Në Kosovë është përkujtuar sot 18 vjetori i ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, kryetari i parë i Republikës, krijuar në kushtet e një izolimi tërësor, por me mjetete ekskluzive të paqes. Të asaj Republike që u tall jo rrallë, të cilës iu matën metrat katrorë, që u përqesh, por që nuk u mohua dot.
Ka patur shumë mesazhe me këtë rast, mes të cilëve do të veçonim atë të studiuesit Sabri Hamiti që e cilëson Rugovën, “dijetar të letërsisë dhe president historik të Kosovës”. Apo të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Honnevier, që e cilëson kreun e parë të republikës kosovare, si “frymëzim për mbarë botën”.
Në kohën që jetojmë, emri dhe figura e Rugovën merr një tjetër peshë dhe vlerë, paqja të cilën mesa duket ai e besoi se ishte e vetmja rrugë për Kosovën dhe shqiptarët, kumbon sot më fort se kurrë, si busulla e një Ballkani që vijion të popullohet nga lloj – lloj populistësh dhe delirantësh të padin, mesazhet dhe veprimet e të cilëve nuk i përgjigjen asnjë kodi.
Sepse Rugovën e dallon nga klasa e politikës ballkanike pikërisht një kod i veçantë etik dhe politik që mishërohet te Paqja dhe pacifizmi, por vjen e zbulohet më mirë te besimet e një intelektuali të cilin fati dhe ajo ndjesia e veçantë e disa njerëzve që dominohen nga një intuitë dhe parandjenjë pozitive, që nuk kanë kurrë ëndrra të këqija, e imunizoi nga sëmundjet terminale të rajonit tonë. Por edhe nga sëmundja e rëndë, tragjike e jugosllavizmit.
Pas kaq kohësh askush nuk mundet ta cilësojë Ibrahim Rugovën si një nacionalist, as të dobët, por si një politikan dhe vizionar që diti të drejtojë popullin e vet. Është një ndër rastet e rralla kur Fjala është Veprimi, kur Fjala tubon dhe bashkon një shoqëri të tërë që duhet ta pranojmë u shfaq si i vetmi entitet i emancipuar politikisht në një Jugosllavi që iu dorëzua armëve dhe gjakut.
E mishëronte Ibrahim Rugova këtë edhe me emrin kaq kumbues që i rëndon tokës së Kosovës dhe shqiptarisë së inteligjencës, me pamjen e vet, sjelljen modeste, të përulur dhe dinjitoze, gati budiste, që hyri në skenën e historisë me një ndjenjë detyre dhe doli prej saj vetëm me një spektakël të kujtueshëm: imazhin e tij, lidhur ngushtë me veprën e Fjalës si Strategji. Fundja, sot pas 18 vjetësh, askush nuk mund të imagjinojë më se në krye të politikë do dalë një Dijetar i Letërsisë dhe ky patjetër që regres moral dhe shoqëror.
s.zaimi