Çfarë nuk dinë gazetarët fetishë të Topit?
Elvis Hoxha:
- Gazetarët e Top Channelit po na thonë se ne shqiptarët nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në politikën e Republikës së Shqipërisë. Ndoshta janë mësuar që politikën e shqiptarëve e drejtojnë zakonisht zyrat e shteteve fqinjë. Gazetarët mjeshtra të Topit nuk e kuptojnë se ne të Lëvizjes Vetëvendosje! e mendojmë çështjen e shqiptarëve si çështje të shqiptarëve. Këta gazetarë i tmerron bashkimi i shqiptarëve.
- Nëse nga studimi i pabublikuar marrim vesh se shumica e fortë e shqiptarëve janë për bashkim të shqiptarëve, duket se shumica e gazetarëve që reklamon Topi nuk kanë të njëjtën ide. Në fakt, kjo është e njohur. Në mediat, shoqërinë tonë civile klienteliste, ideja se shqiptarët nuk e meritojnë bashkimin dhe as duhet ta synojnë, ka qenë gjithnjë paradigmë drejtuese.
- Gazetarët e Topit së pari e shohin bashkimin e shqiptarëve si gjë të panatyrshme, por atë me serbët e shohin si krejt normale. Së dyti, për ta serbët mund të ndërhyjnë në çështjet e Kosovës, por Republika e Shqipërisë nuk ka të drejtë të merret me çështjet e Kosovës.
- Një analist me emrin e dyshimtë Cili? që nuk merr vesh asgjë nga metoda e as nga marksizmi shkon e flet për neo-marksizëm. Për këtë Cilin e tërë e majta është marksiste dhe e tërë e djathta është neoliberale ngaqë nuk e njeh fare as të majtën e as të djathtën. Por meqë edhe Eni Vasili nuk di më shumë, i pëlqen të thërrasë si analist të madh Cilin. Kështu që nuk do të ndihet keq. Do të ishte mirë që Eni Vasili t’i ftojë përballë Albinit tërë analistët e topave dhe klaneve. Kështu që e kuptojmë një herë e mirë injorancën dhe ligësinë e tyre dhe nuk jemi më peng të ekraneve dhe telenovelave të studiove të debatit.
- Cili na flet edhe për Ahtisaarin si figurë e madhe botërore. Cilit i pëlqen statusi i qytetarit serb të Kosovës tri herë më i lartë se ai i qytetarëve shqiptarë të një shteti. Cilit i pëlqen ideja e enklava serbe, demarkacioni, zajednica, multietniciteti i Kosovës, e ndoshta i kërkon të njëjtët fate edhe për Republikën e Shqipërisë. Siç e thotë edhe vetë, rëndësia e tij në studio qëndron në faktin se duhet të flasë kundër Albin Kurtit, por e pranon dhe vetë se nuk është askush për me folë për bashkimin e shqiptarëve, veçse për të deklaruar se bashkimi i shqiptarëve është ëndërr pa kuptim. Eh pra, këtë nuk mund ta kuptojë kurrë një analist që ka jetuar e ka përfituar në kurriz të pronës publike të shqiptarëve. Ai nuk mund të kuptojë kurrë se ëndrra më me kuptim që shqiptarët duhet të kenë në cilësinë e tyre si shqiptarë, është bashkimi i shqiptarëve. Ndërsa fakti që ekzistojnë njerëz si Cili që flasin kundër bashkimit të shqiptarëve duke u deklaruar shqiptarë, ja ç’është fare pa kuptim. Që njerëz të tillë janë më shpesh në studiot e televizioneve me liçencë kombëtare, ja ç’është pa kuptim.
- Nga ana tjetër, bashkimi nuk bëhet me vjersha, na thotë Cili. Sepse për Cilin dëshmorët, lufta, lëvizjet Ilegale, pasuritë kombëtare dhe trashëgimia kulturore e shqiptarëve, gratë e përdhunuara, të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi dhe Serbi, Albin Kurti në burg e para gjyqeve, protestat e Lëvizjes gjatë 15 viteve, janë vjersha. Ky soj analisi nuk e kupton se vetëm në Tiranë mund të rrish në një studio televizive pikërisht pse je injorant dhe flet kundër kombit tënd. As nuk i shkon mendja se janë dhe mbeten vjersha marrëveshjet e pazbatuara mes Kosovës e Shqipërisë. Cili kërkon ta bindë Albin Kurtin. Por Cili nuk kupton se është krejt i parëndësishëm për Albin Kurtin. Nuk kupton as se dhe kur Albini flet në studio, po i flet shqiptarëve dhe jo Cilit. Cili nuk ka pikë rëndësie, përveçse për Eni Vasilin.
- Kuptojmë gjithshtu se Topit i intereson bashkimi i shqiptarëve për arsye abonimesh në kanalin e vet, por jo bashkimi i shqiptarëve për fuqizimin politik, ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve. Sepse po u bashkuan shqiptarët, do të kenë kohë të marrin në analizë cilësinë e studiove dhe debateve të topave dhe klaneve.
- Analistët e Topit nuk e dinë se shoqëria civile në vështrimin e Vetëvendosjes është shoqëri politike dhe jo klanizëm projektesh e paresh. Shumë gjëra do t’i mësojnë këta soj gazetarësh prej Lëvizjes Vetëvendosje!
- Nga Dudushi morëm vesh se shkëmbimi i territoreve të Kosovës me Serbinë është punë e Ramës dhe jo e Partisë Socialiste. Dudushi e shpëtoi Partinë Socialiste nga gjëma antikombëtare e kryeministrit të saj.
- Së fundi, duhet falënderuar seriozisht Topi që i bëri këtë shërbim kaq të madh publicitar Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Shqipëri.