Pagjumësi? Lodhje? Probleme me tretjen? Nuk mund të humbni peshë? Nuk mund të shtoni peshë? Të gjitha gjetjet tuaja janë në rregull, por nuk ndiheni mirë?! Arsyeja e gjithë kësaj, si dhe simptoma të tjera të shumta: përgjumje pas ngrënies, memorie e dobët, përqendrim i ulët, shqetësim, ndryshime të humorit, depresion, rritje e nevojës për ushqime të caktuara, migrenë, dhimbje koke, ënjtje të kyçeve…

Simptomat e pashpjegueshme pas një vakti, duke përfshirë disponimin e përgjithshëm, janë treguesit kryesorë të ndikimit të ushqimit në gjendjen e përgjithshme të trupit. Në disa njerëz, ushqimi mund të shkaktojë disa reaksione të padëshiruara, intensiteti i të cilave mund të ndryshojë nga i butë në i fortë dhe madje kërcënues për jetën.

Njerëzit shpesh ndjejnë këto reagime të pakëndshme pas konsumimit të ushqimit dhe mendojnë se bëhet fjalë për një alergji ushqimore. Në fakt dhe kanë të drejtë, sepse simptomat janë shumë të ngjashme.

Mirëpo, arsyeja e gjithë kësaj, si dhe simptoma të tjera të shumta (përgjumje pas ngrënies, memorie e dobët, përqendrim i ulët, shqetësim, luhatje humori, depresion, rritje e nevojës për ushqime të caktuara, migrenë, dhimbje koke, ënjtje të kyçeve, dhimbje muskujsh, ndryshime të lëkurës, etj…) mund të jetë intoleranca ose reaktiviteti ndaj ushqimeve të caktuara.

“Njeriu duhet të hajë për të jetuar, jo të jetojë për të ngrënë”, ka thënë Molieri. Megjithatë, sot nuk është e lehtë t’u rezistosh shijeve të reja, vakteve të shpejta që kursejnë kohë, si dhe stilit të përgjithshëm të jetesës që reflektohet në dietë, që ecën në hap me tendencat e përshpejtuara të qytetërimit.

A e dimë se çfarë ndodh në trupin tonë kur hamë ushqim të zakonshëm, madje edhe kur konsumojmë ushqime ushqyese dhe cilësore? Nga ana tjetër, a jemi të sigurt se si rriten bimët dhe kafshët, sa pesticide apo ilaçe janë përdorur në mënyrë që disa ushqime, të cilat deri vonë nuk ishin të disponueshme në klimën ku jetojmë, të jenë në tryezë gjatë gjithë kohës dhe në bollëk? Pse disa ushqime, të cilat nga ana ushqyese janë shumë të dobishme, rrezikojnë sistemin imunitar?

Reklama

Ne dimë disa përgjigje, supozojmë disa gjëra, por si zbulohen ndjeshmëritë ushqimore dhe sa e rëndësishme është për shëndetin tonë të heqim nga menyja ushqimet që na dëmtojnë, përgjigjen e marrim nga Besnik Humolli, instruktor fitnesi dhe nutricionist.

Si të kuptojmë nëse jemi alergjik apo intolerant ndaj një ushqimi?

Nëse përballeni me të njëjtin shqetësim të stomakut sa herë që konsumoni një ushqim të caktuar, do të thotë se ju jeni intolerant në atë ushqim, kurse në rast se përveç shqetësimit të stomakut keni edhe ënjtje të buzëve, gjuhës, fytit, vështirësi në frymëmarrje, etj., do të thotë se jeni alergjik në atë ushqim.

Çfarë problemesh mund të fshihen pas intolerancës ushqimore?

Intoleranca ushqimore është një vrasës i heshtur për dallim nga alergjia e cila është vdekjeprurëse. Nëse nuk keni kujdes ndaj intolerancës ushqimore, ndër vite mund të shkaktohen probleme të mëdha shëndetësore duke filluar nga irritimi i zorrëve, prania e baktereve të ndryshme si helikobakter pylori, probleme gastrointestinale, dhjamosje e mëlçisë, sëmundjet dermatologjike, hipertension, diabet, depresion, obezitet, etj.

Si ndikon intoleranca ushqimore në humbjen dhe shtimin e peshës?

Intoleranca ushqimore luan rol shumë të rëndësishëm në humbjen e peshës trupore sepse kur keni intolerancë në gluten, laktozë apo ndonjë ushqim tjetër, ai ushqim nuk mund të zbërthehet (nuk tretet si duhet) dhe si rezultat i kësaj, zorrët inflamohen, metabolizmi ngadalësohet dhe ushqimi shumë lehtë deponohet – pra kthehet në shtresë dhjamore, mbipeshë trupore. Edhe pse i reduktoni kaloritë e marra gjatë ditës, në rast se konsumoni ushqime në të cilat jeni intolerant, prapë nuk mund të keni sukses të plotë në humbjen e peshës. Kurse te disa persona që gjenetikisht kanë metabolizmin e shpejtë, kur konsumojnë ushqime në të cilat kanë intolerancë, ai ushqim nuk mund të absorbohet si duhet ngase shumica e vlerave ushqyese të atij ushqimi humbasin para se të shfrytëzohen, pra organizmi është çdo herë në mungesë të kalorive të duhura dhe për këtë arsye vjen deri te nënpesha trupore.

Cilat ushqime janë më shpesh intolerante?

Varësisht prej shqetësimeve dhe problemeve shëndetësore aq mund të keni edhe intoleranca ushqimore. Tek ne, një numër i madh i njerëzve janë intolerant në gluten – drithëra (elb, grurë, thekër) ku përfshihen buka e bardhë, buka integrale, pastat, supat, biskotat, etj., pastaj një pjesë e konsiderueshme janë intolerant në laktozë – qumësht dhe produkte të qumështit si djathi, jogurti, ajka, etj. Disa të tjerë janë intolerantë në histaminë – ushqime të fermentuara, disa në sukrozë (sheqer të bardhë), në pije të gazuara, vaj të fritezës, fruta, agrume, fruta arrore, perime (sidomos ato të gjelbra), kripë, piper, erëza, barishte të ndryshme, etj.

Si e përcaktoni ju intolerancën ndaj disa ushqimeve?

Intolerancën ushqimore ne e përcaktojmë në bazë të testit të cilin e aplikojmë përmes pajisjes mjekësore e cila është e specializuar dhe sofistikuar për testimin e 300 artikujve ushqimor. Njëherazi është pajisja e vetme në Kosovë nëpërmjet të cilës bëhet testimi me metodë joinvasive – pa shpuarje dhe me saktësinë më të lartë për përcaktimin e intolerancës ushqimore.

A mund të bëjmë një dietë eliminuese në vend të testimit?

Për të gjithë ata/ato që e kanë të pamundur realizimin e testit të intolerancës ushqimore, mund të aplikohet dieta eliminuese që do të thotë se, ushqimet të cilat dyshohet që shkaktojnë shqetësime shëndetësore, të eliminohen nga dieta-konsumi ditor për një kohë të caktuar. Në rast se një ushqim i caktuar është larguar nga dieta për 1-2 jave dhe nuk janë përmirësuar shqetësimet në organizëm, atëherë në atë ushqim nuk jeni intolerant, pra ai ushqim mund të konsumohet dhe duhet të eliminohet ndonjë ushqim tjetër deri sa të gjendet shkaktari i vërtet i shqetësimeve tuaja. Shpeshherë në dietën eliminuese është e vështirë të përcaktohet saktë në cilin ushqim jeni intolerant, sepse, nganjëherë, aq shumë mund të irritohet zorra, saqë edhe në ujë të pijshëm mund të dyshoni se jeni intolerant.

Si duket testimi?

Testimi bëhet përmes pajisjes mjekësore e cila funksionon me biorezonancë përmes frekuencave, pa shpuarje, pa gjak dhe pa fije floku. Varësisht prej individit testimi zgjatë 20-30 min. për të testuar 300 produkte ushqimore të cilat kryesisht janë produkte që përdoren në vendin tonë. Rezultatet e testit merren menjëherë aty dhe janë thjeshtëzuar për t’i kuptuar me lehtësi. Me fjalë tjera, për momentin është metoda më e lehtë dhe më e saktë e testimit që aplikohet në vendin tonë!

Si trajtohet intoleranca ushqimore?

Intoleranca ushqimore më së miri trajtohet me eliminimin e atij produkti ushqimor në të cilin jeni intolerant për një periudhë kohore së paku 3 deri 6 muaj! Pas asaj kohe nuk do të thotë që ju mundeni ta konsumoni lirshëm atë ushqim, por është mirë të testohet duke konsumuar një sasi të vogël gjatë ditës dhe t’i prisni reagimet e organizmit gjatë 24-48 orëve. Nëse pas asaj kohe nuk keni hasur në shqetësime të organizmit, është mirë sasia e atyre ushqimeve që keni qenë intolerant të jetë e limituar dhe e kufizuar gjatë përdorimit, sepse nëse vazhdohet të konsumohet në sasi të pakontrolluar me gjasë pas një periudhe të shkurtë kohore, prapë do t’ju shfaqen problemet dhe shqetësimet e mëparshme shëndetësore.

Dhe për fund, cilat janë këshillat tuaja që mund t’i zbatojmë lehtësisht dhe i përshtaten obligimeve e rutinës sonë të përditshme?

Unë ju sugjeroj të gjithëve që ushqimin dhe ushqyeshmërinë ta shihni shumë të rëndësishëm dhe esenciale për shëndetin tuaj e jo ta përdorni atë vetëm për ta shuar urinë. Nëse dëshironi që trupi juaj t’ju shërbejë siç është më së miri 24/7 për të gjitha nevojat tuaja fizike dhe psikike, kujdesuni që ushqimi të jetë i duhuri në cilësi dhe sasi. Pra, ju sugjeroj të mos përdorni ushqime të cilat jeni intolerant sepse nuk i sjellin dobi organizmit si dhe të ushqeheni me rregull 2 deri 4 herë në ditë varësisht prej sasisë – kalorive të duhura gjatë ditës të cilat përcaktohen në bazë të shpejtësisë – testit të metabolizmit. /Telegrafi/