Një hulumtim i përbashkët mes gazetës britanike The Guardian dhe portaleve izraelite të gazetarisë hulumtuese +972 dhe Local Call ka zbuluar një databazë të klasifikuar që operohet nga shërbimi i inteligjencës ushtarake izraelite Aman.
Sipas dokumenteve të siguruara, deri më 19 maj 2025, Izraeli ka regjistruar 8900 luftëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik të vrarë në Gaza.
Por këto shifra bien ndesh me të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, e cila raporton se deri në atë datë ishin vrarë 53 mijë persona nga sulmet izraelite – një numër që edhe Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare e konsiderojnë të besueshëm.
Një zbulesë alarmuese
Duke u bazuar te databaza izraelite, rezulton se vetëm 17% e viktimave janë luftëtarë, ndërsa 83% janë civilë. Ky është një raport shumë më i lartë sesa shifrat që liderët ushtarakë dhe politikë të Izraelit kanë deklaruar publikisht.
Gazetarët e +972 theksojnë se kjo tregon një realitet të zymtë: bombardimet izraelite në Gaza kanë goditur kryesisht popullatën civile, duke përmbysur narrativën zyrtare të Tel Avivit.
Pranimi i heshtur i ushtrisë izraelite
Vetë ushtria izraelite nuk e ka mohuar ekzistencën e databazës. Burime nga inteligjenca kanë konfirmuar për +972 se ajo është “e vetmja burim i besueshëm për të dhënat mbi humbjet palestineze”.
“Nuk ka ndonjë vend tjetër ku mund të verifikohet kjo”, ka deklaruar një prej tyre.
Megjithatë, kur The Guardian kërkoi koment nga Forcat e Armatosura izraelite, përgjigjja ishte e shkurtër dhe kontradiktore:
“Shifrat në artikull nuk janë të sakta”.
Por pa specifikuar se cilat shifra dhe pse.
Një realitet që s’mund të fshihet
Ky investigim shton presionin mbi Izraelin në arenën ndërkombëtare, ndërsa bombardimet në Gaza City vijojnë pa ndërprerje dhe civilët palestinezë pyesin me dëshpërim:
“Ku do të vdesim?”