Diaspora e Kosovës vazhdon të jetë njëra ndër shtyllat kryesore për ekonominë e Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se remitancat e pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 1.22 miliardë euro, me rritje vjetore prej 6.0 përqind, që përfaqëson 13.7 përqind të BPV-së.

“Rritja e ngadalësuar e remitancave gjatë vitit 2022 mund t’i atribuohet deri në një masë, përkeqësimit potencial të pozicionit financiar të diasporës kosovare, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës me rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, rritjes së normave të interesit e për pasojë shtrenjtimit të borxhit, dhe dobësimit të kërkesës së përgjithshme në eurozonë”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar”, të BQK-së.

Sipas këtij raporti, duke qenë se shumica e remitancave vijnë nga vendet e eurozonës, e që janë mbi 60.2 përqind, pasiguritë rreth dinamikave makroekonomike në vitin ë rrisin pasiguritë për këto të hyra të rëndësishme për ekonominë e vendit (13.7 përqind e BPV-së), duke vështirësuar tutje pozicionin e ekonomive familjare në vend, me efekte potenciale indirekte në dinamikat e rrezikut kreditor.

“Për vitin 2023, presionet inflacioniste si dhe pasiguritë rreth aktivitetit ekonomik pritet të kenë ndikim në rënien potenciale të kërkesës për kredi dhe shkallën e përgjithshme të ndërmjetësimit financiar”, thuhet në raport.