Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell shpreh qëndrimin e vendit të tij kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat shqipe në Kosovë citojnë ambasadorin që ka folur për Euronews, të jetë shprehur se trauma e trashëguar në raportet mes dy vendeve nuk zgjidhet me ndryshim kufijsh.

Ekziston një numër traumash që dolën nga luftërat dhe lëvizja e kufijve nuk do t’i adresonte ato probleme mes dy vendeve. Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të mbeten fqinje, prandaj duhet të synojnë një të ardhme që nuk fokusohet mbi një kufi të ri por në një partneritet të vërtetë dhe miqësi. Për të arritur rezultat pozitiv, të dyja vendet duhet të kenë një qasje më transparente para se të arrihet një lloj marrëveshjeje,ka thënë ai.

Deklarimet e O’Connell vijnë pak ditë para takimit informal të Berlinit ku është përfolur se do të diskutohet edhe çështja e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat serbe kanë shkruajtur disa herë se Britania e Madhe është kundër planit amerikan për ndryshim kufijsh, madje duke dalë hapur kundër kësaj ideje. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress