Zbardhen detaje horror të vrasjes makabre të Jak Prengës në resortin ‘Golden’ në Durrës, në pronësi të grupit të Hajrajve të cilët janë autorë të krimit.

“Jaku Prengën e lidhin në karrige, e masakrojnë, e fusin në qese dhe nisen me lopata për ta groposur”, kjo është skena që shihet nga pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e resortit luksoz ku është kryer vrasja e 49 vjeçarit.

Jak Prenga është lidhur në garazhin e resortit. Aty është rrahur dhe masakruar nga autorët.

49 vjeçari është goditur me thikë në ‘Range Rover’ gjatë kohës që po transportohej për në resort dhe nga plagët e marra ka pësuar hemorragji. Nga plagët nuk u ka rezistuar shumë gjatë torturave në garazhin e resortit, atu ku edhe ka ndërruar jetë.

Pamjet filmike dëshmojnë se kur është futur në kompleks Prenga ka qenë i gjallë pasi ka ecur me këmbët e tij. Pasi është mbajtur për 6 orë brenda nën tortura, autorët e krimit e kanë nxjerrë të mbështjellë me qese, shkruan newsbomb.

Më pas viktima është futur në një furgon dhe së bashku me autorët të cilët shihen me lopata në duar janë nisur drejt vendit ku dhe është groposur, i cili thuhet se është në Shijak.

Pasi furgoni është larguar drejt vendit të groposjes, në resort ka qenë një grup tjetër që është kujdesur për të pastruar vendin e krimit.

Sipas hetimeve Astrit Prenga është shkaku i vrasjes së vëllait të tij, Jak Prenga. Vëllai i viktimes nuk kishte dorëzuar të gjithë sasinë e kokainës prej 243 kilogram në Angli, e cila ishte porosi nga Hajrajt dhe hakmarrja e këtyre të fundit ishte tejet e rëndë.

Policia ka kërkuar arrest me burg për autorët e krimit Bajram Hajri, Elton Hajri, Leonard Hajri (të tre vëllezër) Olsi Turja, Festim Bezhdili si dhe ka shpallur në kërkim disa të tjerë.

Trupi i viktimës Jak Prenga i cili u mor peng në Kamëz mesditën e 17 Janarit ende nuk është gjetur.