Gëzim Mekuli
Dhuna kulturore mbi shqiptarët

Dekadat e fundit shqiptarët po ballafaqohen edhe me dhunën kulturore. Kjo dhunë po  ndërmjetësohet nëpërmjet medies (televizionit, radios, gazetës, muzikës, artit,) përmes institucioneve arsimore, madje edhe nëpërmjet institucioneve të ndryshme kulturore, humanitare e atyre politike ndërkombëtare. Se ç’farë nënkuptohet me dhunën kulturore mund edhe të debatohet.

Por një gjë dihet, të nderuar lexues! Ka shumë lloje të “dhunës kulturore” dhe të diskriminimit, si: racizmi, etnocentrizmi, ksenofobia (urrejtja ndaj të huajve), ideologjitë që kontribuojnë në shtypjen e të dobëtit (sidomos popujve të vegjël), moskujdesi ndaj të sëmurëve, apo grupet e tjera të pafavorizuara në shoqëri siç janë partitë opozitare, kritikët ndaj pushtetit, kritika ndaj ambasadorëve dhe mospajtimi me mendimet e qeverive të shteteve të huaja. Shkurt e shqip: dhuna kulturore është e rrezikshme, është kancer, ajo “na bindë” dhe “na tregon” se, dhuna, diskriminimi dhe padrejtësia është diçka “normale dhe krejt e zakonshme”.

Ilaçi kundër patologjisë kulturore, cili është ai?

Intelektuali di ta sqarojë krizën politike dhe dhunën kulturore. Është intelektuali/intelektualja ajo që lëvizë popullin. Nuk është mendësia partiake. E për të lëvizur popullin kërkohet guxim. Për këtë veprim kërkohet pavarësi morale. Për këtë mision duhet vetëmohim. Është intelektuali ai që shkrihet për idealin, atdheun, shkencën dhe të mirën njerëzore dhe, ai/ajo nuk shkëputet nga ky ideal deri në frymën e fundit. Intelektuali nuk di të heshtë para padrejtësisë. Intelektualit nuk i mbyllet goja para gënjeshtrës dhe dhunës.

Sa intelektualë njeh ti?

Mua nuk më kujtohen shumë. Janë tre apo katër që unë personalisht i lexoj, i vlerësoj, i dëgjoj e i vizitoj. Sepse nuk është intelektual ai që “shet” dijen dhe aftësinë e tij për hatër të partisë, për pushtetin e për interesat ekonomike e politike të qeverive të shteteve të huaja. Nuk bënë tregëti intelektuali me dijen, me historinë dhe mendimin universitar për të fituar karrierë e status në shoqëri, sepse kjo do të ishte antipodi i intelektualit.

Sa pak intelektual ka publikja jonë. Sa shumë mungon guximi për t’u shprehur. Po “tuten” ta thonë atë që e mendojnë. Intelektuali/intelektualja nuk duhet të fshihet “prapa perdeve” të partisë e të pushtetit. Intelektualit nuk i kanë hije maskat partiake. Ai është i publikes.

Turrja e aktivistit partiak dhe i analistëve për të qenë i pari, dhe më i zëshmi, në lartësimin dhe vlerësimin e pushtetit/sundimtarëve është e pritshme dhe e zakonshme për këta “intelektual”. Është kjo “kopeja” e mirë-organizuar nga pushteti dhe nga mendimi dominues. Këta jan stativë mikrofoni i pushtetit.

Heshtja e intelektualit është e papritshme, është e dhimbshme. Edhe më keq, nënshtrimi i intelektualit para “mainstrimit” të opinioneve të pushtetit, është vetëposhtërues dhe, gjithsesi, zhgënjyes.

Shumë “analistë e opinionistë”, të vetëquajtur “të pavarur”, u vardisen kryetarëve të partive politike për të fituar ndonjë “asht për ta lëpirë”. Por, intelektuali nuk duhet t’i vardiset e as t’i nënshtrohet mesjetës. Intelektuali nuk duhet të ecë si “viçi pas lopës”.

Xhordano Bruno u dogj në furrën e druve për dijen, për të vërtetën dhe për syhapjen e njerëzimit. Ukshin Hotin, Qerqiz Topullin, Mihail Gramenon, At Shtefan Gjeqovin, Fehmi Aganin, i kemi harruar? E kemi harruar këtë sakrificë e këtë epokë, të dashur lexues?

Intelektuali nuk duhet të jetë kundër vetvetes e kundër kombit. Intelektuali nuk tradhton të vërtetën dhe lirinë universale. Sa e trishtueshme kjo, sa pak “rojtarë” që kemi për mbrojtjen e së vërtetës.

Ashtu sikur se lajmi duhet ndarë nga komenti, ashtu duhet ndarë intelektuali nga analisti. Intelektuali duhet të veçohet nga ata që “shesin ide e mend” tek populli në emër të pushtetit. Ky mund të rrëfej edhe përralla, por assesi jo intelektuali.

Detyra e intelektualit është që, guximshëm, të ndërhyjë atëherë e aty kur ai e nënkupton se hapësira publike është e helmuar, kur mendimi dominues është kërcënues për kombin. Ky ka për detyrë të ndërhyjë në jetën politike, mediatike, kulturore, e ushtarake. Ky duhet të jetë në “gjendje gatishmërie” për të udhëzuar, këshilluar dhe drejtuar popullin tek racionalja. Intelektuali është në gjendjen e jashtëzakonshme, e analisti gjithmonë në “fotelen e butë të zakonshme”.

Të nderuar lexues,

Intelektuali është publik, nuk ka privatësi. Ai është i yti, i imi, i asaj, i atij… ai është çdo kund e gjithkah, ai është i të gjithëve e për të gjithë; e më së paku për vete.

Ai e ka për detyrë, ai “s’ka çare” të solidarizohet me grupet e pafuqishme që kanë nevojë për mendimin e tij, për zërin e tij, për përfaqësimin e tij. Intelektuali është i pluhurizuar në qenien dhe në ekzistencën e masave; është e kundërta e opinionistëve dhe analistëve.

/Shkrim nga viti 2014/