Në një deklaratë në televizionin publik serb, presidenti Aleksander Vucic u shpreh se njohja e Kosovës nga Kenia ishte rezultat i lobimit të fuqive perëndimore dhe Prishtinës. Sipas tij lobimi ka zgjatur 2 vjet e gjysmë ndërkohë që Serbia është përpjekur ta ndalë atë. 

Siç mund të merret me mend, Vucic ka arsye të justifikohet me forcën e perëndimit për njohjet e reja, por me këtë deklaratë ai i atribuon kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kredenciale të mira në kancelaritë perëndimore. Dhe ndodh kjo ndërkohë që thuajse e gjithë opozita në Kosovë ka vetëm një akuzë të besueshme ndaj Kurtit: ai është vetizoluar nga Perëndimi.

Dhe në fakt është disi paradoksale të flasësh për lobim perëndimor për njohjen e Kosovës nga Kenia, ndërkohë që masat shtrënguese të BE-së ndaj vendit mbeten në fuqi pa asnjë kuptim reale. Në Kosovë presidentja Osmani njohu edhe rolin e Behgjet Pacollit, një akt ky që meriton patjetër njohje dhe vëmendje, por ajo që përbën lajm këtu është fakti se një proces i njohjeve të reja lexohet në mënyrë direkte në Beograd si dështim i diplomacisë serbe.

Në anën tjetër ne po shohim se aktiviteti dhe agresiviteti i diplomacisë serbe në Kosovë ka rënë ndjeshëm krahasuar me dy vjet më parë, shenjë kjo e qartë se Beogradi zyrtar ka humbur levat e presionit dhe kontrollit efektiv në territor. Dhe qetësimi relativ i situatës konfirmon pavarësisht të gjitha kritikave se politika e ndjekur nga Prishtina me zgjedhjet lokale, reciprocitetin dhe operacionin e pastrimit pas sulmit terrorist serb në Banjska të Kosovës, ishin ato që duheshin.

Republika e KFOR-it as ndodhi dhe mesa duket as ka gjasa të ndodhë në një të ardhme të parashikueshme, sidomos në kontesktin e riarmatimit rajonal dhe kur është përherë e më e qartë se çdo skenar i ri ukrainas në Europë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë. Beogradi e humbi kohën e vet përfundimisht. Tani i mbetet vetëm lufta, të cilën e përcaktojnë rrethana dhe aktorë të tjerë.

By