Atdheu është toka e Dashurisë për njëri-tjetrin, vlera humane e çdo shpirti të lirë e demokratik.
Diaspora Shqiptare sot më shumë se kurrë duhet e bashkuar!
Koha thërret me zërin e saj.
Dëgjojeni bijtë e shqipes. Dëgjoni zërin e së ardhmes. Dëgjoni zërin për bashkim.
Ti japim vendin e merituar emrit tonë. Emrit që na ndjek kudo nëpër botë. Kudo lindën e u rritën bijtë e shqipes.
Ashtu si ndërtuam jetët tona individuale larg Atdheut duke treguar vlera, aftësi, forcë për t’u ngritur në çaste dështimi, ashtu le të vemë themelet e bashkëpunimit me njëri- tjetrin, sepse një zë i fuqishëm po thërret.
Kjo është koha, ky është momenti!
Nuk mjafton krijimi e funksionimi i shoqatave kulturore- atdhedashëse duke mbetur në kuadër të aktiviteteve në raste festash kombëtare,të cilat janë kthyer në burime fitimprurëse, duke majmur individë një pjesë e mirë e së cilës i përdorin për shoun publik të rradhës.
Mjaft duke i thënë vetes se, kudo funksionon krimi ordiner e thellë në ndërgjegje bëjmë paqe me këtë fenomen, duke u larguar nga e vërteta, sepse ndihemi të dobët e të pafuqishëm.
Mjaft besuam se tre shqiptarë se bëjnë dot bashkë. Ambicja e egoicmi po mbysin virtytet më të bukura humane. Ka me qindra e mijëra intelektualë në diasporë, Shqipëri e Kosovë, në Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Maqedoni që dëshmojnë vlera, duke dëshiruar e vlerësuar punën e tjetrit.
E them me bindje këtë sepse këtu, fillon kultura e një bashkëpunimi. Kulturë të cilën duhet ta vemë në shërbim të kohës, në shërbim të së ardhmes.
Si Nënë nuk mund ta pranoj që bijve të mi t’ju le këtë të arrdhme që më tremb në duart e krimit e të fasadës
Të hesht e t’ju them se unë nuk munda të bëj asgjë për këtë, nuk munda të bëj asgjë tjetër për të ardhmen tuaj.
Sepse fatkeqsisht kjo është e vërteta, ky është realiteti.
Por dua që ata të shohin e të kenë modelin e njeriut, gruas, nënës që gjithmonë gjeti mbështetje në krahët dhe forcën e saj, në besimim se, e mira triumfon mbi të keqen .
E ardhmja ju përket. Në emër të këtij morali jemi përgjegjës të gjithë bashkë për këtë .
Prandaj, me besimin në ekzistencën e një force të madhe intelektuale e cila ndjen domosdoshmërinë e vlerave humane njerëzore, dëshiroj të bëhen bashkë të gjithë shqiptarët e diasporës kudo janë ane kënd, që rruga e tyre nesër të jetë më e mire e më e sigurtë. .
Dhe ndryshimi është rilindja me frymën pozitive të bashkimit që mëkon vlera, aftësi, dinjitet kombëtar.
Për të treguar se Atdheu është toka e Dashurisë për njëri-tjetrin, vlera humane e çdo shpirti të lirë e demokratik.
Amarda Ekmekçiu
18.11.2021
Londër