Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për herë të parë publikisht se po studiohet ideja e lejimit të kanabisit medicinal në Shqipëri.

Duke folur në emisionin “Zonë e Lirë”, kryeministri tha: “Atë hashashin me leje po e studiojmë, shtete të tjera e kanë bërë. Jemi shumë të avancuar, por akoma nuk jemi në kapitullin e fundit”, pa dhënë të tjera detaje.

Kujtojmë që lejimi i kanabisit medicinal në Shqipëri ka qenë një ide dhe projekt i kahershëm i kreut të partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima, i mbrojtur publikisht.

Koço Kokëdhima ka deklaruar vazhdimisht se qeveria e kishte refuzuar planin e tij për kanabis medicinal, që mund të zbatohej duke ndjekur modelin e vendeve më të zhvilluara perëndimore.

Në vend të aplikimit të kësaj ideje qeveria Rama e përhapi kanabisin në të gjithë vendin, duke ngritur një industri ku përfshiheshin eksponentë të lartë të policisë. Krejt ndryshe ishte plani i Koço Kokëdhimës që kishte për qëllim ndërtimin e Ekonomisë Kombëtare të Kanabisit në Shqipëri, për qëllime farmaceutike dhe industriale.

Kreu i partisë “Zgjidhja” sugjeronte vazhdimisht që të zgjidhej një model dhe të ngrihej një industri për të investuar prodhimin e medikamenteve.

Një nismë e tillë rezultoi e suksesshme edhe te fqinjët tanë të Maqedonisë së Veriut. Sa shumë kohë e çuar dëm që Edi Rama të kuptonte potencialin e kësaj nisme, që mund ta ngrinte në këmbë ekonominë e rrënuar të vendit./Shekulli/