Komisioni Europian u bëri thirrje kompanive të mëdha të rrjeteve sociale Google, Facebook dhe Twitter, të tregojnë më shumë kujdes në kontrollin e informacioneve të rreme të publikuara nëpërmjet tyre, sidomos tani që jemi përpara zgjedhjeve kryesore të parlamentit Europian të muajit të ardhshëm.
Ky reagim erdhi pikërisht pas raportit të fundit të bërë nga BE, i cili tregoi mungesë progresi në disa fusha.

BE ka paralajmëruar për ndërhyrje të mundshme të jashtme gjatë fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe zgjedhjet kombëtare në Belgjikë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Greqi, Poloni, Portugali dhe Ukrainë, në muajt e fundit dhe në muajt e ardhshëm.

“Përmirësime të mëtejshme teknike të tilla si metodologjia e ndarjes dhe grupet e të dhënave për llogaritë e rreme janë të nevojshme, për të lejuar ekspertët e palëve të treta, kontrolluesit e fakteve dhe kërkuesit, për të kryer vlerësim të pavarur”, tha ekzekutivi i BE-së.

Komisioni tha se Google kishte bërë progres të pamjaftueshëm në përcaktimin e reklamave për çështje dhe jo produkte apo shërbime të tipit ‘pop-up ads’ . Raporti përfshinte masat që ishin marrë nga kompania gjatë muajit Mars.

Nga ana tjetër Facebook, i cili eliminoi tetë rrjete të bashkërenduara të dyshimta dhe jo autentike me origjinë nga Maqedonia Veriore, Kosova dhe Rusia, dështoi të zbulonte nëse kjo prekte ose jo  përdoruesit e BE-së.

Twitter gjithashtu nuk dha detaje mbi masat e tij kundër ‘spam-it’ dhe llogarive të rreme, si dhe nuk arriti të raportojë për ndonjë veprim për të përmirësuar kontrollin e vendosjes së reklamave në rrjet.

Burimi: REUTERS /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress