E pavarura kombëtare MekuliPress ju sjellë copëza historike të fjalimit epik nga Esat Mekuli në vitin 1941:

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.

Kosova shqiptare asht shkëputun prej Nënës Shqipni, qysh më 1912; deri më 1918. Kosova ka ndërrue sundues të ndryshëm. Aty s’duhet harrue edhe periodën e okupacjonit autro-hungarez, të cilën kohë na e kujtojmë me gëzim, pse vetëm at-herë kemi pasë pak ma tepër të drejta, shkolla shqipe etj.”/MekuliPress /