Botëkuptimet e Sami Frashërit dhe Vaso Cubrilloviqit përmes veprave të tyre

Gëzim Mekuli

Rrënimi i Perandorisë Osmane në Ballkan solli një situatë të re për popullin shqiptar: mundësinë për të evidentuar kombin dhe për të krijuar shtetin shqiptar. Menjëherë pas kësaj shembjeje, qëllimi kryesor i intelektualëve shqiptarë, por edhe i atyre serbë, ishte që të ndikonin tek bashkëkombasit e tyre për të ndërtuar shtetin e tyre nacional. Ashtu si shqiptarët, edhe serbët filluan punën e tyre sistematike për të krijuar një atmosferë për aktivitete intelektuale, ku mund të ushqeheshin ndjenjat nacionale.

Një shembull i shquar i Rilindjes shqiptare ishte edhe vepra e Sami Frashërit, Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?, botuar më 1899. Ndërsa ndër intelektualët më të rëndësishëm të rrethit të Beogradit ishte Dr. Vaso Çubriloviç, i cili kaloi kohën e tij duke nxjerrë një numër të shumtë artikujsh e librash. I rëndësisë së veçantë në këtë shkrim është memorandumi “Shpërngulja e shqiptarëve ”, që doli në vitin 1938, pra , 39 vite pas botimit të veprës së lartpërmendur të Sami Frashërit.

Është interesante të shohim se cili është botëkuptimi i Frashërit dhe Çubriloviçit rreth përbërjes së shtetit shqiptar dhe atij serb pas rënimit të Perandorisë Osmane? Mbi të gjitha, ku dallojnë mes tyre botëkuptimet e Frashërit dhe të Çubriloviçit, gjatë përpjekjes së tyre për përbërjen e shtetit?

Frashëri dhe Çubriloviçi u janë përgjigjur situatave politike në mënyra të ndryshme. Në themel të analizës qëndron edhe një problem tjetër, ai i motiveve që shtyjnë secilin në synimin e formimit të shtetit? Pyetja është e lehtë, por përgjigja në këtë pyetje është disi komplekse. Megjithatë mund të kërkojmë një sqarim me ndihmën e metodës së retorikasit të njohur amerikan, Burke: “nëpërmes identifikimit të “shprehjeve kyçe” si dhe klasifikimit dhe renditjes së fjalëve është i mundur kuptimi i domethënies së fjalëve të shkruara. Në fakt shprehjet që përzgjidhen në analizën e fjalëve mund të ndahen në dy grupe: “Shprehje të mira” dhe “Shprehje të djallit”.

Le të shohim, pra, së pari se çfarë dëshironte Sami Frashëri.
Vepra e tij është e kushtëzuar nga situata politike dhe përqëndrohet në një situatë të caktuar historike për popullin shqiptar. Ishte momenti kur Shqipëria o do të vazhdonte të mbetej nën Perandorinë Osmane, e ndarë në katër vilajete e pa asnjë të drejtë të veçantë, o do të duhej të zgjohej. Shqipëria po trajtohej si pjesë e Turqisë dhe si mall tregëtie ndërmjet serbëve, malazezëve, bullgarëve dhe grekëve. Jo rastësisht, kapitulli i III-të i veprës së Sami Frashërit, Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?, fillon me fjalën “Shqipëria”. Kjo fjalë është e shenjtë dhe është përdorur plot 123 herë. Sami Frashëri e ndjen rrezikun nga asimilimi, izolimi, copëtimi dhe tjetërsimi i shqiparëve, andaj rreth kësaj fjale, jo rastësisht, grumbullohen fjalët sikurse që janë: “rrezik”, “shqiptar”, “komb”, “gjuhë” dhe “Besë”.
“Gjuh’ e pergjithshme e gjuhë letrarishte” nuk ekziston dhe kjo është ajo që e shqetëson autorin. Thënia e tij: “Ment kemi, trimëri kemi, gjuhë të buku’ e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duam ti përdorimë gjithë këto për të mirën tënë…”, na bënë të kuptojmë, se shqiptarët janë “luftëtarë të lirisë për lirinë e të tjerëve”.

Publikut, pra lexuesit, i ofrohet një pasqyrë sociale-politike, ku shqiptarët paraqiten si komb i pamposhtur, i cili ishte gati të sakrifikohej për lirinë e të tjerëve. Por kjo nuk do të ndodhë më, siguron autori: tani Shqipëria dhe shqiptarët do të luftojnë vetëm në emër të “fjamurit të shenjtuar të Shqipërisë”.

Gjatë tërë kapitullit të III-të, është me rëndësi të theksohet, se fjala “luftë”, këtu, përdoret vetëm dy herë. Dhe kjo fjalë nuk përdoret asnjëherë si mjet për të ndikuar publikun që të sulmojë, të ndjekë apo të vrasë pakicat, kombet apo kulturat tjera jo-shqiptare, që jetonin gjithandej nëpër vilajetet shqiptare.

Botëkuptimi i tij, bazuar në tekstin e shkruar, është humanist dhe i avancuar politikisht për kohën kur është shkruar teksti. Lexuesi nuk ka asnjë rast të ndeshë fjali a fjalë me urrejtje nacionale, racore, krahinore apo fetare. Përkundrazi, ai është i shqetësuar për identitetin, për rrugëtimin e kombit, pavarësinë, gjuhën, për përparimin e për shkollimin e tijë: “M’e par’ e këtyre është gjuha, s’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, s’munt të ketë Shqiptar pa gjuhë shqip, pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat mësohet shqipja ”.

Pikërisht është ky zëri i autorit, teksti i tij, që thërret shqiptarët për të nderuar, për ta çmuar e për të krijuar një gjuhë që “të mutnjë të quhet gjuh’ e përgjithshme e gjuhë letrarishte e gjithë Shqipërisë. Pra edhe gjuha që do të flitetë atje, do të jetë e përzjerë ”.
Pa dyshim, gjuha shqipe dhe kombi luajnë një rol të rëndësishëm në veprën e Frashërit. Togfjalëshi “gjuha shqipe” është shpesh e rrethuar nga fjalët “Shqipëria” dhe “Tyrqia”. Teksti i mveshë “Tyrqisë” vetitë që nënkuptojnë vdekjen dhe errësirën. Frashëri thotë: “Tyrqia rojti shumë n’Evropë; pas kuvëndit të Berlinit dhjetë vjet besohesh të ronte; shkuan njëzet, dome-thënë rojti shumë ”. Kombi shqiptar nuk duhet t’i përshtatet “Tyrqisë”, “Greqisë” e as “Serbisë”.

Se idetë e Frashërit janë liberale, këtë e vërtetojnë edhe këto fjali: “N’ata vende të Shqipërisë, që fliten edhe të tjera gjuhë përveq shqipes, si bullgarisht, greqisht, vllahisht, ata që flasin këto gjuhë do të mësojnë në shkollat e para gjuhët e tyre edhe shqipen bashkë: shkollat e dyta e të larëta do të jenë shqip, po në dashçin, mund të bëjnë edhe shkolla të mëdha në gjuhët të tyre për vehte”. Pikëpamja e tij mbi botën është humane e tolerante. Publiku ndikohet nga porosia e autorit. Kombi shqiptar ka vullnet të madh për të bashkëjetuar me kultura të ndryshme, me kombe, me fe, e me gjuhët e tjera jo-shqipe. Teksti (fjala dhe gjuha) nuk thërret për dëbime të popujve, nuk propagandon për kolonizime etnike, hakmarrje ndëretnike, deportime e as për urrejtje ndaj pakicave tjera kombëtare që jetonin në vilajetet shqiptare.

Gjuha e tekstit të shkruar i mundëson publikut të kuptojë se gjendja politike kërkon nga shqiptarët që të garantojnë liritë etnike, gjuhët dhe kulturat e të tjerëve. Ai sikur vajton: “Përse pra ta lemë na këtë zakon të bukurë të kaqë mijë vjeç sot e të kërkojmë një njeri të huaj, që të na hajë gjymësën e të dhënave të Shqipërisë edhe të na prish një gjithë vetiat’ e bukura të kombit ”.

Theksi mbi togfjalëshin “gjuhë shqipe” është shumë i fortë. Përtej kësaj, fjala “gjuha shqipe” është e rrethuar nga emrat “greqët” dhe “shqehet”. Kjo e përshkruan më tej situatën e stërkeqësuar e të rrezikuar të gjuhës shqipe. Komunikimi i Frashërit me publikun është i qartë: “M’e par’ e ktyre është gjuha; s’munt të ketë Shqipëri pa Shqiptar, s’mund të ketë Shqipëtar pa gjuhë shqipe ”. Kjo fjali ikonë konstaton se mësimi, dituria, gjuha shqipe, pra shkollimi në frymën kombëtare do të zërë një vend të rëndësishëm në Shqipërinë e ardhshme të autorit.

Autori mendon në emër të shqiptarëve. Planifikon në emër të shqiptarëve. Flet në emër të shqiptarëve. Shkrimi i tij ndërton një botëkuptim ku Turqia nuk mund të përfaqësojë më gjatë dëshirat politike të shqiptarëve, e as të kërkojë ndonjë gjë në emër të tyre. Shqiptarët duhet të përfaqësohen nga “Qeveria” e tyre.

Ai e di se në ç’mënyrë shqiptarët duhet të mendojnë e të veprojnë politikisht, sepse ai e di varësinë e tyre ndaj Turqisë: “Le që Tyrqia ësht’ e vdekurë edhe s’munt të ronjë me të; po edhe sikur të ngjallesh kjo mbretëri e të ronte edhe ca kohë, Shqipëria prapë do të mos muntte të ronte, se gjallj’ e Tyrqisë është vdekj’ e Shqipërisë ”. Teksti dëshiron të krijojë një publik, e një mendim publik, ku shqiptarët paraqiten si një popull i varfër i nënshtruar, por njëkohësisht që kemi edhe një udhërrëfyes që njeh shqiptarët dhe e di se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta, më mirë se “Turqia e sëmurë.”

Në këtë vepër, respektivisht në këtë kapitull, Frashëri, i guximshëm, larghedhës në mendime e i përparuar për kohën, përpiqet të arrijë disa qëllime: së pari ai përpiqet të bindë “kompin shqiptar” se Shqipëria nuk është e humbur. “Në mes të Shqipëtarëvet të vërtetë s’ka nonjë ndarje, nonjë çarje, nonjë ndryshim! Janë të tërë vëllëzrë, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë! ”.

Pavarësia nga Turqia është porosia dhe qëllimi i autorit. Jo rastësisht rreth fjalës “Tyrqia”, frekuentojnë fjalët: “robër”, “dimër i gjatë”, “tirani e zezë”, “e sëmurë”, “e vdekur”, “të huaj” dhe “komp i egër”. Padyshim rreth emrit “Tyrqia” grumbullohen “fjalë të djallit”. Është e rëndësishme të nënvizojmë se si Sami Frashëri saldon “Tyrqinë” me të keqen e me fatkeqësinë. Pavarësimi i Shqipërisë është një detyrim politik, historik, kulturor, ekonomik, moral dhe një ndërgjegje civile, sepse: “Shqipëria ka ngrir’ e është tharë në këtë dimër të gjatë të tiranisë së zezë, me gjithë që s’është shkelurë aqë sa vëndet e tjerë ”. Kjo fjali është thirrje publike për rizgjim kulturor e për rikthim në identitetin shqiptar. Këto fjalë e këto fjali i kujtojnë publikut se, “Tyrqia” është vet “djalli”, prandaj, “duhet një orë e më parë të ndahetë Shqipëria e të dihet që kur e gjer ku është ”. Teksti kërkon që publiku të dënojë e të gjykojë “dimrin e gjatë” dhe “robërinë” nën “Tyrqi”.

Sami Frashëri merr rolin e një diplomati i cili përkujton publikut, pra kombin shqiptar, se duhet të dijë se ku janë kufijtë e Shqipërisë: “të dihet që kur e gjer ku është”. Kufijtë e Vilajeteve shqiptare, trojet e Shqipërisë, në mentalitetin politik të autorit, ishin ende një nga çështjet më të ndjeshme, më të rëndësishme e të pazgjidhura në perandorinë osmane. Prandaj përmendja e qyteteve shqiptare si “Shkodra, Peci (Ipeku), Prizreni, Preshtina, Ysqypi, Manastiri, Dibra, Elbasani, Tirana, Berati, Korca, Kosturi, Janina, Gjirokastra e Preveza”, nuk është e paqëllimtë dhe ka domëthenie logjike-politike e lidhje territoriale për kudo ku shqiptarët përbënin shumicën absolute. “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” krijon një identitet kolektiv themelor dhe kërkon një publik që do të mendojë dhe do të veprojë si kombet e Evropës përparimtare.

Kjo retorikë është e kuptueshme kur lexojnë fjalët: “Shqipëria”, “shqiptarët”, “gjuha shqipe”, “kombi”, “robëria”, “pavarësia”, “besa”, “shkollimi”, “identiteti”, “pavarësia”, “liria” dhe gjithsesi, “Tyrqia”.

Nëse do të përpiqemi të japim një karakteristikë të përgjithshme të kësaj vepre, do të zbulojmë diçka si prej botëkuptimi që ka të bëjë me një intelektual e udhëheqës shpirtëror, i cili është i shqetësuar për kombin. Kemi një fjalor të hapur, një gjuhë të përgjegjshme e të matur, që nuk mund të ndjehet si kërcënim apo shtysë për vetëmbrojtje tek kombet e tjerë të Ballkanit. Mund të gjenden aty fjali si: “E dyta është kisha; të shpetohenë Shqipëtarëtë nga xgjedhja e priftërisë së Greqet, të Bullgarëve e të Serbëve, e të kenë kishën e tyre me priftër shqipëtarë e me ungjill shqip; se Krishti s’sish as Grek as Shqah ”, fjali të tilla që këshillojnë kombin shqiptar të jetë syçelët nga pyka fetare e fqinjëve të Shqipërisë. Është ky “fqiu djallë” që po e rrezikon Shqipërinë.

Ajo që shfaqet në këtë kapitull, e që të zgjon vëmendjen, është se bota e Frashërit nuk ndahet midis “atyre” dhe “ne”, midis “djallit” dhe “engjëjve”. Autori nuk ndanë botën në mënyrën dikomenike. Nuk thërret për nacionalizëm agresiv e as pushtues.
Nuk është i ngarkuar me racizëm botëkuptimi i tij. Gjuha publike e Frashërit, publikun të cilin ai e do, nuk e ndan botën “kirurgjikisht” midis Orientit dhe Oksidentit. Teksti nuk do kombe të acaruara. Ai do vetëm “vetësi” për Shqipërinë. Ai nuk është kontradiktor në vetvete. Teksti nuk thërret për pushtime të tokave të huaja; nuk e do një publik primitiv. Ai e do të veten por nuk e urren të huajën. Ai thërret për shkollim në gjuhën shqipe, për mësimin dhe leximin e gjuhës shqipe në vend të asaj osmane, greke e serbe. Publiku që ndërtohet nga ky tekst është racional, i pjekur dhe joagresiv, ndërsa otomanët karakterizohen si robnues, okupues, irracional dhe të padisiplinuar.

Se çfarë e preokupon Çubriloviçin, dyzet e nëntë vite më vonë, pas botimit të traktatit të Sami Frashërit, mund te shohim më poshtë.

“Është fakt i njohur – shkruante Çubriloviç në Memorandumin e tij “Shpërngulja e Shqiptarëve”, (1937) – se “masat myslimane janë përgjithësisht të influencuara nga feja […] bestytnitë dhe fanatizmi. Prandaj ne duhet fillimisht të kontrollojmë klerin dhe njerëzit me influencë përmes parave dhe kërcënimeve për të siguruar mbështetjen e tyre në dëbimin e shqiptarëve”.

Projekti i Çubriloviçit është një goditje e ashpër për shqiptarët, për të cilët ai thotë se duhen asgjësuar dhe deportuar. Çubriloviçi e drejtoi kritikën e tij edhe kundër shtetit serb sepse, ky i fundit, që nga viti 1918 e këtej nuk ia pati arritur “të shkatërrojë mbeturinat e këtij trekëndëshi shqiptar ”. Në projektin racist të intelektualit serb veçojmë shtatë fjalë: “kolonizim”, “shqiptarë”, “serb-Serbia”, “Turqia”, “toka”, “shteti” dhe “problem”. Çubriloviçi e filloi shkrimin e tij me fjalët: “problemin e shqiptarëve”. Fjala “problem” është përmendur 31 herë ku, afër saj gjejmë fjalën “kolonizim”, e përmendur plot 132 herë. Fjala “kolonizim” ndiqet nga fjala “shqiptar” dhe “shteti”. Ajo, që e shqetësonte Çubriloviçin, ishte se shqiptarët paraqisnin problem për kombin serb dhe se zgjidhja për këtë problem është kolonializimi. “T’u marrim tokën shqiptarëve” dhe “në qoftë se … shpërngulja graduale e shqiptarëve nëpërmjet kolonizimit tonë gradual është jo efektive, atëherë ne na është lënë vetëm një rrugë, ajo e shpërnguljes së tyre në masë.

Në këtë rast, ne duhet të marrim në konsideratë dy shtete, Shqipërinë dhe Turqinë ”.
Ideja e një “shpërnguljeje në masë”, i ka disa pika të saja në të kaluarën naziste. Freies Raum ishte një propagandë naziste që do të thotë hapësirë e lirë. Sikurse Gjermania naziste që duhet të lironte hapësirën e saj nga hebrenjtë, poashtu edhe Serbia, duhet të lironte “hapsirën e sajë” nga shqiptarët. Serbia është e rrezikuar nga të “ardhurit e Anadollit”, ashtu sikurse që ishte Gjermania nga hebrejtë.

“Ne nuk kemi pasur sukses në drejtim të asimilimit të shqiptarëve në favorin tonë. E kundërta, për shkak se ata mbështeten tek Shqipëria, vigjilenca e tyre kombëtare është zgjuar dhe në qoftë se ne nuk i lajmë hesapet me ta në kohën e duhur, brenda 20-30 vjetëve ne do të përballemi me një irredentizëm të tmerrshëm… në mënyrë të paevitueshme do të vënë në rrezik të gjitha territoret tona të jugut. ” Kjo do të thotë se “përpos njerëzve të besueshëm ky konflikt duhet përgatitur mirë; konflikti duhet të masivizohet, që të jetë më lehtë të shpjegohet se shqiptarët kanë ngritur krye, ndërsa gjithë gjendja duhet paraqitur si një konflikt vëllazërie a fisi dhe… t’i jepet edhe dimensioni ekonomik ”. Thelbi i idesë së Çubriloviçit ishte pra që të ndërtojë një publik që beson në pozitën e tmerrshme të serbëve të krijuar nga faktori shqiptar.

Përdorimi i frikës si mjet për të arritur qëllime politike është i njohur. Instalimi i një frike, një mendimi e një bindjeje se, “ne serbët”, jemi të rrezikuar nga “ata”, të cilët i përkasin një kulture e feje tjetër, është retorikë e përdorur në Gjermaninë naziste në vitet 1939-1945 nga Adolf Hitleri dhe Gëbelsi.

Në artikullin e tij “Retorika në librin, Mein Kampf, të Hitlerit”, retorikasi Burke shprehet se “çdo lëvizje, e cila rekruton simpatizuesit e vet, duhet të këtë një pikë fikse .” Hitleri e kuptoi se libri i tij “Mein Kampf” (Lufta ime) nuk duhet të ishte vetëm një ide qendrore, por gjithashtu edhe një Mekë gjeografike . Përderisa Hitleri me vetëdije zgjodhi Munchen-in si pikë të bashkuar fikse, të materializuar, në një Mekë gjeografike, Çubriloviç zgjodhi Shkodrën dhe “Kosovën e Metohinë” si qendër të bashkuar fikse e të materializuar. Shkrimi zgjon emocionet e “zemrës serbe”; Meka gjeografike dhe pika e bashkuar fikse e materializuar është tani Kosova dhe Shkodra.

Duke përdorur nacionalizmin dhe ndjenjat nacionaliste, si mjet për të ndërtuar një publik sa më kundërshqiptar, intelektuali serb, Kosovën e Shkodrën e paraqet si qendër të ortodoksizmit serb. Duhet theksuar se fjala “tokë” ka konotime kolonizuese. Fjalët “tokë” dhe “kolonizim” përdoren shpesh në shprehje të fuqishme emocionale. Në këtë mënyrë fjala “tokë” thekson dimensione territoriale për luftën e Perandorise Osmane të shekullit XIV në Ballkan. Çubriloviç paraqitet si mbrojtës i interesave territoriale serbe dhe si mbrojtës historik i interesave të definuara nacionaliste sllave. Shumë nga fjalitë, në shkrimin e tij, kristalizojnë planin e tij jo human për të shtuar e për të zgjëruar “territorin e shenjtë” të Serbisë në dëmë të një kombi tjetër.
Për Çubriloviçin ishte e qartë se shqiptarët ishin “i vetmi popull që arriti në këto një mijë vjet të fundit… të mbijetojë drejt bërthamës së shtetit tonë ” pra, atij serb. Vepra e Çubriloviçit dëshiron të krijojë një publik i cili do ndikohet e të bindet se vetëm thika, shpata, plumbi e dhuna shpëton kombin serb nga “pyka shqiptare”.

Zotërimi i idesë se serbët, si komb, janë të rrezikuar nga “kombi shqiptar”, arsyeton sulmin ndaj kulturës, identitetit, gjuhës dhe shqiptarëve në përgjthësi. Më tutje Çubriloviç shkruan: “Shqiptarët nuk mund të dëbohen vetëm me anën e kolonizimit gradual ”. Shkrimi krijon atmosferë lufte, ku serbët duhen të qëndrojnë në gatishmëri për t’i sulmuar e për t’i vrarë shqiptarët, para se “ata” t’i sulmojnë serbët: “Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm, është dhuna brutale e një shteti të organizuar, në ç‘drejtim në prore ishim përpara tyre ”. Në këtë mënyrë shkrimi rikthen kujtesën kolektive serbe në historinë e luftërave ballkanike.
Çubriloviç ndanë botën në fe, kulturë e komb.

E këtu mungon mirëkuptimi për traditën, gjuhën dhe kulturën e popujve tjerë; shkrimit i mungon durimi për të lejuar komunikimin dhe rrjedhjen e lirë të kulturave në mes popujve. Mungon mendimi dhe fryma “frashëriste”.
Historia është element me rëndësi në shkrimin e Çubriloviçit. Bashkëdyzimi i të kaluarës kulturore, religjioze dhe nacionale me të tashmen dhe me të ardhmen, krijon një ndikim të fuqishëm tek publiku. Shohim se si fjalët kyçe “shqiptar” e “serb”“ dhe “konolizim” e “deportim” janë të rëndësisë së madhe. Nëpërmes retorikës ndërtuese, shkrimi ndërton popuj me “vlera të medha”, domethënë popuj me rëndësi të madhe, dhe popuj me “vlera të vogla”, pra popuj me rëndësi të vogël. Aq më shumë shkrimi i tij ndërton një publik i cili mendon se është i rrethuar nga armiqët, urrejtja dhe lufta.

Edhe për Çubriloviçin fjala «serb-Serbia» është “shprehje e shenjtë”. Ajo që të bie në sy është se rreth fjalës “serb-Serbia” gjenden fjalët: “kolonizimi”, “shqiptarët” dhe “shteti”. Lidhjet me të forta gjenden në mes fjalëve: “problem”, “shqiptarët”, “kolonizim” dhe “organizim”. Lexuesi serb kupton dhe beson se “shqiptarët” janë fatkeqësia unike dhe e papërsëritshme, e cila edhe shënon fundin e madhështisë së popullit serb. Nënkuptohet, kësi soji, se kombi shqiptar është kanceri dhe antipodi i simbolit të identitetit serb. Zaten, Serbia e do “tokën” e shqiptarëve dhe fton politikën serbe për t’u organizuar.

Çfarë e dallon Sami Frashërin nga Vaso Çubriloviçi në konceptin e tij mbi krijimin e shtetit? Cili ishte synimi i veprimtarive të tyre?

Ajo që konstatojmë këtu është se thelbi i idesë dhe i veprës së Sami Frashërit mban vulën e paqes, gjersa vepra dhe ideja e Vaso Çubriloviçit mund të përmblidhet në thënien e tij: “Ne mund t’u shpërndajmë armë kolonistëve tanë sipas nevojës. Format e vjetra të veprimit çetnik do të organizohen dhe do të mbështeten në mënyrë të fshehtë. […] do të organizohet një vërshim i malazezve nga kullotat malore për të krijuar një konflikt në shkallë të gjerë me shqiptarët në Metohi. ” Argumenti i tij është, se “mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm, është dhuna brutale e një shteti të organizuar, në ç’drejtim në prore ishim përpara tyre ”. Çubriloviçi mbronë idenë se shqiptarët duhet të deportohen dhe se territoret shqiptare duhet të boshatisen nga shqiptarët. Ndër të tjera, argumenti i tij është edhe kërcënimi nga nataliteti i lartë i shqiptarëve.

Interesi i veprës së Sami Frashërit është të thërrasë publikun shqiptar jo vetëm për t’u edukuar, por edhe për të krijuar shoqërinë e re, duke mos lënë mënjanë gjuhën e pakicave, qoftë kjo e vllahishtes apo e greqishtes dhe bullgarishtes. Duke theksuar rolin e kufijve shqiptarë ai urdhëronte për ruajtjen e tyre duke pretenduar se të gjithë shqiptarët janë një. Qëllimi kryesor i përpjekjes së veprës së Frashërit është, pra, ruajtja e kufijve kombëtar dhe kultivimi i identitetit shqiptar.

Gjëja e parë, që duhet theksuar rreth mendimeve publike të Çubriloviçit dhe Frashërit është se i pari ishte një ekstrem në nacionalizmin e tij, siç ishte Frashëri në humanizmin e tij. Të dyja ishin pikëpamje e projekte politike.

Në çdo hap Çubriloviçi konsideronte shqiptarët si fajtorë për gjendjen e serbëve në Ballkan. Kjo pikëpamje e tij mbi botën është në harmoni me atë që thotë Hitleri dhe Gëbelsi për hebrejtë. Për të kontrolluar idetë edhe nazizmi gjerman instaloi frikën prej hebrenjëve, religjioneve,”racave jo të bardha”, romëve dhe bolshevikëve. Këta ishin faktorë, që, sipas teorisë naziste, rrezikonin identitetin, ekonominë, kombin e pastër gjerman, “racën ariane” dhe përparimin shkencor e kulturor gjerman.

Frashëri zhvendos fajin edhe tek vet shqiptarët, duke theksuar se gjuha shqipe do të mbijetonte, po të ishte shkruar e lexuar nga vetë shqiptarët. Ndërsa për Çubriloviçin ishte me rëndësi t’u merren tokat shqiptarëve, duke pretenduar të krijojë “Serbinë e Madhe”, në anën tjetër Frashëri thërriste për mbrojtjen e tokave shqiptare. Frashëri i kushtoi një vëmedje të madhe pavarsisë nga Turqia, Çubrillovici, në anën tjetër, ishte i interesuar të nxiste idenë se serbët ishin të rrezikuar nga shqiptarët.
Për rrjedhojë mund të përfundojmë se ndikimi i shtetit serb nga ekstremizmi i Çubriloviçit, kontriboi në vuajtje të mëdha të shqiptarëve. Serbët kryen spastrime sistematike të shqiptarëve. Vetëm në luftën e fundit (1998 – 1999) nga Kosova u dëbuan rreth 800.000 shqiptarë për shkak të kombësisë së tyre, u dhunuan mbi 20.000 mijë vajza shqiptare nga një publik i ushqyer e i ndikuar nga propaganda nacioanaliste, si ajo ideve dhe e memorandumit të Çubriloviçit.

Ajo që konstatuam më parë është se shohim një lidhje të ngushtë mes teorisë së Çubriloviçit dhe asaj naziste. Është kjo doktrinë që, në luftën e dytë botërore, i kushtoi njerëzimit më shumë se 55 milionë viktima; është ky një identitet e një botëkuptim fashist që shqiptarëve të Kosovës, në luftën e vitit 1998 – 1999, i kushtoi mbi 20.000 të vrarë e me shkatërrim masiv të objekteve civile dhe të atyre ekonomike.

Idetë e Frashërit janë në kundërshtim me teorinë e Çubriloviçit, por pa dyshim ato të Sami Frashërit harmonizohen me idetë liberale, të cilat sot janë ekzistuese në shtetet demokratike. Botëkuptimi politik e intelektual i Sami Frashërit të përkujton shkrimtarët, lirikasit, debatuesit dhe patriotët e rilindjes norvegjeze si Henrik Ibsen, Knud Knudsen dhe nobelistin për literaturë, Bjørnstjerne Bjørnson, të cilët shkruanin, debatonin dhe propagandonin për identitin dhe për gjuhën norvegjeze, që sipas tyre duhej ndarë dhe veçuar sa më parë nga ajo daneze. Ashtu siç është bërë himn kombëtar vjersha e poetit dhe e debatuesit norvegjez, Bjørnstjerne Bjørnson, “Po, ne e duam këtë vend”, po ashtu edhe vepra e madhe e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, është shndëruar në “kushtetutën” dhe në “himnin” kombëtar të kombit shqiptar.
Kur është fjala për Kosovën, Çubriloviçi është i pa kompromis. Dhe është një e drejtë e Serbisë jo vetëm për të administruar Kosovën, por edhe për të poseduar Kosovën.

Mendoj se shqiptarët kanë arritur në pikën ku të dallojnë se të gjitha përpjekjet për marrjen e tokave shqiptare nuk kanë përfunduar ende. Problemi është se si të mbrohen trojet tona, kur propozimi i Çubriloviçit, për të përdorur “njerëz të besuar” si instrument për të arritur “nirvanën” serbe, ende është aktual në politikën e Beogradit.

Dallimi është se “njerëzit e besuar”, dikur në epokën e Çubriloviçit, ishin “të padukshëm” ndërsa sot prania e tyre nuk mund të mohohet, sepse ne ata i lexojmë, i dëgjojmë e i shohim me sytë tanë.