Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar lidhur me qëndrimet e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Deputeti Artan Abrashi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “Zajednica nuk kalon”.
Abrashi ka shtuar se nuk e di se çka presidenti serb Alesandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq i kanë premtuar Cholletit e Escobarit.
“Nuk e di çka Vuqiqi e Brnabici i kanë premtuar Cholletit dhe Escobarit, por: Zajednica nuk kalon”, ka shkruar ai.
Ndërkaq deputetja e VV-së, Tinka Kurti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe i dobëson komunat me shumicë serbe dhe e forcon Serbinë.
“Kryetari i ardhshëm i Asociacionit do ta marrë aminin te Vuçiqi dhe Porfirije në Beograd, do t’i dominojë kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe do ta luftojë ministrin Nenad Rashiq në Prishtinë”, ka thënë ajo.