Jorge Luis Borges “Muri dhe Librat”
Ai, muret e gjata të të cilit tartarët bredhacak i kufizojnë …
Dunciad, II, 76
Lexova para disa ditësh që njeriu i cili urdhëroi ndërtimin e murit pothuajse të pafund të Kinës ishte perandori i parë, Shih Huang Ti, i cili poashtu dekretoj që të gjithë librat para kohës së tij të digjeshin.
Që këto dy operacione të mëdha – vendosja e pesë deri gjashtëqind gurëve që kundërshtojnë barbarët, shfuqizimi rigoroz i historisë, kjo nënkupton, i së kaluarës- do të duhej të kenë origjinë tek një person dhe të jenë në një mënyrë atributet e tij, në mënyrë të pashpjegueshme më kënaqte, por në të njejtën kohë më shqetësonte. Hulumtimi i arsyeve që mund të kenë sjellur këtë emocion është qëllimi i këtij shkrimi.
Nëse flasim historikisht, nuk ka ndonjë mister tek këto dy veprime. Një bashkëkohor i luftërave të Hannibalit, Shih Huang Ti, mbret i Tsin-it, solli gjashtë mbretëritë nën sundimin e tij dhe braktisi sistemin feudal; ai ngriti mure sepse muret ishin mbrojtëse; ai dogji librat, sepse kundërshtarët e tij u apelonin atyre për të lavdëruar perandorët e kohëve të vjetra. Djegja e librave dhe ngritja e fortifikimeve është një detyrë e përbashkët e princave; e vetmja gjë e veçantë tek Shih Huang Ti ishte shkalla në të cilën ai operonte. Kështu sygjerohet nga disa Kinologjistë, por unë ndiej se faktet të cilat i kam përafruar janë më shumë sesa një ekzagjerim ose hiperbolizim i një rregullimi të parëndësishëm. Murosja në një plantacion ose në një kopsht është e zakonshme, por jo edhe murosja e një perandorie. Dhe as nuk është banale të pretendojm që racat më tradicionale braktisin të kaluaren e tyre, qoftë mitike apo reale. Kinezët kanë pasur tre mijë vjet kronologji (dhe përgjatë këtyre viteve, perandori i verdhë, Chuang Tzu, Confucious dhe Lao Tzu) kur Shih Huang Ti urdhëroi që historia të fillonte me të.
Shih Huang Ti kishte syrgjynosur nënën e tij për shkak që ajo kishte qenë e shthurur; në drejtësine e tij të vrazhdë, ortodoksi nuk sheh asgjë më shumë sesa një mungesë respekti; Shih Huan Ti, ndoshta, dëshironte të braktiste tërë të kaluarën në mënyrë që të braktiste një kujtim të vetëm: poshtërsinë e nënës së tij. ( Në një mënyrë jo shumë të ndryshme veproj një mbret i Judeas kur mbyti të gjithë fëmijët meshkuj në mënyrë që të mbyste vetëm njërin.) Ky supozim meriton vëmendje, por nuk na tregon asgjë për murin, pjesën e dytë të mitit. Shih Huan Ti, sipas historianeve, ndaloj që vdekja të permendej dhe kërkonte eliksirin e pavdekësisë dhe izoloi vetën në një pallat figurativ që përmbante aq shumë dhoma sa ka ditë në vit; këto fakte sygjerojnë që muri në hapësirë dhe zjarri në kohë ishin barriera magjike të dizajnuara për të ndaluar vdekjen.
Të gjitha gjërat përpiqen që të ngulmojnë në qenien e tyre, kishte shkruar Baruch Spinoza; ndoshta Perandori dhe magjistarët e tij besonin që pavdekësia është thelbësore dhe që kalbëzimi nuk mund të hyjë në një rruzull të mbyllur. Ndoshta perandori tentoi të rikrijonte fillimin e kohës të thërriste veten “i parë”, në mënyrë që të ishte me të vërtetë i pari dhe quante veten Huang Ti që të ishte në ndonjë mënyrë Huang Ti, perandori legjendar që shpiku të shkruarit dhe kompasin. Ky i fundit sipas “Librit të Riteve”, u dha gjërave emrin e vërtetë të tyre; në një mënyrë paralele, Shih Huang Ti mburrej në mbishkrimet që kanë mbijetuar, që të gjitha gjërat në mbretërimin e tij do të kenë emrin që i pershtatej.
Ai ëndërronte themelimin e një mbretërie të përjetshme; ai urdhëroi që trashëgimtarët e tij të quheshin Perandori i dytë, Perandori i tretë, Perandori i katërt e kështu me radhë deri në pafundësi . . . Kam folur për një qëllim magjik; do të ishte e përshtatshme që të supozojmë që ngritja e murit dhe djegia e librave nuk ishin veprime të njëkohshëme. Kjo (varet nga ajo se cilin urdhër e zgjedhim) do të na jepte një imazh të një mbreti i cili filloi duke shkatërruar dhe pastaj hoqi dorë vetë në dobi të ruajtjes, ose atë të një mbreti të zhgënjyer që shkatërroi atë që më parë e kishte mbrojtur. Të dyja këto hamendësime janë dramatike, por atyre ju mungon, për aq sa di unë, një bazament në histori. Herbert Allen Giles tregon që ata të cilët fshehnin librat damkoseshin me një hekur të kuq dhe të nxehtë dhe dënoheshin me punë krahu në ndërtimin e murit mizor deri në ditën e vdekjes së tyre. Ky informacion e favorizon ose toleron një interpretim tjetër. Ndoshta muri ishte një metaforë, ndoshta Shih Huang Ti dënonte ata që adhuronin të kaluarën me një punë e cila ishte aq e pamasë, aq vulgare dhe aq e padobishme sa është edhe vetë e kaluara. Ndoshta muri ishte një sfidë dhe Shih Huang Ti mendonte “Njerëzit e duan të kaluarën dhe as unë e as ekzekutuesit nuk mund të bëjmë asgjë kundër kësaj dashurie, por një ditë do të ketë një njeri që ndihet sikur unë dhe ai do të shuaj kujtesën për mua dhe do të jetë hija ime dhe pasqyra ime e nuk do t’a dijë fare.”
Ndoshta Shih Huang Ti murosi perandorinë e tij sepse e dinte që ishte e dëmtueshme dhe dogji librat sepse e kuptonte që ato ishin libra të shenjtë, në fjalë të tjera, libra që mësojnë atë që i gjithë universi apo mendja e çdo njeriu meson. Ndoshta djegia e librarive dhe ngritja e mureve janë operacione që në një mënyrë të fshehtë e anulojnë njëra tjetrën.
Muri këmbëngulës i cili në këtë moment, dhe në të gjitha momentet, hedh sistemin e tij të hijeve mbi vendet të cilat unë kurrë nuk do t’i shoh, është hija e një Cezari që urdhëroi kombin më nderues të digjte të kaluarën e tij; është e kënaqshme që kjo ide na nxit në vetëvete, duke lënë mënjanë supozimet që lejon. (Virtyti i saj qëndron në kundërshtinë e të ndërtuarit dhe shkatërruarit në një shkallë enorme.)
Duke përgjithësuar nga rasti paraprak, mund të konkludojmë që të gjitha format kanë virtytin e tyre në vetëvete dhe jo në një “përmbajtje” hamendësuese. Kjo do të akordonte me tezën e Benedetto Croce; tashmë Pater me 1877 kishte afirmuar që të gjitha artet aspirojnë formën e muzikës, që është fomë e pastër. Muzikë, gjendje të lumturisë, mitologji, fëtyra të zhdëpura nga koha, disa muzgje dhe disa vende të caktuara tenojnë të na tregojnë diçka ose kanë treguar diçka të cilën ne nuk duhej t’a humbisnim, ose janë duke thënë diçka; kjo afërsi e një revelacioni që nuk ndodh, është ndoshta, fenomeni estetik.
Përktheu: Arjanis Shamolli