Presidenti francez, Emmanuel Macron, e sheh të domosdoshëm konsolidimin e strategjive diplomatike, në një botë që po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar.

Në një  takim me ambasadorët francezë në Paris, Macron u tha atyre se ndërsa rendi botëror po ndryshon, mbajtja e të njëjtës qasje rrezikon ta dobësojë Perëndimin dhe Evropën në mënyrë të veçantë.

Rendi ynë ndërkombëtar po sfidohet”, tha Macron. “Lufta është kthyer në tokën evropiane, ndjenjat antifranceze janë të përhapura, të nxitura nga antikolonializmi ose një anti-kolonializëm që po perceptohet si standard i dyfishtë,” tha ai.

“Ne duhet të jemi të qartë, pa qenë tepër pesimistë,” tha ai, duke përmendur rritjen e “formave të reja të proteksionizmit” dhe hapat mbrapa në demokraci për shkak të rritjes së fuqive joliberale.

Macron kërkoi që përpjekjet diplomatike të fokusohen në politikat e sigurisë dhe në forcimin e pavarësisë së Europës dhe interesave strategjike.

Lidhur me luftën në lindje të kontinentit, Macron tha se duhet shmangur narrativa sipas të cilës “kjo është luftë e Europës, nuk është problemi ynë”.

Presidenti francez kërkoi lirimin e katër shtetasve francezë, të cilët mbahen në Iran, “në kushte të papranueshme”.

Asgjë nuk e justifikon burgosjen e tyre”, tha Macron lidhur me katër francezët e burgosur në shtator të vitit të kaluar, në kuadër të asaj që Franca dhe aleatët e kanë cilësuar prej kohësh si “diplomacia iraniane e pengjeve”.