Beqir Elshani

Cigarja simbol i miqësisë

Lidhur me këmbimin e duhanit për tymosje gjatë bisedës miqësore në mesin e burrave shqiptarë, dua të shtoj edhe një befasi.

Që duhani bën shoqëri, origjinën e ka prej pirjes së alkoolit, pasi që kjo e fundit është më e vjetër se duhani. Prandaj në kohën kur mungonte ora, tymosja e cigares e kishte edhe masën e kohës dhe largësinë e udhës në vendin e caktuar. Për shembull, për të ditur njeriu sa kohë ka ndenjur me mikun, ai tregonte që ka ndenjur një apo dy cigare muhabet, domethënë rreth 10-15 minuta. Pastaj pyetjes së udhëtarit se ku gjendet dhe sa është larg kroi, fshatari tregonte që gjendet në krye të fshatit dhe bën tri cigare udhë, domethënë 15 minuta.

Duhani ka edhe një marifet tjetër. Një mik i vjetër, kur vinte në odën e babait tim, gjatë bisedës një fije plastike të kutisë së duhanit e lidhte në nyjë. Nëse i lidhte gjashtë nyjë, ishte shenjë që ka ndenjur gjysmë ore, nëse i lidhte dymbëdhjetë nyjë, ishte shenjë që ka ndenjur një orë dhe menjëherë ngrihej. Kështu vepronte, pasi që me anën numrit të nyjave mund të dinte kohën e ndejës. Përveç kësaj, cigarja kryente edhe misionin e përshëndetjes miqësore. Kur ndonjë fshatar ditën e tregut rastësisht e takonte ndonjë bashkëfshatar të mikut të tij, atëherë fshatari ia jepte një cigare në shenjë nderimi për t’ia dërguar mikut të tij. Kështu me anën e cigares përcillte mesazhin e miqësisë.

Lidhur me duhanin miqësor po tregoj edhe një ngjarje në Shkup. Një ditë unë me mikun tim, Mr. Bajram Kurtin, në vitin 1984 shkuam në Shkup, ato vite, pas Demonstratave për Kosovën Republikë, nga ana e pushtetit jugosllav ishte i larguar nga procesi mësimor. Prandaj si dashamirë të librave shkencorë që ishim, ne hymë në disa librari. Ndërkohë duke shikuar librat, dy librashitës sllavomaqedonasë hapën bisedën, thanë se shqiptarët në Kosovë po i sulmojnë të huajt. Pamë që këta kishin rënë viktimë e propagandës së qarqeve shoviniste. Atëherë Bajrami ua priti: ”Shikoni, nëse shqiptarit ia ofron një cigare, edhe ai do të nderojë si mik, me duhan e me kafe, sepse ti po ia hap zemrën miqësore. Mirëpo nëse ti e nxjerrë armën, shqiptari prej tërbimit do të sulmojë me duar. Fill pastaj zotëroi heshtja dhe ne dolëm prej librarisë shoviniste.

Prandaj kafeja dhe duhani më shumë e kanë rolin e miqësisë.