Shkencëtarët kanë zhvilluar struktura të ngjashme me embrionin njerëzor pa përdorur spermë, vezë ose fekondim, një hap i ri që ndez shpresat për kërkime mbi abortin spontan dhe defektet e lindjes, por njëkohësisht hap një debat të madh etik.

Zhvillimi i këtyre strukturave është paralajmëruar që në fillim të këtij viti, por mbi to nuk ishte kryer ende hulumtimi që zakonisht bëhet nga shkencëtarë të tjerë.

Tashmë një i tillë është publikuar në revistën shkencore “Nature”, ku përshkruhet se si shkencëtarët i nxitën qelizat burimore embrionale njerëzore të vetëorganizoheshin në një model që i ngjan një embrioni në fazat e hershme.

Studiuesit, të udhëhequr nga shkencëtari palestinez Jacob Hanna (në foto) në Institutin Weizmann në Izrael, shfrytëzojnë fuqinë e qelizave burimore embrionale, të cilat mund të bëhen çdo lloj qelize.

Ata prodhuan modele embrioni deri në 14-ditëshe, që është kufiri ligjor për kërkime të tilla në shumë vende, dhe pika në të cilën organet si truri fillojnë të zhvillohen.

Studiuesit thonë se puna e tyre ndryshon nga ato të ekipeve të tjera sepse përdor qeliza embrionale të modifikuara kimikisht dhe jo gjenetikisht dhe prodhon modele më shumë si embrione të vërteta njerëzore, të kompletuara me qeskën me lëng dhe zgavrën amniotike.

Hulumtimi konsiderohet një hap drejt hapjes së një dritareje në periudhën e zhvillimit njerëzor ku shumë shtatzëni dështojnë dhe që ka qenë vërtet e vështirë për t’u studiuar deri më tani.

Darius Widera, ekspert në biologjinë e qelizave burimore në Universitetin e Reading në Britani thotë se në kuadër të këtyre zhvillimeve të reja është më i domosdoshëm se kurrë një kuadër i fuqishëm rregullator.

Në Britani, Universiteti i Kembrixhit ka krijuar kornizën e parë rregullatore për modelet e embrioneve njerëzore të bazuara në qeliza burimore.

Hulumtimi i Institutit Weizmann nuk përfshin transferimin e modeleve në barkun e njeriut ose kafshëve, ose zhvillimin e strukturave përtej periudhës 14-ditore.