Shqiptarët kanë 9.15 miliardë euro borxh, rriten pagesat për shërbimin e borxhit. Qeveria zgjat afatin e borxhit për t’ia kaluar pagesat qeverisë tjetër. Ulen interesat, por rriten shpenzimet për shërbimin e borxhit, për shkak të obligacionit 500 milionë euro

Kuvendi është në diskutim të buxhetit faktik për vitin 2018. Të dhënat e konsoliduara të publikuara nga Kuvendi, tregojnë se në fund të vitit 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin 1,107.3 miliardë lekë, ose rreth 9.15 miliardë euro dhe e shprehur në vlerë relative, sa 67.2% e PBB, ose 3210 euro për çdo banor.

Qeveritë kanë rritur gjithmonë afatet e shlyerjes së borxheve për t’ua pasuar pasardhësve kostot e huamarrjes publike për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në portofolin e borxhit të brendshëm është ulur pesha e borxhit që maturohet brenda një viti dhe pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme, duke mundësuar reduktimin e ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit”.

Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, në raport me totalin e borxhit publik, janë përkatësisht rreth 52% dhe 48%, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si dhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit publik, sipas instrumenteve, më shumë se gjysmën e peshës e mbajnë instrumentet e tregtueshme (bono thesari, obligacione, eurobond), ndjekur nga huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore.

Qeverisja vendore merr vetëm 0.1% të borxhit

Borxhi i pushtetit lokal vazhdon të qëndrojë në nivele të ulëta (rreth 715.7 milionë lekë ose 0.1% e totalit të borxhit publik), kryesisht për shkak të kapaciteteve të ulëta që kanë njësitë e qeverisjes vendore për të akumuluar borxh. Gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë kërkesë të re për huamarrje vendore.

Portofoli i borxhit shtetëror, pavarësisht diversifikimit të viteve të fundit drejt instrumenteve të tregtuara në tregjet e huaja, gjatë vitit 2018 vazhdon të dominohet mbi 50% nga titujt shtetërorë të tregtuar në tregun vendas.

Diversifikimi i portofolit drejt instrumenteve të huaja reflekton politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm, kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm.