Për më shumë se një orë ka zgjatur debati për ndalimin e lojërave të fatit, nga ana e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, transmeton MekuliPress.

Pas shumë kundërshtimeve me 60 vota për, abstenime kundër dhe asnjë kundër është miratuar projektligji për mbylljen e lojërave të fatit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se ky projektligj nuk është në përputhje me rezolutën e votuar në Kuvend, derisa rreth paqartësisë për vazhdimin ose jo të punës së Lotarisë së Kosovës, ai kërkoi nga qeveria të sjellë projektligjin e ri për lotarinë.

“Unë e kam analizuar ky projektligji nuk është në përputhje me rezolutën që është votuar në Kuvend, e cila kërkon që Qeveria të nisë procedurat ligjore për mbylljen e gjitha lojërave të fatit, dhe t’i sjellë projektligji për këtë çështje. Projektligji thotë që lejohet Lotaria e Kosovës. Për të thjeshtuar situatën, qeveria të sjellë projektligjin e Lotarisë së Kosovës si institucion publik”, tha Hoti.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, mbështeti projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit, por kërkoi të sqarohet roli i Lotarisë së Kosovës në të ardhmen.

Ajo propozoi një amendament për një nen të veçantë me të cilin i ndalohet Lotarisë së Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale me subjektet juridiko-private.

“Duke pasur parasysh se Lotaria e Kosovës është subjekt juridiko-publik, ne konsiderojmë që duhet të ekzistojë ky nen i veçantë që i ndalon Lotarisë të ketë marrëdhënie kontraktuale, apo kontrata të veçanta me subjekte juridiko-private”, u shpreh deputetja Nagavci.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, Safete Hardergjonaj, mbështeti projektligjin, derisa kërkoi kujdes te gjetja e modaliteteve për Lotarinë e Kosovës. Mirëpo, për dallim prej saj, deputeti Nait Hasani nga e njëjta parti kërkoi të mos krijohet monopol dhe të mbyllet Lotaria e Kosovës.

“Nëse dëshironi të ktheni sistemin socialist, mund ta ktheni, por vendosja e monopolit për rrethanat politike për demokracinë e sotshme është absurde. Kërkohet që të gjitha lotaritë të ndalet dhe veç Lotaria të funksionojë, tregon monopolin e shtetit mbi shoqëritë aksionare”, tha ai.

Edhe shefi i GP të Nisma-s, Bilall Sherifi, i dha mbështetje në praim projektligjit për mbylljen e lojërave të fatit për dhjetë vjet sikurse është kërkuar nga Qeveria e Kosovës, por shtoi se nëse do të pyetej ai, do të duhej të mbyllej edhe Lotaria e Kosovës.

“Mu me më pyet edhe lotarinë e kisha mbyll, sepse nuk ka ndonjë traditë këtu te ne për lotari”, tha deputeti Sherifi.

Edhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare, PSD, AAK e përkrahën në parim projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress