci/vikend/rep_kao_argument_za_izlaz_na_more.26.html?neës_id=129237).

Prejardhjen e kësaj klisheje të pazakonshme provoi ta deshifronte edhe sociologu i religjionit, Mirko Gjorgjeviq (http://pescanik.net/akademik-cosic-medu-repatim-albancima/), që në masë ta madhe edhe ia doli nëpërmjet librit «Historia e Perëndimit» (Jacques de Vitry, «Histoire occidentale», 1997). Duke parafrazuar akademikun francez, ai e ka theksuar se «sa më primitivë e të fiksuar pas nacionalizimit të egër të kenë qenë popujt, aq më fort u është ngushtuar arsyeja dhe njëri-tjetrin e kanë përshkruar si njerëz me bisht, e për këtë kanë plasur luftërat, madje të përgjakshme».

Gjurmëve të qëndrimit gjermano-austriak për mosekzistencën e kombit shqiptar të shfaqur në Kongresin e Berlinit (1878), në hapësirën gjermanofolëse dolën një sërë veprash, të cilat inspiruan etnonacionalistët serbë edhe atëherë kur qëndrimi i Austro-Hungarisë në lidhje me çështjen shqiptare ndryshoi në mënyrë drastike. Qysh në faqen e parë të librit të tij të famshëm, dr. Vladan Gjorgjeviqi lë të kuptojë rrjedhën e mendimeve të tij, duke përmendur «Bregdetin serb», «qendrat e vjetra serbe, Durrësin e Lezhën». I bazuar te J. Hahni dhe i arsimuar për mjekësi në Vjenë, Gjorgjeviqi troç ia nis me autopsinë antropologjike: «Tipi tamam i arnautit është thatanik e i imët, dhe ka diçka në cigane e fenikase në të». Pastaj shpreh legjendën e përmendur për neandertalët me bisht, të cilët, për çudi, evolucioni i ka anashkaluar pikërisht diku midis bregdetit shqiptar dhe Bjeshkëve të Nemuna (fq. 7). Në të njëjtën faqe, Gjorgjeviqi shkruan për «prerjet e kokës» të ndryshme në veri e jug të lumit Shkumbin, me të cilën, tezën për shqiptarët si popull i veçantë e shënjon si fiksion.

Meqë në studimet e tij ka futur edhe faktorin serb, Gjorgjeviqi ngutet që të përshkruajë ndikimet e ndërsjella dhe vendos kornizën bardhezi.

Kësisoj shqiptarët kanë marrë nga serbët kumbarinë, «por e kanë prishur sepse, përderisa pobratimi serb e konsideron si motër bashkëshorten e pobratimit të tij, arnauti mund të bëjë tradhti bashkëshortore me bashkëshorten e vëllamit të tij, e për këtë të mos vritet, edhe pse në Arnautllëk, njerëzit vriten për fyerje krejt të vogla», (fq. 9-10). Njësoj, kryengritjet e shqiptarëve kundër autoriteteve turke nuk kanë shpërthyer për liri por vetëm «për të mos paguar kurrfarë taksash… dhe për të mos i dorëzuar armët të cilat u janë fort të nevojshme për vrasjen e njëri-tjetrit», (fq. 41).

Gjorgjeviqi goxha shpejt trason edhe kornizën për paragjykimet, poshtërsitë dhe mendjelehtësitë e arnautëve. Kur plasi Lufta e Parë Ballkanike, 60.000 shqiptarë «me pushkët që ua dhuruan Serbia e Mali i Zi u rreshtuan përkrah turqve dhe luftuan kundër të dy shteteve serbe në mënyrën e tyre të egër, të pabesë e tradhtare» (fq. 41). Arnautët i paraqet si «shenjëtar të dobët nga vendi» e në prita kanë qenë fort precizë e me këtë po ashtu aludon në pabesinë e tyre (fq. 113). Madje, edhe kur dorëzohen dhe e ngrenë flamurin e bardhë, «gjithkah vërsulen me togje kundër duarve të miqësisë që u janë shtrirë» derisa jo pak, siç shkruan, «kanë shtënë në mjekët serbë, të cilët ua kanë lidhur plagët»: «Bëhen kinse janë të vdekur vetëm që në mënyrë të pështirë të vrasin pas shpine ndonjë mjek a oficer serb… Natyrisht që pastaj ai oficer komandon në anën tjetër se i ka zënë ata tradhtarë… dhe i ka gjykuar sipas ligjeve të luftës» (fq. 42).

Kjo në të vërtetë ka qenë përgjigjja e shurdhër ndaj propagandës austro-hungareze për krimet që i ka bërë ushtria serbe në Kosovë e në veri të Shqipërisë gjatë Luftërave Ballkanike. Gjorgjeviqi, nëpërmjet paradokseve e formësimeve dramaturgjike, krijon imazhin e «moralit arnaut» duke luajtur me segmentet e së drejtës humanitare për shkeljen e së cilës asokohe akuzohej Serbia. Sipas versionit të tij, të plagosurit shqiptarë nuk janë ndalur as në spitalet serbe, e kësisoj njëri prej tyre, «infermieres serbe, ia ka shkulur një copë fytyre me dhëmbët e vet shtazarak». Pastaj Gjorgjeviqi thërret: «E prej këtyre egërsirave Austro-Hungaria do të bëjë shtet. Për hair u qoftë!» (fq. 43).

Një temë fort e përshtatshme për diskreditimin e shqiptarëve ka qenë e drejta zakonore e tyre për gjakmarrje e cila «nuk konsiderohet si krim, por si detyrë e shenjtë». Në një vend, Gjorgjeviqi thotë se më shumë se 70 për qind vdekjeve të meshkujve ndër shqiptarë, është pasojë e gjakmarrjes dhe se atje ka qenë turp që të vdisej në shtrat (fq. 47). Pak me tej, ofron një pasqyrë tabelore të numrit të shqiptarëve të vrarë në gjakmarrje (të cilat një klerik i ka renditur sipas fiseve) prej së cilës ky teprim bëhet më shumë se sa i dukshëm. Gjorgjeviqi merret edhe me gjymtimet emocionale të shqiptarëve e një mbështetje perfekte e gjen edhe në pjesë të librit të Paul Siebertzit («Albanien und die Albanesen», Wien-Mainz 1910): «Njashtu si na edukojnë neve për dashuri, shqiptarët i edukojnë për urrejtje» (fq. 49). Për më tepër «në gjuhën e arnautëve, nuk ekzistojnë fjalët dashuri e puthje», përfundon Gjorgjeviqi me patetikë.

Njëri prej miteve më popullore që Vladan Gjorgjeviqi nuk e lë t’i ikë, është ai për plaçkitjet e malësorëve e mirditorëve, të cilën gjë këto fise, siç shkruan ai, e kanë kundruar si një «zotësi të trashëguar» (fq. 51). Duke shkruar për egërsinë e anarkinë e tyre, ai i përqesh si fermerë të pazotë të cilët nuk dinë se si bëhet djathi i dhisë, e as që kanë dëgjuar për plugim të thellë e plehërim (fq. 76).

Zotësitë e shqiptarëve në përdorimin e armëve, Gjorgjeviqi nëpërmjet toneve tallëse dhe figurave të dëshmuara stilistike sërish i shpie në kufijtë e absurdit: «edhe pse kanë pushkë, shqiptarët janë plotësisht të pazotë në gjah e në peshkim e duke iu falënderuar prapambetjes së tyre të lindur, shkatërrojnë pyjet prej ahu që të bëjnë kullosa» (fq. 79).

Një popull kësisoj i portretizuar, natyrshëm, pengon proceset modernizuese. Si shembull përmend shqiptarët e Malësisë, të cilët kanë penguar ndërtimin e hekurudhës, sepse kanë qenë dyshues për çfarëdo matje të tokës. Çdo paraqitje e ekipeve të gjeodezistëve për ta ishte sinjal për njërin nga tre skenarët e mundshëm: ose ka pasuar ndonjë ndarje e tokës, ose vënia e taksave të reja, ose aneksim apo marrje e pasurisë së patundshme (fq.93).

Në librin e Siebertzit definitivisht Gjorgjeviqi ka gjetur një det materialesh inspiruese, të cilat i ka përpunuar deri në joracionalitet. Shënimeve të një udhëpërshkruesi që vëren se në çdo kullë arnaute është një kokë kali e ngulur në hu, Gjorgjeviqi shton: «Falë Zotit që në ata hunj nuk janë ngulur koka njerëzish», (fq. 102). Në të njëjtën faqe rrjedhin përshkrime bizare të barbarive shqiptare: bariu që me revolver heq minjtë nga tavani, përshkrimet e vendbanimeve në shpella si «primitivizëm modern». «Civilizim i bukur!», ironizon Gjorgjeviqi, duke ua kujtuar lexuesve se për dallim prej serbëve, ata ende hanë me gishta, janë plot morra e s’kanë rroba, si dhe «në krejt Arnautllëkun është vetëm një nevojtore» (fq. 103).

Këso paragjykimesh të shpikura me agresivitet i ka mbështetur edhe konsulli rus në Prizren, Ivan Jastrebov, me shënimet e tij për egërsinë e shqiptarëve «gënjeshtarë» e «të shpifur», për të cilët vjedhja nuk është mëkat por një «ves i lindur» (fq. 121). Në teprimet e gjeneralizimet e tij, konsulli rus e humb ndjenjën e masës dhe as që do t’ia dijë për të: «duken si kafshë me fytyra njeriu», «të gjithë janë lakuriqë», «të gjithë janë grabitqarë e vrasës në zë të keq» (fq. 104-109).

Me ndjenjë të theksuar për dramaticitet, Gjorgjeviqi çështjen e femrës e lë për fund. Gruaja shqiptare është «gjysmëgjak» pa të drejtë në trashëgimi, e për vrasjen e së cilës paguhet dyfish më pak se sa për mashkullin. Pos kësaj, nëse është sterile përzihet, përderisa burri prej saj pret që të «bartë dru, të ziejë, të pjekë bukë e të qepë fustane» (fq. 114-115). Megjithatë, gratë shqiptare e kanë edhe anën tjetër të tyre, atë të zezën: «Nga cilado mënyrë të provosh të studiosh këta arnautë të egër, gjithkah duhet bazuar në gjakmarrje – në këtë zakon të bukur i cili edhe gratë më të buta i shndërron egërsira të etura për gjak, që pinë gjak njeriu» (fq. 107).

***

Baza e këtyre paragjykimeve ka qenë zor të vërtetohet në terren, e që nuk u ka shkuar për dore as shefave serbë të qarkut, nëse mund të gjykohet prej raportimeve të tyre të vitit 1913. Me euforinë pas vendimeve të Marrëveshjes së Bukureshtit, të cilat Serbinë e zgjeruan deri në jug, tek atëherë, shefi i Qarkut të Dibrës, pos asketizmit dhe skamjes, te banorët e atyre anëve hetoi se arnautët ishin më të moralshëm e më mikpritës sesa serbët e turqit. Interesant është shënimi i tij se të krishterët ishin «fort gënjeshtarë» dhe të gatshëm «që për lira të bëjnë gjënë më të pandershme» e këtë ua kanë veshur ndikimeve nga «robëria dhe propaganda e gjatë». Nga ana e Tetovës, të krishterët kanë pasur një urrejtje të madhe ndaj shqiptarëve, edhe pse kanë qenë «popull i butë, punëtor e i dëgjueshëm» i cili me disiplinë u është përgjigjur thirrjeve të autoriteteve serbe për punë të detyrueshme dhe në ndreqjen e rrugëve. E vërtetë, shefi i qarkut thotë se popullata shqiptare ka qenë e zellshme, me gjithë «paditurinë për punë më racionale bujqësore» përderisa shtëpitë e tyre në aspektin higjienik kanë qenë më kualitative se sa ato të të krishterëve.

Me krijimin e shtetit jugosllav, paragjykimet mbi inferioritetin e shqiptarëve në raport me civilizimin, reduktohen dhe drejtohen më shumë nga udhëheqësit e tyre ushtarakë – kaçakët.

Duke marrë parasysh se për hajdutët më të dukshëm nëpër popull flitej me njëfarë frike e nderimi, autoritetet shtetërore nëpërmjet shtypit nxirrnin përshkrimet e pjesëtarëve të ushtrisë e të xhandarmërisë me anekdota për kaçakët si dezertorë, mizorë, vëllavrasës, të pafe e perversë.

Grigorije Bozhoviqi në «Kalendarin e xhandarmërisë» (1933) është shërbyer me një seri paragjykimesh të vërtetuara ku «arnautin tonë» e ka kursyer nga kritikat: «Pa dyshim, arnautët kanë në vete diçka trakase prej së cilës është latuar vllahu…Prej aty del ajo etja për të huajën për para e cila aspak nuk i shkon arnautit tonë të shkathët, përzierjes së ilirit, keltit dhe serbit. Prej aty është ai vullneti për të gënjyer qëllimshëm, për mashtrimin e llogaritur. Këta njerëz janë të pamëshirshëm».

Kur pas vitit 1924 dhe «pacifikimit» të armatosur të Drenicës, çështja shqiptare doli në plan të dytë, edhe përshkrimet e zyrtarëve për kaçakët ishin dukshëm më të buta, dhe shpeshherë edhe më të mëshirshme. Në të njëjtin kalendar, në vitin 1937, tekstet nënshkruhen nga xhandarët e rinj, të cilët madje edhe glorifikohen kaçakët a armiqtë e njohur. Për Azem Bejtën aty thuhet se ka qenë kaçak për model, «i pahijshëm si cigan, por megjithatë i bukur dhe disi i butë e që s’do ta mundë ta urrenit». Edhe kaçaku Feriz, paraqitet si një «bukuri mashkullore dhe hero i madh me pushkë», i cili në ndjekjet e xhandarmërisë «ka shtënë tek në momentin e fundit».

Me gjithë tentimet që nga një distancë solide të përshkruhen «egërsitë shqiptare» të mentalitetit kaçak dhe fizionomia tipike e tyre, nuk janë fort larg nga paragjykimet antropologjike të vëna në pah në fillim të këtij teksti:

«Balli i ulët, me rrudha, hunda e shkurtër, në formë dardhe, vetulla të kërrusura, të ndara shkurtas me dy vija të thella, maja e rruar e kokës. E gjithë shprehja e ngrysur. Ai është fanatik fetar… Ngjyrë të errët, i vogël, shpatullgjerë, i shpejtë dhe me sy të mprehtë dhe hundë simetrike në formë sqepi», ka shkruar Mihailo Jovanoviq më 1933 në udhëpërshkrimet e tij.

Përkundër kësaj, janë promovuar virtytet luftarake të popullit serb dhe janë rekomanduar si model i jugosllavizmit të shëndetshëm, që më në mënyrë më efikase është demonstruar gjatë festave fetare. Megjithatë, as raportet për parada të tilla nuk kanë arritur t’i mënjanojnë diskurset bardhezi me të cilat ironikisht duhet diskualifikuar «kombin jolojal». Në Vidovdanin e 1935-s qe organizuar ceremonia në Gazimestan ku mori pjesë i gjithë garnizoni i Prishtinës, pas të cilit pjesëmarrësit u nisën për në Tyrben e Sulltan Muratit. I vërshuar nga masa e njerëzve me uniforma rojtari i monumentit i pëshpëriti lehtë gazetarit të «Vardarit»: «Nuk jam arnaut por mbaj tirq për shkak se janë të lira. I kam blerë për dy dinarë e gjysmë». Pas kësaj në këtë gazetë, më 2 korrik 1935, u botua teksti me nëntitullin qëllimkeq: «U bë arnaut për shkak të tirqve të lira» i cili me madhësinë e fontit të shkronjave gati e lë krejt në hije raportin për ceremoninë qendrore.

Ky episod mund të jetë një ilustrim i mirë i përjetimit psikologjik të shtetit jugosllav dhe një burim interesant për hulumtuesit e «stresit të pakicës» dhe pasojat e tjera të segregacionit etnik e shoqëror.

Plasimi i idesë për veçantitë kolektive, superioritetin racor dhe për supremacinë e etnisë serbe nuk ka qenë gjithmonë punë e një qëllimi të vetëdijshëm por edhe pasojë e përmbajtjeve paragjykuese «shkencore» e të sedimentuara. Në ditën e fundi të gushtit të vitit 1933 korrespodenti i «Vardarit» të Shkupit tek po qëndronte në qendër të Prishtinës, i frymëzuar nga pamja e pazarit, pavetëdijshëm ka bërë një skicë antropologjike. Ai përqesh demat që kokulur promovojnë këpucët «Bata», myslimanët të cilët në ëmbëltore dembelohen e hanë kos dhe varfanjakët që ëndërrojnë për rrugët e Shkupit. Këtu është sekuenca edhe për imamin frikacak, të cilin «të kënduarit nga barku» ia ndal shiu i imët, duke e përzënë nga minarja. Këto përshkrime melankolike nga çarshia prishtinase nuk do të ishin kaq të pazakonshme sikur në vazhdim të mos ishte ndërrimi i skenës, gjë që gazetarin e «Vardarit» e gëzon fort. Duke e parë serbin me shajkaçe e opinga të Shumadisë, instinktivisht hyn në terrenin e klisheve për hapësirën autentike nacionale «nivelit më të lartë shpirtëror», siç do të thoshte etnologu Ivana Çoloviq. Këtu korrespodenti i «Vardarit» e forcon kontrastin. «Fort pozitiv këta të Shumadisë. Të këqyrin si ujq, dhe atë direkt në sy. Njëri ka ngarkuar në krah 50 kilogramë pambuk, tjetri një alamet kazani të ri prej bakri…». Megjithatë nuk janë vetëm ata të Shumadisë element për t’ia pasur lakmi. «Një mëhallë e tërë në Prishtinë, tash quhet Mali i Zi i vogël. Malazezet rrinë në bahçet plot luledielli dhe thurin çorape me lesh të bardhë, e përreth tyre është një det fëmijësh të shëndetshëm e bullafiqë që luajnë e bëjnë zhurmë… Në pazaret me plot paragjykime të moçme e budallallëqe, të mbushur me jevgj që mbajnë veshur tirq, nuk e di se ku përfundon arnauti e ku nis jevgu…»

Natyrisht se as serbët nuk duken fort më mirë në përshkrimet që u japin shkrimtarët shqiptarë. Në ritmin e mobilizimit nacional, propagandës luftënxitëse dhe egërsimin e regjimit të Milosheviqit dhe nacionalistëve radikalë, në Beograd më 1991 është botuar cikli i studimeve «Serbët e shqiptarët në shekullin XX». Në tërheqjen e vërejtjes që bënë disa pjesëmarrës se në literaturën kosovare e shqiptare është forcuar stereotipi për «serbin e keq e mizor» historiani Andrej Mitroviq do të pyetej: «A do të duhej që paragjykimit agresiv t’i përgjigjesh me një stereotip të ngjashëm por me domethënie të kundërt?»

Në vend të një përgjigjeje të arsyeshme në korridoret e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë ende kumbojnë paragjykime të kota, por helmuese, të cilat në vitin e fundit të shekullit njëzet shkrihet në aksiomën raciste mbi shqiptarët si «fundërrinë barbare e Ballkanit».

Autori është hulumtues senior në Institutin e Historisë së Re në Beograd. Studimi i tij përqendrohet në integrimin e ish-territoreve osmane të Kosovës dhe Maqedonisë në shtetin e ish-Jugosllavisë. Ka doktoruar në histori në Universitetin e Beogradit. Është autor i tri librave: «Jugoslovenska država i Južna Srbija 1918-1929, Makedonija, Sandžak, Kosovo i Metohija u Kraljevini SHS» (Beograd: INIS, 2002), «Vardarska banovina 1929-1941» (Beograd: INIS, 2011), dhe Slike jedne neuspele integracije: «Kosovo, Makedonija, Srbija, Jugoslavija» (Beograd: Fabrika knjiga-Peščanik, 2014). Ky artikull është pjesë e projektit «Figura e armikut – rimendimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare», i cili është në kuadër të «Programit rajonal të përkrahjes për hulumtimet në sferën e hulumtimeve shoqërore në Ballkanin Perëndimo», dhe udhëhiqet nga Universiteti i Friburgut, me përkrahje nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Mendimet e shprehura në shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin domosdo mendime të organizatave të përfshira në projekt.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress