Kjo është një nga pozitë e Naim Frashërit për ngjarjen e Qerbelasë, dhe për kryedëshmorin e saj, Imam Hysenin, për të cilin poeti ynë ka ushqyer një dashuri e mall të veçantë, sepse si shumë të tjerë, e ka parë si simbol i dritës e drejtësisë që refuzon të gjunjëzohet ndaj tiranisë .

Tragjedia e Qerbelase, përveç rëndësisë në botën myslimane, e sidomos në rrethet e sufijve, ka pasur jehonë e ka prekur zemra e mendje të ndritura anekënd botës.

Charles Dickes, Thomas Carlyle, Edward Gibbon, etj janë shprehur me nderim e respekt për veprimin e Imam Hysenit… Është me vlerë të citojme shkurt një thënie të themeluesit të Indisë , Mahatma Gandhi-t qe thotë: “Unë e mësova nga Hyseni se si i shtypuri mund të dalë ngadhnjimtar kundër shtypësit.”

DIT’E ZEZË

U gdhi një ditë, një dit’e zezë,
Engjëllit’ gjithë me lot po qanin,
Përpara Zotit shihnin një rezë,
Rrinin tmeruar edhe zi mbanin.

Dheu qe mbuluar ane një errësirë,
E tërë bota ish egërsuar,
Dielli e hëna ishin nxirë,
Qielli ishte i trubulluar.

Ish bërë sterrë tej-për-tej jeta,
E ishte një tmer, tmer i mërzitur,
Se kishte humbur gjith’e vërteta,
Se gjithë bota isht’e mahnitur!

Paudhësija dhe ligësija
Ishte bërë mbret mbi det të shkretë!
Dhe të këqijat e padija
Kishin zënë vënt për të vërtetë!

Ish një mynxyrë mbi njerëzinë!
Sepse gënjeshtra po prist’e qepte,
E kish verbuar fare njerinë,
Edh’ e vërteta po mirt’e jepte.

Dritëz’e bukur e Perëndisë
Nd’anët e rripës kishte qëndruar,
Dhe errësira e ligësisë
Nga të gjith’anët e kish rrethuar.

Lufton gënjeshtra me të vërtetën,
Dhe errësira dritën luftonte,
Që t’erresonte së gjithash jetën,
Dhe djallëzija të mbretëronte.

Po derdhej gjaku, gjak i bekuar,
Qjelli kish hedhur cipën e zisë.
Përpara syve të Perëndisë,
Ëngjëjtë qanin duk’e tmeruar.

Yj edhe qiej! qysh s’u-rrëzuatë?
E si s’u bëtë cop’e thërime?
Diell e Hënë për se qëndruatë?
E nuk’u bëtë si zëmra ime?

Zot i jetës, shumë durove,
Shumë durove, o zëmër-gjërë,
Po na të gjorët na përvëlove,
Na perzëllite zemrën e mjerë!

Njeri i ndyrë, komb’i mërzitur!
Imam Hysenit i heth shëgjetë?
Nukë di se ç’bën, je i mahnitur?
E kë godit kshu? Zotn’e vërtetë?