E keni provuar ndonjëherë ndjesinë që dhuron një përqafim i sinqertë? Po një puthje? Po një kompliment i thënë sinqerisht? Këto dhe shumë gjeste të tilla të vogla, pa kosto, të bëra me dashuri, janë ato që i japin kuptim jetës sonë.

Të gjithë ne kemi marrë dhe marrim dhurata të ndryshme, me vlera po aq të ndryshme monetare. Por ato vijnë disi të ftohta kur nuk shoqërohen me përqafime, apo puthje. Duhet t’ju ketë ndodhur edhe juve një gjë e tillë.

I keni bërë dhuratë dikujt për ditëlindje dhe ai ose ajo ju ka bërë më vonë një dhuratë edhe juve, pak a shumë rreth së njëjtës vlere. Kjo gjë duket kaq e thatë, kaq e ftohtë, saqë nuk të fal asnjë ndjesi. Është njësoj si të thuash “Po të dhuroj këtë gjë, sepse ti për ditëlindje më dhurove atë gjë”. Një shkëmbim dhuratash me pak fjalë.

Nga ana tjetër, një dhuratë sado e vogël (shembulli tipik është një stilolaps), nëse shoqërohet me një pusullë me mesazh të bukur urimi, nëse shoqërohet me përqafime të ngrohta e të sinqerta, merr vlerën e çdo gjëje të shtrenjtë të botës.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Vërtet thuhet se edhe mbreti i pranon dhuratat, por askush nuk ka nevojë për dhurata të mëdha e të shtrenjta të shoqëruara me mungesë dashurie. Askush nuk ka nevojë për të parë të fshehur pas një dhurate të shtrenjtë interesin e dikujt për të arritur diçka.

Por gjithkush ka nevojë për dashuri; gjithkush ka nevojë për ndjenja; gjithkush ka nevojë për gjeste të ndryshme të vogla, por që t’i falin emocione të mëdha. Ndaj, jo vetëm në këtë periudhë festash, por në çdo periudhë tjetër të vitit, dhuro dashuri, fal emocione, bëji të tjerët të lumtur.

Nuk ka gjë më të bukur se të shohësh një fytyrë të qeshur përballë vetes, e cila tregon për një person që ka harruar çdo problem që është duke kaluar, dhe në atë moment mendon vetëm të qeshë…
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress