MekuliPress sot publikon pjesën e katërt të të librit informativ, publicistik, kritik, politik e historik, “Gjurmë dhe fërkem” (ose Jusuf Gërvalla dhe…), të shkruar nga gazetari, kritiku, publicisti dhe aktori politik, Ibrahim Kelmendi.

Dekonspirimet, arrestimet, (pseudo)arratisjet

Përgjithësisht dukuria e dekonspirimeve dhe arrestimeve heshtet, nuk diskutohet me dëshirë. Si duket kjo ndodh për shkak të mundësive të mëdha që kanë pasur shërbimet inteligjente që t’i rekrutonin si spiunë disa të burgosur. Së paku kështu përflitet pëshpëritshëm.

Nuk më ka rastisur të informohem se UDB-ja ka arrestuar individ pa bë­rë asnjë “faj”. Ndërsa fakti për të cilin flitej e shkruhej se po ndo­dhnin arres­time, hetime, torturime e dënime ndaj “të pafajshmëve”, ishte vetëm një butafori propagandistike. Sipas ligjeve të atëhershme pothuajse askush nuk arrestohej pa asnjë faj, meqë të paktën pothuajse të gjithë flisnin, anko­heshin dhe ato konsideroheshin delikte verbale (sipas ligjeve përkatëse).

Se përse ishin aq efektive shërbimet inteligjente jugosllave në identi­fikim të veprimta­risë “armiqësore” dhe identifikim të eksponentëve të tyre, këtë dëshirojmë ta heshtim, sidomos ne pjesëtarët e atyre orga­nizimeve klan­destine, duke u vetëmjaftuar me akuza ndaj “titistëve” dhe shërbimeve të tyre për për­ndje­kjet, arrestimet e torturat në hetuesi e burgje, për dënimet e rënda etj.

Mundësia më efektive për identifikimin e organizimeve klandestine duhet të ketë qenë infiltrimi i informatorëve dhe spiunëve në radhët e organi­zuara si dhe përgjimet elektronike. Është për të ardhur keq sesi nuk doli de­ri tani një informator ose spiun të reflektojë nje­rëzisht e shqipta­risht për veprimtarinë e tyre legale (në aspektin juridik). Ndo­shta kjo heshtje e tyre po ndodh për shkak të destruktivitetit tonë shoqëror: lavdërojmë krye­shefat politikë e qeveritarë të informatorëve e spiunëve të shërbi­meve (si Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin, Azem Vllasi…) dhe u vardi­semi vetëm pjesëtarëve të shërbimeve inteli­gjen­te, madje jo shefave të mëdhenj, legalë, por gjahtojmë “të panjo­hurit” që i kanë rekrutuar e komanduar oficerët madhorë, si Ibush Kllokoçi, Asllan Sllamniku, Shefqet Hashani, etj.

[Jusuf Gërvalla:]

Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mba­se natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi mon­struoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpë­tuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vë­lla­it por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.[1]

[Koment:]

Këtë fragment e përmban letra e datës 14 prill 1981, të cilën Jusufi ia paskësh dërguar Sabri Novo­sellës. Sipas pohimit të Dur­mishit, i cili e ka ripublikuar këtë letër, për herë të parë qenkësh publiku­ar nga Fa­ridin Tafallari. Mua nuk më ka rastisur ta lexoj deri kësaj radhe, rrje­dhimisht nuk kam lexuar kurrfarë sqarimi e reagimi nga askush. E, sqarime e reagime është dashur të bëhen.

E habitshme, nuk kanë dhënë sqarime as SN, por as Avdyl dhe Suzana Gërvalla, për të cilët thuhet se paskëshin qenë të pranishëm kur ka ndodhur ky dekonspirim!

Kemi të bëjmë me sinqeritetin e JG, i cili i rrëfehet përgjërueshëm “vikti­mës” se tij, Sabri Novosollës, apo me ndonjë kurth, do të shfaqë hamendësime në vazhdim.

Një dezinformim i SN për dekonspirimet e vitit 1979 është pothuajse fare neutral.

[Sabri Novosella:]

Ne me këtë organizatë vepruan deri në vitin 1979, kur ndodhi një çast i dekonspi­ri­mit, me ç’rast u arrestuan Shefqet Jashari, Hysen Gërvalla e të tjerë. Pas një kohe jo shumë të gjatë kanosej rreziku që të arrestoheshim edhe Jusuf Gërvalla dhe unë kështu që, në konsultim me Metush Krasniqin u muar vendim që Jusufi të arratisej në Gjer­mani, pasi atje e kishte vëllaun, Bardhoshin, i cili poashtu ishte i organizuar në radhët e organizatës sonë. Jusufi mori obligim që në Gjermani ta formoj degën e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës.”

[Drita,Trelleborg-Suedi, nr.9, 1997, faqe 15][2]

[Koment:]

Pikërisht dezinformimi në fjalinë e fundit dëshmon se SN nuk është aspak i sinqertë kur rrëfen historikun e organizatës së tij. Vetë Jusufi ka shkruar në letrat e tij, tashmë të publikuara nga F. Tafallari dhe Xh. Durmishi, se nuk ishte dhënë dhe nuk kishte marrë obligim për orga­nizim të degës në Gjermani e as që ka ndërmarrë gjë në atë drejtim, derisa ka kontaktuar (me letra) me SN, në prill të vitit 1981. Madje, në letrën e parë që i dërgon Sabriut, i bën këtë pyetje:

[Jusuf Gërvalla:]

Në rrethinën e Shtutgartit janë nja 7-8 shokë të gatshëm e të për­shtatshëm për punë patriotiko-revolucionare. Ata presin ndonjë orientim nga unë. Po unë duke qenë dhe vetë në mjegull për gjen­djen time, nuk kam dashur t’i ngashënjej e pastaj t’i lë në gjysmë të rrugës. Prandaj u kam folur për gjëra të përgjithshme në çështje të organi­zimit, të propagandës dhe të agjitacionit si dhe kam bërë përpjekje për t’ua dhënë ele­mentet e domosdoshme shkencore të historisë kombëtare dhe të lëvizjes komuniste shqiptare e ndërko­mbëtare. Janë punëtorë dhe ma ka marrë mendja se në radhë të parë u duhet një ngritje e tillë ideore, politike e shkencore.[3]

[Koment:]

Pra, përse gjithë kjo përpjekje për të anashkaluar të vërtetat? Përse të mos konkretizohej dekonspirimi që paskësh ndodhur, i cili paska shpë­në në identifikimet dhe në arrestimet e Shefqet Jasharit-Strovcit, Ra­ma­dan Pllanës, Avdi Kelemendit, Isa Demajt, Hysen e Gërvallës, etj., të gjithë të akuzuar e të dënuar si pjesëtarë të LNÇK…!? Ose, përse të mos sqarohet se ka ndodhur telefonata e UDB-së me JG dhe përmes asaj bisede telefonike është bërë dekonspirimi i SN? Nëse po, përse nuk ka ndodhur po në atë çast arrestimi i SN, por i është dhënë afat JG ta informojë për dekonspiri­min? Apo, më në fund, përse nuk ka ndodhur në atë çast arrestimi i JG, i cili, duke dekon­spiruar SN ka dekonspiruar edhe veten e tij!?

Hamendësimi sipas kësaj logjike rezulton të jetë: JG nuk i ka bërë telefonatë UDB-ja e Pejës, por vetë SN ose ndonjë koleg i tij, të ngar­kuar ta bëjnë komplotin, të cilin për provokim po e quaj LNÇKVSHJ!

Në vazhdën e atij dezinformimi do të duhej goditur edhe dezin­formimet vijuese:

[Sabri Novosella:]

“Ishte dita e 23 dhjetorit të vitit 1979. Isha i porositur nga Metush Krasniqi dhe shokë të tjerë që, në Shqipëri të pranoja të flisja vetëm me Ajet Haxhiun dhe Sali Shatrin.” [Drita,Trelleborg-Suedi, nr. 9, 1997, faqe 15][4]

[Koment:]

Gjithë personazhet e apostrofuar në këtë sajesë nuk janë më gjallë dhe rëndom SN praktikon t’i shfrytëzojë të vdekurit si personazhe krye­sore të sajesave të tij. Nuk duket logjike t’i ketë thënë Metush Krasniqi të bisedojë vetëm me Ajet Haxhiun dhe Sali Shatrin, sepse ai kishte kulturën e nevojshme të dinte se si funksiononte pushteti në Shqipëri. Pastaj, do të ishte ndryshe të emërtoheshin “shokët” e tjerë (uroj të jenë gjallë). Deri tani, si eksponentë “udhëheqës” të asaj organizate janë afishuar Shefqet Jashari-Strovci dhe Ramadan Pllana. Mbase ndërkohë SN do të kujtohet, meqë është fjala edhe për “shokë të tjerë” (shumë shokë).

[Sabri Novosella:]

“Në fund të muajit dhjetor të vitit 1979, në orët e vona të një mbrë­mjeje, erdhi te unë dr. Ramadan Xhema (pastaj ky emigroi në Ame­rikë!), duke ma kumtuar një lajm të keq. Më njoftoi se kishin qenë tek ai dy udbashë për kontrollim mjekësor në Spitalin e Pri­shtinës. Ai i kishte dëgjuar ata duke biseduar me gjysmë zëri: “Du­het të flejnë më herët sonte, sepse nesër në mëngjes ka me u burgos Sabri Novosella.”

[Koment:]

Interesante kjo deri në marrëzi. Ka logjikë të shkojnë dy kolegë udbashë njëherësh për vizitë mjekësore? Kanë qenë rastësi që të dy në të njëjtën kohë të sëmurën dhe kanë shkuar veç e veç për kontroll rastësisht, dhe atje rastësisht janë takuar apo i shëndetshmi e ka sho­qëruar të sëmurin, me­që nuk iu kanë besuar mjekëve ose edhe fami­ljarëve që t’i shoqërojnë!? Dhe mu aty rastësisht e paskëshin pas të nevojshme t’ia kujtojnë me gjysmë zëri njëri-tjetrit se të nesërmen do ta arrestonin SN!? Ç’imagjinatë fantastike! Po, le ta lexojmë vazhdi­min e këtij “spektakli”:

[Sabri Novosella:]

Ky ishte një sinjal shumë i qartë dhe tepër serioz për mua.

Në konsultim me Metush Krasniqin u vendos që, po të jetë e mun­dur, Jusufi të arra­tisej për në Gjermani ku e kishte të organizuar të vëllanë Bardhosh Gërvallën, me një grup të rinjsh që iu kishin bashkangjitur gjithandej. Ndërkaq, për mua u propozua të arrati­sem për në shtetin shqiptar, pasi që atje ishte krijuar një lidhje. Kjo lidhje ishte krijuar nëpërmjet Mark Mërturit, i cili kishte qenë dy herë në Shqipëri te kusherinjtë e vetë, në Mërturaj të Malësisë së Madhe. Atje Marku kishte marrë lidhje me Ajet Ha­xhiun dhe Salih Shatrin, sipas udhëzimeve të udhëheqjes së LNÇKVSHJ-së, të përcje­lla nga unë, krah i së cilit ishte edhe vetë Marku.

Pra, përfundimisht u vendos që unë të arratisesha në Shqipëri dhe atje të bisedoja për çështje të organizatës vetëm me Ajet Haxhiun dhe Salih Shatrin, të cilëve do t’u shtro­hen dy kërkesa: e para që të organizohet Dega e LNÇKVSHJ-së në Shqipëri nga Ajeti, Sa­lihu, Hysen Bukoshi, Ali Boletini dhe unë dhe e dyta, nëse nuk lejohet kërkesa e parë, atëherë t’i mundësohet Sabriut dalja në ndonjë shtet nga ku do të mund ta vazh­doja aktivitetin. […]

Atë natë unë së bashku me nënën Naile, u larguam nga shtëpia dhe u vendosëm në ba­nesën e Fadil Mehmetit. Në shtëpi e kisha lënë parullën: “Nëse vijnë udbashët për të më burgosur, le të thërrasin në telefon dhe të pyesin se si është nëna”? Nëse nuk bëhet thirja, kjo nënkupton që nuk kanë ardhur të më arrestojnë. Mirëpo, në orën pesë të mëngjesit u dëgjua zilja e telefonit. Ky ishte lajmi i keq për mua. UDB-a kishte shkuar në shtëpinë e tij për ta arrestuar. U përgatitëm shpejt dhe dolëm nga banesa.”

[Sabri Novosella, „Rezistenca kosovare mes dy zjarresh“,

Prishtinë 2012, faqe 126-129]

[Koment:]

Në Gjermani Bardhi nuk kishte ndërmarrë asnjëherë asnjë or­ganizim dhe mbante lidhje shoqërore vetëm me Hysen Gegën, nga i cili herë pas here merrte literaturë të botuar në Tiranë. Për të tjera do të duhej të bëhen hulumtime, sepse dezinformimi i bërë nga ish-shefi policor i aksionit për bastisje e arrestim të SN, Demë Ademaj (i lindur në Katun të Ri/ Pejë), se ai aksion ka qenë i simuluar nga UDB-ja, i ka thelluar e kon­kre­­tizuar dyshimet për SN. Çuditërisht, as vetë SN nuk ndërmori denon­cim kundër Demë Ademajt. E pra, Zotëri Ademaj e ka për­shkru­ar në detaje aksionin. Sapo kanë hyrë në shtëpi, e kanë gjetur Nanën Naile fjetur dhe i ka sinjalizuar policët që të mos ia prishin gjumin. Kanë kontrolluar hapë­sira të tjera. Në dhomën e gjumit kanë gjetur bashkëshorten e SN të ulur në shtrat, mbuluar me jorgan dhe, kolegu i Ibush Kllokoçit, … Krasniqi (ia paskam harruar emrin). E pyet bashkë­shorten e SN se ku gjendet Sabriu. Ajo i përgjigjet se nuk kishte ardhur atë natë në shtëpi. Kur e ka pyetur pse gjysma e shtratit të zbrazët ishte e ngrohtë, bashkëshortja e SN përgjigjet se nana ishte fjetur këtu. Zotëri Ademaj i thotë se nuk është e mundur, meqë ajo po fle e gërhet në dhomën e saj. Z. Ademaj në atë rast merr urdhrin nga udbashi Krasniqi që të mos pyesë më, por të bëjë raportin se SN nuk është gjetur në shtëpi…

Do të ishte një shfaqje thuaja sureale sikur këta të dy, disredi­tuesi De­më Ademaj dhe i diskredituari SN të ballafaqoheshin në një studio te­le­vizive, në një tribunë publike ose para organeve të hetuesisë.

[Sabri Novosella:]

Xhafer Durmishi, i cili vinte nga krahu i Shefqet Jasharit, nëpër­mjet Sheremet Sara­çit, pasi u rrezikua që të burgosej kaloi në Gjer­mani. Unë e njoftova dhe e vura në kontakt me Jusufin. Jusufi ishte shumë i kënaqur me punën e Xhaferit.”

[Rezistenca kosovare në mes dy zjarresh, Prishtinë 2010][5]

[Koment:]

Spekulim ordiner! Gënjeshtër e radhës për ta paraqitur sa më të buj­shëm skenarin e quajtur LNÇKVSHJ. Vetë Xhafer Durmishi e deman­ton këtë gënjeshtër të SN në vijim:

[Xhafer Durmishi:]

…Me insistimin tim, jam nisë për në Kosovë, rreth 10 dhjetorit 1981. Kjo rrugë është rruga e vetme (e para dhe e fundit) që e kam bërë për në Kosovë pas njohjes me Jusufin e për të gjallë të Jusufit.[6]

[Koment:]

Në Kosovë Xh. Durmishi ka qëndruar legalisht dhe pa asnjë drojë se po përndiqet, deri më 20 janar 1982. Dhe kjo duhet çmuar si vlerë nëse do të kishim të bënim me organizatë të mirëfilltë, që ka paskësh pra­ktikuar klan­destinitet konstruktiv. Prandaj, me tren të linjës Selanik-Amsterdam (nëpër Fushë-Kosovë) ai paskësh guxuar t’i bëjë të dyja udhë­timet, krejtësisht në mënyrë legale. Prej nga gjithë ajo siguri?!

[Shefqet Jashari:]

Hetimet zgjatën 7-8 muaj. Është vështirë të përmenden gjithë hetu­e­sit që merrnin pje­së në maltretime. Veçmas kanë qenë të pashpirt Asllan Sllamniku, Sllavkoviqi dhe njëfarë Muharremi. Kam pasur rastin ta njoh edhe Abdullah Prapashticën, i cili shi­konte duke më rënë me kërbaç këmbëve i pashpirti Asllan Sllamniku. Ai me zgjua­rsi ia mori kërbaçin A. Sllamnikut, duke më ngritur në këmbë dhe duke më goditur shumë pak hundëve, prej nga më doli gjaku. Si duket A. Sllamnikun gjakun i dalur nga hun­dët e mia e zbuti. Ai pastaj dha urdhër që të më kthejnë në burg.

Me gjestin që e bëri Abdullah Prapashtica, kam qenë i bindur se nuk është i shitur për serbosllavët, por ka hyrë të punojë në SPB-në e Kosovës për qëllime patriotike.

[Drita, Trelleborg-Suedi, nr. 15/1997, faqe 18][7]

[Koment:]

Tepër pikante rrëfenja për Abdullah Prapashticën. Mba­se i është kër­kuar të legjitimojë komplotin e 17 shkurtit 1982 ku, si “përfa­qësues”, SN dhe Abdullah Prapashtica themelojnë LRSHJ-në ose LRSSHJ-në. Abdullahu, edhe pse ishte oficer legal i UDB-së qendrore në Prishtinë, me­gjithatë paskësh qenë patriot, meqë e godet me mjeshtëri Shef­qetin për të ndërprerë torturat e Asllan Sllamnikut. Pse jo, populli thotë: “çfarë nuk ka në det”, prandaj askush më shumë se Shefqeti nuk ka të drejtë morale të dallojë rrahjet e Asllanit dhe të Abdullahut.

Po i rikthehem edhe njëherë tematikës së informatorëve dhe spiunëve, të infiltruar në radhët e organizuara, deri edhe në mjedise ku ndodhnin themelimet e organizatave klandestine.

Në vitin 2004 luta Zotëri Shefqet Hashanin për një intervistë. Po ndih­mo­ja veprimtarët e Klubit Shqiptar në Dyseldorf të përgatisnin një mo­no­grafi. Zotëri Hashani ra dakord. Ndërkohë ai është shtetas i Gjerma­nisë. Deri në vitin 1978 ka qenë njëri nga 5 drejtorët kryesor të UDB-së së KSA të Kosovës, meqë struktura e sigurimit paskësh qenë e ndarë në pesë drejtori. Drejto­ria e 5-të ka mbuluar emigracionin. Nga ai post Qeveria e KSA të Koso­vës e dërgon atë në postin e Sekretarit të Parë të ambasadës së RSFJ-së në Bon (Gjermani P.). Atë funksion e kryen deri në maj 1981, kur arrestohet në aeroport të Beogradit, kur po kthe­hej për vizitë në Kosovë…

Para se të bënim intervistën vendosa të bënim një bashkëbisedim spon­tan, por duke e incizuar fshehurazi me diktafon digjital. U përcaktova kështu me shpresë se do të rrëfente gjëra më interesante se sa kur ta shihte magnetofonin në tavolinë. Pasi u lodhëm të dy ai kërkoi ta zhvi­llonim intervistën. Në atë çast nxora nga xhepi i këmishës dikta­fonin e vockël dhe i thashë se unë e kisha mbaruar intervistën. Ai nuk ma kërkoi ta fshija bashkëbisedimin. U gëzua duke më thënë se nuk qenka lodhur kot më shumë se dy orë rrëfime dhe me luti që ta publikoja, por pa shtrembërime.

Një prej pyetjeve të mia qe: “I frikësohesh ndokujt në Kosovë për shkak të torturave fizike, joligjore gjatë hetimeve?” Përgjigjja qe e menjëhershme:

“Askujt, dhe mund të paguaj thirrje publike përmes televizioneve që të paraqitet cilido nëse i kam dhënë qoftë edhe shuplakë gjatë karrierës sime, duke përjashtuar një rast. Në vitin 1975 se si me erdhi inat, pse zëvendësi im serb kishte zyrën më të madhe se unë. Urdhërova që t’i ndërronim. Pas disa ditëve troket dikush në derë. Thërras: Urdhëro! Kur hapet dera shoh Selatin Novosellën. U ngrita për ta mirëpritur, meqë ndieja keqardhje si ish-hetues i tij. Ai u step në prag të derës kur më pa mua. Menjëherë më shkoi mendja se donte ta takonte zëven­dësin. Atëherë i bërtita paksa që të hynte brenda. Ai zuri të belbëzojë ende pa u mbyllur dera: “Baca Adem Demaçi ka formuar organizatë ilegale”. U irritova. Iu afrova dhe ia përmblodha një flakaresh të rreptë duke i bër­ti­tur: “Mut muti, edhe vjen ta spiunosh, edhe i thua bacë! Pak po të duket se ka vuajtur!” E thirra zëvendësin. E pyeta nëse e njihte. Më tha se e kemi informator. E përzura atë. Selatinin e shava në mënyrë vulgare, e për­zura duke e kërcënuar se do ta pësojë keq po e pashë duke hyrë më në seli të UDB-së. Dhe, ja tani, gati sa nuk po me plas barku kur po dëgjoj për librat që po i shkruan ai për Adem Demaçin”.

Kur u ktheva në Prishtinë po e kërkoja Bacën Adem. Më rastisi ta ta­koja duke ecur bulevardit, para Teatrit. E pyeta për ta verifikuar atë që më kishte thënë Zotëri Hashani. “Valla mor bacalok, spiuni kryesor ka qenë, por mos e bën të madhe, se është duke la me të madhe mut me shurrë…”. Unë i tregova se kush më kishte rrëfyer.

Angazhimin e secilit spiun e informator, edhe të Selatinit, e kam vle­rësuar dhe e vlerësoj si veprimtari legale, përderisa ata u kanë shërbyer strukturave përkatëse të KSA të Kosovës. Pra, përderisa e quajmë le­gale autonominë e KSA dhe organet e saj, patjetër se edhe spiunët e informatorët e fshehtë kanë qenë pjesëtarë legjitim të atij sistemi. Por, bezdisëse është kur ndonjëri prej tyre na mashtron se ka qenë vep­rimtar i devotshëm çlirimtar dhe madje na krekoset, kurse ne heshtim edhe kur e dimë se cili ishte. Pra, kemi të bëjmë me segmente shoqe­rore me moral të dyzuar, në emër të pajtimit, tolerancës, ardhmërisë.

Kam qenë për përcaktimin e njerëzve, sidomos të bashkëveprimtarëve, vetëm mbi bazë të veprimtarisë së përditshme për t’u çliruar nga frika se cili është spiuni dhe informatori i mundshëm. Nëse vepronte keq dhe me rezultonte se nuk e kishte nga padituria ose naivitet, atëherë fi­lloja të dyshoja për bashkëpunëtor të shërbimeve inteligjente. Mbi këtë bazë edhe angazhimet e disa eksponentëve që pengonin bashkë­ve­primtarinë e bashkimet, që prodhonin klimë konflikti e dyshimi, i merrja si eksponentë potencialë të shërbimeve jugosllave dhe të KSA të Kosovës, që rëndom i emërtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse me akronimin famoz e famëkeq: UDB.

Qysh në vitet e 70-ta kam krijuar dyshimin se UDB-ja republikane e Serbisë i ka të organizuara strukturat ilegale, paralele, në Kosovë, me­që atyre të Kosovës nuk ua kishte besimin se ishin krejtësisht lojalë dhe besnikë ndaj Beogradit pushtues. Në këto struktura dyshoja, ta zë­më, për Fekë Dautajn (Kodrali e Deçanit / i angazhuar në Vjenë), me të cilin pata probleme në vitin 1978 ose 1979. Ai vetë e pranoi se ishte nën UDB-në republikane të Serbisë; Emin Fazlinë (ai edhe nën UDB-në federative); Vehbi Ibra­himin, Maliq Cakajn, Musa Hotin, etj. Për Enver Hadrin e kam shumë­fishë të vërtetuar tashmë se ishte spiun edhe jugo-sllav edhe i sigurimit shqiptar. Edhe për Hysen Terpezën me ka bindur Shefqet Hashani, ngaqë ai vetë e kishte riaktivizuar në vitet e 70-ta dhe ia kishte vënë nofkën “Bruklin”.

Çështja tani shtrohet se cilët ishin spiunët e informatorët, të pozici­onuar e infiltruar në radhët tona? Në bazë të veprimtarisë, atëherë, kam dyshuar se më kryesorët kanë qenë Riza Salihu, Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica (ky ishte oficer legal i UDB-së, por unë dyshoja se e ka simuluar dezertimin), Xhafer Shatri, Xhevat Ramabaja, Xhafer Durmishi, Nuhi Sylejmani, Hafiz Gagica, Fazli Mema dhe disa infor­matorë injorantë të dorës së dytë. Kur unë i shfaq dyshimet, ku nuk shkojnë as në 20 të dyshuar, alarmohen, ndoshta të nxitur prej këtyre, duke m’i zmadhuar dyshimet e mia: “Ti nuk le kë pa bërë UDBashë!”. Pra, bëhet fjalë për emigracion prej rreth një milionë shqiptarëve dhe iu duken shumë 20 të dyshuar! Në anën tjetër, ndërkaq, zhurmojmë me slogane: UDB-ja ka qenë e fuqishme, gjithandej e pranishme, etj.

Gjithsesi, ia vlen të guxojmë për të menduar dhe të bëjmë ndonjë ana­lizë më konkrete edhe për këtë tematikë. Edhe gatishmërinë e ish-oficerëve për të informu­ar nuk do të duhej as ta mbiçmojmë, as ta përçmojmë. Me qetësi do të duhej të vlerësohen dez/informatat e tyre, duke i (dis)kualifikuar siç e meritojnë, ose të paktën të mbesin si shë­nime për t’i analizuar pasardhësit, nëse duan apo u hynë në punë.


/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress


[1] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 229-232

[2] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 9

[3] Xh. Durmishi, VEPRA E JUSUF GËRVALLËS, f. 230

[4] Xh. Durmishi, SHOKËT DHE JUSUF GËRVALLA, f. 9

[5] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 109

[6] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 307

[7] Xh. Durmishi, LËVIZJA E JUSUF GËRVALLËS, f. 354