Gati dy vite pas fillimit të luftës së Izraelit në Gaza, kapaciteti ushtarak i Hamasit është dobësuar ndjeshëm dhe udhëheqja politike është nën presion të madh.
Megjithatë, BBC raporton se grupi ka arritur të vazhdojë pagesat për rreth 30,000 nëpunës civilë përmes një sistemi të fshehtë të pagesave në para të gatshme, me një total prej rreth 7 milionë dollarësh.
Sipas BBC-së, tre punonjës civilë kanë konfirmuar se kanë marrë afro 300 dollarë secili këtë javë, një pagesë që përfaqëson rreth 20% të pagës së tyre para luftës, e shpërndarë çdo 10 javë. Ndërkohë, bëhet e ditur se për shkak të mungesës së një sistemi bankar në Gaza dhe rrezikut nga sulmet izraelite, shpërndarja e rrogave bëhet përmes takimeve sekrete. Punonjësit marrin udhëzime të koduara për të “pirë çaj me një mik”, ku më pas u dorëzohen zarfe me para.
Në mars, Izraeli njoftoi vrasjen e kreut të financave të Hamasit, Ismail Barhoum dhe ende mbetet e paqartë si Hamas po siguron fonde për pagesat, pasi infrastruktura financiare është shkatërruar. Por, lidhur me këtë çështje, duke folur për BBC, një zyrtar i lartë i Hamasit ka thënë se grupi kishte ruajtur afro 700 milionë dollarë dhe qindra miliona shekelë në tunel para sulmit të 7 tetorit 2023.
Kujtojmë se vendi po përballet me mungesë të theksuar ushqimesh, ndërsa vrasjet po vazhdojnë, me ministrinë e Shëndetësisë në Gaza që thotë se që nga fillimi i luftës janë vrarë mbi 60,000 palestinezë, përfshirë më shumë se 18,500 fëmijë dhe 9,800 gra.