Salman Rushdie

“BURRAT E MIRË NUK DALIN GJITHMONË NGADHNJIMTARË”: SALMAN RUSHDIE PËR PAQEN, BARBIEN DHE SA I KUSHTOI LIRIA

Çka munden me na tregu mitet e mëdha (dhe filmat e suksesshëm verorë) për paqen? Shkrimtari, që asht marrë me fabulat gjatë gjithë jetës së tij, vlerëson urtësinë e tyre – dhe merr në shqyrtim çmimin që aj vetë e ka pagu për lirinë

The Guardian,

8 nëntor 2023

Sa për fillim, më lejoni me ju rrëfy një kallëzim. Dikur kishin pasë qenë dy çakallë: Karataka, emri i të cilit donte me thanë Urtak dhe Damanaka, emri i të cilit donte me thanë Guximtar. Ata gjendeshin në rangun e dytë të shpurës së mbretit luan Pingalaka, por ishin ambiciozë dhe dhelparakë. Një ditë, mbretin luan e kapi frika nga një zhurmë buluruese në pyll, për të cilën çakallët e dinin se ishte zëri i një demi të tërhuzur dhe për një luan s’ishte asgjë për me u tutë. Ata u takuan me demin dhe e bindën me dalë para luanit e me u ba miq me të. Demi u tut nga luani, por pranoi, dhe kështu mbreti luan dhe demi u bënë miq, dhe çakallët u ngritën në gradën e parë nga monarku mirënjohës.

Për fat të keq, luani dhe demi filluan me kalu aq shumë kohë bashkë, të humbur në muhabete, sa luani nuk shkonte më në gjah dhe kështu kafshëve të shpurës nisën me u këndu zorrët. Kështu çakallët e bindën mbretin se demi po komplotonte kundër tij dhe e bindën demin që luani po bënte plane për m’e vra. Kështu luani e demi nisën luftën, demi u vra. Mish kishte sa të dush, ndërsa çakallët u ngritën edhe më nalt me grada në sytë e mbretit, sepse e kishin paralajmëru për komplotin. Rëndësia e tyre u shtu edhe para syve të të gjithë të tjerëve në pyll, përveç, natyrisht, demit të gjorë. Por kjo nuk kishte rëndësi, sepse aj kishte ngordhë dhe u kishte mundësu të gjithëve një drekë të begatë.

Përafërsisht, kjo është historia e përmbledhur e Mbi Shkaktimin e Gërgamës Mes Miqve, e para nga pesë pjesët e librit të përrallave të kafshëve të njohura si Pançatantra. Atë që e kam pa gjithmonë tërheqëse në tregimet e Pançatantras është se shumë prej tyre nuk moralizojnë. Nuk predikojnë as mirësi, as virtyt, as modesti, as ndershmëri ose maturi. Dinakëria, strategjia dhe amoraliteti shpesh u bëjnë ballë të gjitha kundërshtive. Burrat e mirë nuk dalin gjithmonë ngadhnjimtarë. (As që është e qartë gjithmonë se cilët janë burrat e mirë.) Për këtë arsye lexuesit modern i duken çuditërisht bashkëkohorë – sepse ne, lexuesit modernë, jetojmë në një botë amoraliteti, paturpësie, tradhtie dhe dinakërie, në të cilën kudo burrat e këqij shpesh dalin ngadhnjimtarë.

Gjithmonë jam frymëzu nga mitologjitë, kallëzimet dhe përrallat, jo ngaqë në to ndodhin mrekulli – kafshë që flasin apo peshq magjikë – por ngaqë përmbledhin gjithë të vërtetën. Për shembull, rrëfimi i Orfeut dhe Euridikës, që ishte frymëzim i rëndësishëm për romanin tim Toka Përfundi Këmbëve Të Saj, mund të tregohet me më pak se 100 fjalë, megjithatë ajo përmban, në formë të ngjeshur, çështje të thella rreth marrëdhënieve midis artit, dashurisë dhe vdekjes. Aj pyetet: a mundet dashuria, me ndihmën e artit, me shkapërcy vdekjen? Apo ndoshta përgjigjet: a nuk e mund vdekja, pavarësisht artit, dashurinë? Ose na tregon se arti merr temat e dashurisë dhe të vdekjes dhe i kapërcen të dyja duke i kthy në rrëfime të pavdekshme. Ato 100 fjalë përmbajnë thellësi të mjaftueshme për të frymëzu 1000 romane.

Depoja e mitit është vërtet e pasur. Janë mitet lashtohelene, natyrisht, por edhe proza nordike dhe edat poetike. Ezopi, Homeri, Unaza e Nibelungut, legjendat kelte dhe tri Tekstet e mëdha të Europës: Tekstet e Francës, grupi i tregimeve rreth Karlit të Madh; Tekstet e Romës, që lidhen me atë perandori; dhe Tekstet e Britanisë, legjendat rreth mbretit Artur. Në Gjermani, janë përrallat e mbledhura nga Jacob dhe Wilhelm Grimmi.

Megjithatë, në Indi, unë u rrita me Pançatantran, dhe kur e gjej veten, siç më ndodh në këtë çast, në mes të të shkruarit të projekteve, u kthehem këtyre çakallëve dhe korbave spicëtarë e dredhacakë dhe të të ngjashmëve si ata, për me i pyetë se çfarë rrëfimi të radhës më duhet të kallëzoj. Deri tani nuk më kanë zhgënjy asnjëherë. Gjithçka që më duhet me dijtë për mirësinë e të kundërtën e saj, për lirinë e robërinë, dhe për konfliktin, mund të gjendet në këto kallëzime. Për dashurinë, më duhet me thënë, nevojitet me lypë diku tjetër.

Dhe çfarë ka me na thënë bota e fabulës për paqen? Ky haber nuk është shumë i mirë. Homeri na thotë se paqja vjen pas një dekade lufte, kur të gjithë ata që i dojmë vdesin dhe Troja shkatërrohet. Mitet norvegjeze na thonë se paqja vjen pas Ragnarokut, Muzgut të Zotave, kur perënditë shkatërrojnë armiqtë e tyre tradicionalë, por gjithashtu shkatërrohen edhe vetë prej tyre. Mahabharata dhe Ramajana na kallëzojnë se paqja ka një çmim të përgjakshëm. Dhe Pançatantra na thotë se paqja arrihet vetëm përmes tradhtisë.

Por le t’i lëmë menjanë legjendat e së shkuarës, për një çast, për me i pa legjendat binjake të kësaj vere: natyrisht, llafin e kam për filmin prej dy titujsh si Barbenheimer. Filmi Oppenheimeri na përkujton se paqja erdhi vetëm pasi dy bombat atomike, ‘Little Boy’ dhe ‘Fat Man’, u hodhën mbi banorët e Hiroshimës dhe të Nagasakit; ndërsa arkëmbushësi përbindësh me para i quajtur Barbi e bën të qartë se paqja e pandërprerë dhe lumturia e kulluar, në një botë ku çdo ditë e lume është e përsosur dhe çdo natë është natë kanagjeçi, ekzistojnë vetëm në plastikën rozë.

Dhe ne tani flasim për paqen, kur lufta ka marrë flakë, një luftë e lindur nga tirania dhe lakmia e një njeriu për pushtet dhe pushtim; dhe një tjetër konflikt i ashpër ka shpërthy në Izrael e Rripin e Gazës. Paqja, pikërisht tani, ndihet si një fantazi e lindur nga një lëndë narkotike që pufohet në çibuk. Paqja është gjë e vështirë për me u bë dhe gjë e vështirë për me u gjetë. E megjithatë gjakojmë për të, jo vetëm për paqen e madhe që vjen në fund të luftës, por edhe për paqen e vogël të jetës sonë private, për ta ndi veten në paqe me veten dhe me botën e vogël që na rrethon. Është një nga vlerat tona të mëdha, një gjë që duhemi me ndjekë me gjithë shpirt. Ka gjithashtu diçka të qartë fabuliste në lidhje me nocionin e çmimeve të paqes. Por, më pëlqen ideja që vetë paqja mund të jetë çmimi, furnizim me të për një vit të tërë, që sillet te dera juaj, mbushë e taposë në mënyrë elegante. Ky është një çmim që do të isha shumë i lumtur ta merrja. Madje, jam duke mendu me shkru një histori për të, Njeriu Që Mori Paqen Si Çmim.

E imagjinoj që ndodh në një qytezë, ndoshta te një panair fshatarak. Me garat e zakonshme, për më të mirët byrekë e ëmbëlsira, shalqinjtë më të mirë, për perimet më të mira; për pandehmat rreth peshës së derrit të ndonjë bujku; për bukurinë, për këngën dhe për vallëzimin. Një pramatar me një redingotë të rreckosur mbërrin me një karrocë bojalli kuajsh, që duket paksa si mashtruesi shëtitës hileqar Profesori Marvel në Magjistarin e Ozit dhe thotë se nëse i lejohet të vlerësojë konkurset, do të ndajë shpërblimet më të mira që dikush i ka pa ndonjëherë. “Çmimet më të mira!” bërtet. “Mblidhuni! Mblidhuni!”

Dhe kështu ata mblidhen, fshatarët e thjeshtë dhe pramatari u shpërndan shishe të vogla fituesve të ndryshëm, shishe me etiketa të shkruara në to: e Vërteta, e Bukura, Liria, e Mira dhe Paqja. Fshatarët zhgënjehen. Ata më mirë kishin dashë me pasë qenë ato të holla. Dhe një vit pas panairit ndodhin dukuri të çuditshme. Pasi e ka pi lëngun e shishes së tij, fituesi i çmimit të së Vërtetës fillon t’i mërzisë dhe t’i tjetërsojë bashkëfshatarët e tij duke u thënë saktësisht se çfarë mendon në të vërtetë për ta.

Bukuroshja, pasi e ka pi shishen-shpërblim të saj, bëhet më e bukur, të paktën në sytë e saj, por edhe tmerrësisht menjemadhe. Sjellja e shthurur e Lirisë trondit shumë nga bashkëfshatarët e saj, të cilët arrijnë në përfundimin se shishja e saj duhet të ketë pasur një lëndë të fuqishme dehëse. E Mira e shpall veten si shenjtore dhe natyrisht pas kësaj të gjithëve u duket e padurueshme. Dhe Paqja thjesht ulet nën një pemë dhe buzëqesh. Meqenëse fshati është përplot me telashe, kjo buzëqeshje është gjithashtu jashtëzakonisht irrituese.

Një vit më vonë, kur panairi përsëri mbahet, pramatari vjen prap, por dëbohet nga qyteza. “Shporru,” i bërtasin fshatarët. “Nuk i dojmë ato çmime. Një rozetë, një djath, një copë proshutë ose një fjongo të kuqe me një medalje shkëlqimtare të varur në të. Këto janë çmime normale. I dojmë ato në vend të këtyre.”

Ban vaki që e shkruj apo nuk e shkruj atë kallëzim. Së paku, mund të shërbejë për me ilustru hareshëm një pikë serioze, që është se konceptet që ne mendojmë se të gjithë mund të biem dakord të jenë virtyte, munden me dalë si vese, në varësi të këndvështrimit tuaj dhe nga efektet e tyre në botën reale.

Kismeti im, gjatë viteve të fundit, ka qenë të pi nga shishja e e shkruar me emrin Liria, dhe për rrjedhojë të shkruaj, pa asnjë kufizim, ata libra që më erdhën në mendje me i shkru. Dhe tani, duke qenë se jam në prag të publikimit të datës 22, më duhet me thënë se 21 nga ato 22 raste, eliksiri ia ka vlejtë me u pi dhe më ka dhënë një jetë të mirë duke bë të vetmen punë që kam dashë më bë ndonjëherë.

Me këtë rast, pra me botimin e romanit tim të katërt, unë mësova – shumë prej nesh mësuan – se liria mund të shkaktojë një reagim të barabartë dhe të kundërt nga forcat e jolirisë. Mësova gjithashtu se si të përballesha me pasojat e atij reagimi dhe të vazhdoja, sa më mirë që të mundja, të isha artist i papenguar ashtu qysh pata dashë me qenë gjithmonë. Mësova gjithashtu se shumë shkrimtarë dhe artistë të tjerë, duke ushtru lirinë e tyre, u përballën edhe me forcat e jolirisë dhe se, me pak fjalë, liria mund të jetë një verë e rrezikshme për me u pi.

Por kjo e bëri atë më të nevojshme, më thelbësore, më të rëndësishme për me e mbrojtë dhe unë kam bë atë që dij më së miri, së bashku me një varg të tjerësh, për m’e mbrojtë atë. E pranoj se ka pasë raste kur më mirë do të kisha pi eliksirin e Paqes dhe ta kaloja jetën ulë nën një pemë me një buzëqeshje të hareshme dhe të bukur në fytyrë, por kjo nuk ishte shishja që ma dha pramatari.

Jetojmë në një kohë që nuk e mendoja se do ta shihja, një kohë kur liria – dhe në veçanti liria e shprehjes, pa të cilën bota e librave nuk mund të ekzistojë – është kudo nën goditjen e reaksionarëve, autoritarëve, popullistëve, demagogëve, gjysanalfabetëve, narcistëve, shpërfillanëve; kur qendrat e arsimit dhe bibliotekat i nënshtrohen armiqësisë dhe censurës; dhe kur feja ekstremiste dhe ideologjitë fanatike kanë fillu me ndërhy në fusha të jetës ku ato nuk bëjnë pjesë. Dhe, ka gjithashtu zëra progresivë që po ngrihen në favor të një lloji të ri të censorëve bien-pendsantë, që duket i virtytshëm dhe që shumë njerëz, veçanërisht të rijtë, kanë fillu m’e pa si virtyt.

Pra, liria është nën presionin e të majtëve dhe të djathtëve, të rijve dhe të moshuarve. Kjo është diçka e re, e ndërlikuar nga mjetet tona të reja të komunikimit, interneti, në të cilin faqet e mirë-projektuara të gënjeshtrave keqdashëse qëndrojnë krah për krah me të vërtetën dhe është e vështirë për shumë njerëz me e nda në shenjë cila është cila; dhe mediat tona shoqërore, ku ideja e lirisë shpërdoret çdo ditë për me leju, shumë shpesh, një lloj rregulli të turmës në internet, të cilin pronarët miliarderë të këtyre platformave duken gjithnjë e më të gatshëm me i inkuraju e me përfitu prej tyre.

Ç’të bëjmë për lirinë e fjalës kur ajo shpërdoret kaq gjerësisht? Duhet të bëjmë përsëri, me energji të përtëritur, atë që gjithmonë kemi pasë nevojë me bë: t’i përgjigjemi fjalimit të keq me një fjalim më të mirë, t’i kundërvihemi rrëfimeve të rreme me rrëfime më të mira, t’i përgjigjemi urrejtjes me dashuri dhe të besojmë se e vërteta ende mund të ketë sukses, edhe në një epokë gënjeshtrash. Duhet ta mbrojmë ashpër dhe ta përkufizojmë gjerësisht. Natyrisht, duhet të dalin në mbrojtje të ligjërimit nga e cila ofendohemi, përndryshe nuk mbrojmë fare shprehjen e lirë.

Me citu Cavafyn “barbarët po vijnë sot” dhe ajo që dij është se përgjigja ndaj filistinizmit është arti, përgjigja ndaj barbarizmit është qytetërimi dhe në një luftë kulturore mund të ndodhë që artistët e të gjitha llojeve – kineastë, aktorë, këngëtarë, shkrimtarë – munden ende, së bashku, t’i largojnë barbarët nga portat.

Sa i përket temës së lirisë, falënderoj të gjithë ata që ngritën zërin e tyre në solidaritet dhe miqësi pas sulmit ndaj meje rreth 15 muaj më parë. Kjo mbështetje do të thotë shumë për mua personalisht dhe për familjen time, dhe na tregoi se sa pasionant dhe sa i përhapur është ende, në gjithë botën, besimi në fjalën e lirë. Zemërimi që u shpreh pas sulmit ishte një bashkëndjesi për mua, por, më e rëndësishmja, lindi nga tmerri i njerëzve – tmerri juaj – që vlera thelbësore e një shoqërie të lirë ishte sulmu në mënyrë kaq të egër dhe injorante. Jam shumë mirënjohës për valën e miqësisë që më erdhi dhe do të bëj çmos që të vazhdoj të luftoj për atë që ju të gjithë u ngritët me e mbrojtë.

(Ky është fragment i redaktuar nga fjalimi i Salman Rushdies për marrjen e çmimit gjerman të paqes që iu dha atij në panairin e librit në Frankfurt muajin e kaluar.)

[Përktheu Agim Morina, 9 nëntor 2023]