Disa njerëz po e akuzojnë për “populizëm” Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri (LVV Shqipëri), m.q.s ka thirrur më 28 Nëntor një “Marshim për bashkim – bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar”.
Në këtë rast, pretendimi është se ato që kërkon LVV Shqipëri nuk mund të arrihen në stadin në të cilin ndodhet Shqipëria, marrë parasysh problemet e mëdha që ka. Lind pyetja nëse këta njerëz e kanë lexuar komunikatën e LVV Shqipëri?
Ne thërrasim për bashkim kauzash, për demokraci, drejtësi e zhvillim, kundër PPP-ve, për arsim publik falas në të gjitha nivelet, kundër modelit neoliberal në Shqipëri, për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe mbrotjen e mjedisit nga shfrytëzimi i egër… Thërrasim për bashkim kauzash të cilat janë të pandashme nga çështja kombëtare dhe kërkojmë hapa konkretë drejt intergrimit kombëtar. E dimë që bashkimi nuk do të ndodh brenda natës, siç e dimë që bashkimi i kauzave dhe hapat drejt integrimit kombëtar janë vektorë që çojnë në të njëjtin drejtim. Kjo nuk është populizëm, por eshte kritikë, analizë dhe strategji e drejtë që pushtetit dhe forcat politike në Shqipëri nuk e kanë ndjekur. Sulmi mbase po ndodh nga që kjo qasje ka nisur të popullarizohet më shumë nga ç’kanë dëshirë ata që nuk e duan forcimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ne Shqipëri. Në vijim pjesë nga komunikata e publikuar në thirrjen për “Marshim për bashkim”:
“Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. Demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten. Goditjet ndaj së përbashkëtës, rrënimi i publikes kudo ku ajo shfaqet, po ia cenon Shqipërisë sovranitetin e brendshëm përditë e më shumë. Sovraniteti, zhvillimi dhe drejtësia në Shqipëri janë të pandashme nga çështja kombëtare. Kush rrënon sovranitetin e Shqipërisë, kush rrit pabarazinë shoqërore, kush përfiton prej mjerimit e varfërimit të shumicës, kush thellon padrejtësinë duke dobësuar shtetin e demokracinë, është drejtpërdrejt kundërshtar i çështjes kombëtare shqiptare.
Çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja. Ajo është drejtësi e mohuar aktuale dhe historike, sa ç’është edhe projekt për të ardhmen e afërt. Është çështje e trashëgimisë kulturore, sa ç’është dhe e prodhimit dhe punësimit. Është çështje për të drejtat e grave e barazinë njerëzore, sa ç’është edhe luftë kundër varfërisë, diskriminimit dhe pabarazive ekstreme. Ajo është çështje e demokracisë dhe organizimit qytetar që vjen nga populli, kundër oligarkisë e mafias që na sundon nga lart. Është nevojë për mirëmenaxhim të burimeve dhe pasurive kombëtare natyrore, ashtu siç është edhe domosdoshmëri për zbatimin e një strategjie për mbrojten e mjedisit. Çështja kombëtare na lidh me njohjen, përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, siç na lidh edhe me të drejtën për arsim pubik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Problemet tona burojnë nga të njëjtat shkaqe, prandaj vetëm përpjekja jonë e përbashkët u jep atyre zgjidhje. Bashkimi i kauzave brenda projektit kombëtar sjell mobilizimin e përbashkët qytetar për drejtësi e zhvillim.
Tre dekadat e pluralizmit në Shqipëri janë karakterizuar shpesh nga papjekuria dhe makutëria politike sa i përket çështjes kombëtare, demokracisë dhe rolit të shtetit në raport me shoqërinë e me zhvillimin ekonomik. Pushteti politik shpesh e ka dorëzuar dhe privatizuar publiken, duke rrudhur sovranitetin, e nganjëherë është bërë njësh me klane e oligarkë që kanë monopolizuar e kartelizuar ekonominë kombëtare. Problemet dhe padrejtësitë e mëdha socio-ekonomike na shfaqen në mënyra nga më brutalet në secilën sferë. Prej tyre preken shtresa të ndryshme shoqërore. Ata që vuajnë më shumë nga këto padrejtësi janë gratë, fëmijët, të moshuarit, të rinjtë, njerëzit që jetojnë në periferi, në fshatra e në provinca, si dhe minoritetet. Privatizimet dhe forma e tyre e modës së fundit, PPP-të, pasi shkatërruan dhe mbyllën shumë industri e sektorë ekonomikë, tashmë po rrënojnë arsimin dhe shëndetësinë, po pengojnë kalimin në akset e rëndësishme rrugore, dhe po prishin lumenjtë e bregdetin, po ndotin ajrin dhe ujin e pijshëm. Pabarazia e skajshme e krijuar në Shqipëri është shoqëruar me papunësi e me rroga të ulta, duke u mohuar të drejtat bazë punëtorëve, që prej punës pa kushte e siguri mbeten shpesh me probleme të rënda shëndetësore, e jo rrallë humbin dhe jetën e tyre. Tregtia dhe importet kanë fituar përparësi përballë prodhimit vendas, që mbetet i pambrojtur. Fermerët e bujqit janë lënë në mëshirë të fatit, prodhimet e tyre shpesh përfundojnë në kalbje, përballë një konkurrence të pandershme nga mallra të importuara, që subvencionohen haptazi ose fshehurazi në vendet e origjinës.”