Takimi i sotshëm në Bruksel konfirmoi atë që pritej : kompromis nuk ka dhe madje nuk ka as vullnet për një gjë të tillë. U konfirmua edhe ajo që dihej : përfaqësuesit europianë vijuan lojën e izolimit të Kurtit duke deklaruar se ai këmbëngul për njohje. 
Presidenti serb ishte më i gëzuari : menjëherë pas takimit ai rendi të thoshte se marrëveshje nuk ka duke lënë të kuptohet se ai kështu ka shpëtuar nga detyrimet që rrjedhin nga zotimet e marra në Ohër. 

Për ecurinë e dialogut në tërësi është e qartë se BE-ja nuk ka më autoritetin faktik të ndërmjetësimit, pasi është e qartë se edhe në krah të Kurtit ka shtete që e mbështesin linjën e tij. Marrëveshjet nuk mund të arrihen me dredhi burokratësh dhe kjo është tanimë e qartë.

Sikurse është e qartë se as zgjerimi i BE-së nuk varet nga Borrel dhe von der Leyen. Invaliditeti i BE-së në raport me kancelaritë kryesore është i dukshëm edhe në Ballkan tanimë dhe iluzionet se do të ketë diçka të re janë luks i tepërt.
Ajo çfarë mbetet është të shihet sesi do të ecet para : së pari ne kërkesën serbe për zgjedhje në komunat e Veriut dhe sidomos me sjelljen e Beogradit që këtej e tutje.

Cili do të ishte ta zëmë motivi për përpjekje destabilizuese në këtë fazë? Tani që ujërat janë qetësuar dhe kur u kuptua se përfaësuesit e zgjedhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk është se janë dëshmuar aktorë të represionit shqiptar.

Më herët Vuçiç ka kërkuar që çështja të adresohet edhe në OKB me aludimin e një revokimi të Rezolutës 1244. Sot ai ka marrë nga Borrell, një njeri që u poshtërua publikisht në Moskë nga Lavrov, se Serbia nuk ka pse të bashkohet me sanksionet, as të rishikojë qëndrimin ndaj Rusisë, në kushtet kur Perëndimi nuk po akomodon interesat serbe në Ballkan.

Është një fitore e dëmshme që nuk do të kalojë pa pasoja për shkak se ajo godet opozitën serbe e cila është artikuluar në disa aspekte si properëndimore. Ciladoqoftë loja mes Kurtit dhe Vuçiç tashmë është çështje prakticiteti dhe politike që Borrell dhe Lajçak të nxiren nga skena për shkak se vetëm ndërmjetës nuj janë.

Për të kuptuar gravitetin e situatës mjafton të shikojmë se edhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut nuk ka qetësi dhe gjendet duke notuar nga kriza në krizë ndërkohë që për vendimin që mori duhet të ishtë anëtarësuar menjëherë. Por kjo është BE-ja. Ndoshta fundi i trishtë dhe aspak dramatik i një historie: me pension të majmë dhe duke dërdëllitur si Borrell.

s.zaimi