Donald Trump thuhet se po shqyrton një ndryshim të madh në pjesëmarrjen e SHBA-së në NATO. Këtë e raporton NBC News, citon MekuliPress mediat norvegjeze.

Sipas disa burimeve, ky ndryshim nënkupton që SHBA nuk do të mbështesë vendet anëtare që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

Këtë informacion e kanë dhënë tre zyrtarë amerikanë, aktualë dhe të mëparshëm, për NBC, shkruan gazeta norvegjeze Dagbladet.

Nëse Trump do të zbatonte një ndryshim të tillë, ai do të shkelte Artikullin 5 të NATO-s, i cili përcakton se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj të gjithëve.

Burimet gjithashtu pretendojnë se Trump po shqyrton edhe një ndryshim tjetër, sipas të cilit SHBA do të zhvillonte stërvitje ushtarake vetëm me ato vende që shpenzojnë për mbrojtje shumën e përcaktuar të PBB-së së tyre (Prodhimit të Brendshëm Bruto).

NATO ka si objektiv që të gjitha vendet anëtare të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së për mbrojtjen, por Trump ka deklaruar se ky nivel duhet të rritet në 5%.

Deklaratat e përsëritura të administratës Trump, sipas të cilave Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, kanë shkaktuar shqetësim për një tërheqje të mundshme të forcave amerikane nga kontinenti. Sipas burimeve, një nga opsionet që po shqyrtohet është ripozicionimi i forcave amerikane në Evropë, duke i zhvendosur në vendet që plotësojnë kërkesat financiare të NATO-s për mbrojtjen.

Një përfaqësues i administratës Trump ka thënë për NBC se presidenti mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s dhe ndaj Artikullit 5.

Komenti i MekuliPress: ku është Shqipëria në këtë situatë?

Kjo lëvizje e mundshme është një alarm i madh për Shqipërinë, Kosovën dhe për të gjithë rajonin. Shqipëria është pjesë e NATO-s, por me një ushtri jashtëzakonisht të dobët dhe pothuajse të papërgatitur për mbrojtje reale. Nëse SHBA tërheq mbështetjen nga vendet që nuk investojnë mjaftueshëm në mbrojtje, atëherë Shqipëria është në rrezik të madh, sepse varet pothuajse tërësisht nga garancitë e NATO-s dhe nga forcat e huaja.

Pse nuk ka ushtri Shqipëria?
Shqipëria dikur kishte një nga ushtritë më të mëdha për frymë në botë, por pas viteve ‘90 ndodhi çarmatimi masiv dhe shkatërrimi i kapaciteteve mbrojtëse. Kjo ndodhi për disa arsye:

Politikat e papërgjegjshme të qeverive pas rënies së komunizmit, të cilat e çuan vendin drejt një çmontimi të plotë ushtarak pa një plan të qartë për mbrojtjen e vendit.

Kriza e vitit 1997, ku arsenali ushtarak i Shqipërisë u plaçkit dhe u përdor për hekurishte dhe për banditizëm, e shumë pak për luftën kundër pushtuesit serb.

Besimi naiv te NATO, me idenë naive se Shqipëria mund të mbrohet vetëm përmes aleancave, pa një ushtri të vetën të fuqishme.

Nëse Trump vërtet ndërpret mbrojtjen për vendet që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për ushtrinë, Shqipëria do të mbetet shumë e ekspozuar ndaj kërcënimeve të mundshme. Kush duhet të japë llogari për këtë çarmatim të turpshëm? Politikanët shqiptarë të 30 viteve të fundit, të cilët nuk kanë menduar për sigurinë kombëtare.

Si duhet të mbrohet Shqipëria?

Duhet të rrisë urgjentisht buxhetin e mbrojtjes mbi 2% të PBB-së, ose përndryshe rrezikon të mbetet jashtë mburojës së NATO-s.

Duhet të krijojë kapacitete ushtarake të vetat, duke investuar në ushtri moderne, trupa të trajnuara dhe teknologji mbrojtëse.

Duhet të ketë një strategji kombëtare mbrojtëse, sepse nuk mund të varet vetëm nga NATO. Historia tregon që aleancat nuk janë gjithmonë të garantuara.

Po Kosova ku mbetet në këto lëvizje globale?

Kosova është edhe më e rrezikuar se Shqipëria, sepse:

Nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk ka një garanci ndërkombëtare të plotë për mbrojtjen e saj.

Ka një ushtri ende të vogël dhe të kufizuar, me shumë pengesa politike dhe diplomatike të dëmtuara nga Qeveritë e pasluftës (Marrëveshjet e Thacit dhe të Isa Mustafës).

Ka një Serbi që është e armatosur deri në dhëmbë, me mbështetje të madhe nga Rusia dhe Kina.

Nëse NATO dhe SHBA dobësojnë prezencën e tyre në Ballkan, atëherë Kosova mund të mbetet shumë e ekspozuar ndaj kërcënimeve nga Serbia. Trump ka treguar se është i gatshëm të bëjë pazare me Serbinë në dëm të Kosovës. Në një skenar ku NATO nuk garanton mbrojtjen e Kosovës, Serbia mund të bëhet më agresive dhe të testojë kufijtë e saj me ndërhyrje hibride ose edhe ushtarake.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Të forcojë urgjentisht Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ta bëjë gati për operacione reale mbrojtëse.

Të krijojë aleanca të forta me vendet që mbështesin sovranitetin e Kosovës, si Britania, Gjermania, Franca, Kroacia, Turqia dhe, krejt natyrishëm, Shqipëria./MekuliPress/

By