Takimi me ambasadoren amerikan në Tiranë Yuri Kim me sa duket ka “zgjuar” dhe fantazinë e Lulzim Bashës për t’ju rikthyer premtimeve të hershme të Sali Berishës: Heqja e vizave me SHBA. Kryedemokrati Lulzim Basha ka rikthyer për fushatën elektorale të 25 prillit një nga premtimet më madhore të ish- kryeministrit Sali Berisha më 2013, liberalizimin e vizave me SHBA-në, premtim që nuk e shmangu humbjen e thellë përballë opozitës së atëhershme.

I ftuar në “Zeni Tv”, Basha tha se PD e ka pasur dhe e ka objektiv një gjë të tillë, ndërkohë që Berisha ka vite që nuk merr vizë për në SHBA.

“Partnerët tanë ndërkombëtarë janë të zhgënjyer nga dështimet në të gjitha fushat ku ata kanë investuar, përfshirë reformën në drejtësi, integrimin europian dhe investimet e huaja në vend. Nuk ka diplomat në Tiranë që të ketë iluzione sa i përket situatës shumë të vështirë në raport me integrimin europian në të cilën e ka vënë Shqipërinë Edi Rama.

Raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Europian tregojnë se në fushat me rëndësi kritike për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE, Shqipëria ka dështuar plotësisht. Këto raporte janë qëndrimet reale të diplomacisë së vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare.

Të mos harrojmë se pas liberalizimit të vizave me BE-në, ne kishim si objektiv liberalizimin e vizave me SHBA. Shqipëria duhet të ndryshojë në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, siç janë SHBA. Me këta partnerë me të cilët hoqëm vizat, ne do të mundësojmë që shqiptarët të ndjejnë benefitet me partnerët euroatlantikë, në radhë të parë te ekonomia“, tha Basha.