Nga fjalët e urta që ka një popull, mund të kuptosh shumë për karakterin e tij, për mënyrën si mendon, si jeton dhe si sillet ndaj të tjerëve. Japonia, një vend i largët për nga gjeografia, por jashtëzakonisht afër për nga thellësia e mendimit, është ndër popujt që i jep shumë peshë urtësisë. Dhe kjo urtësi shpesh merr formën e thënieve të mprehta, të thella dhe goditëse. Kur i krahasojmë me tonat, japin një pasqyrë të qartë se si ndryshojnë botëkuptimet tona.
Japonezët, për shembull, për budallain nuk kanë mëshirë. Ata thonë: “Shërimi i budallait është vetëm vdekja.”
Një tjetër thënie e tyre shton:
“Të mençurit lajmërohen për shkak të prezencës së budallenjve.”
Ndërsa ne shqiptarët jemi më zemërbutë, më tolerantë — ndoshta edhe më të dorëzuar ndaj marrëzisë. Ne themi:
“Budallës lëshoja udhën.”
Pra, sipas japonezëve, budallai s’ka vend mes të gjallëve, ndërsa tek ne, jo vetëm që ka vend, por shpeshherë i hapet udha dhe ai ulet në krye të sofrës. Në vend që të përballet me urtësinë, ai përkrahet nga heshtja e të mençurve, të cilët tërhiqen për të mos hyrë në fërkime. Nëse në Japoni i mençuri qëndron për të mbizotëruar, tek ne ai largohet për të mos u përzier.
Krahas kësaj, ja disa thënie japoneze që i japin një tjetër thellësi konceptit të mençurisë — thënie që mungojnë në gjuhën tonë, qoftë në formë, qoftë në përmbajtje:
“Më së shumti flasin të paartikuluarit.”
“Bretkosa në pus nuk e di që ekziston deti.”
“Arsyeja shkon kur vjen e paarsyeshmja.”
“Ta falësh të papenduarin është sikur të vizatosh në ujë.”
“Kur humb, fiton.”
Çfarë elegance mendimi! Sa thellësi ka në këto fjali! Çdo thënie është si një dritare që të fton të shohësh më thellë në veten tënde. Aty ku ne ndoshta mjaftohemi me një “ma fal”, japonezi pyet: “A është ky njeri vërtet i penduar?” Aty ku ne thjesht veprojmë, japonezi ndalon dhe mendon: “Cili është vizioni pas këtij veprimi?”
Duket se populli japonez e sheh mençurinë si një disiplinë të përditshme, si një mënyrë jetese, jo si një stoli që vishet rastësisht. Kurse tek ne, urtësia është shpesh një dorë që tërhiqet, një zë që hesht përpara zhurmës.
Ndoshta kemi ç’të mësojmë nga ata. Jo për t’u bërë japonezë, por për të qenë më të vetëdijshëm si shqiptarë. Dhe mbi të gjitha, për të mësuar si ta dallojmë të mençurin nga budallai — dhe kujt t’ia lëshojmë vërtet udhën.