Ramazan Bekteshi

Nanë, në këtë dimër të acartë po vijnë votat më të nxehta për ty, nga vendi e nga katër anët e botës, nga kurbeti. Dita për momentin e madh po afrohet. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme pas lufte e pas pavarësie, janë zgjedhjet ku do të vendoset fati i tokës dhe ujit tënd nanë, janë zgjedhjet për urën e mbyllur të Ibrit, janë zgjedhjet për sovranitetin e veriut të vendit dhe për Asociacionin e kobshëm, që na e solli opozita pa ia kërkuar BE-ja e SHBA-ja.

Kosovë, në këto ditë të acarta të fushatës së nxehtë për votime, do të vijmë me të fal me shëndet, me u çmall e me votua, e me të pyetë, a ke të ftohtë nga furtuna, nanë, apo zagushi nga sikleti. Do të vijmë oj hallemadhja jonë, me të pyet, kush ta ka vënë zullumin më shumë, hasmi, që kurrë s’je nënshtruar, apo ‘kopukët’ e vendit që i rrite në skamje të thellë, por që ta rrjepën lëkurën deri në asht, e një pjesë të shtatit tënd ua falën kojshinjëve.

Loke, jashtë acari e ka shtrënguar, por ti me shikimin e ngrohtë dhe me prushin e zjarrit tënd që na e drejton në qiell, drejtë te dritaret e aeroplanit na ngazëllen derisa po vijmë me u çmall.

Nanë, më 9 shkurt, të gjitha rrugët e botës shqiptare shpien në Prishtinë e në çdo cep të Dardanisë.

Nanë, ti përjetove vrasjet e shekullit, vjedhjet e shekullit, tradhtitë e shekullit, të gjitha ato kronika tragjedish u shkarkuan mbi trupin tënd. Nënëlokja jonë, ti meriton të udhëhiqesh nga bijtë e bijat tua më të mirë. Andaj, le të fitojnë më të mirët, por që në shpirt e mendje e kanë sovranitetin e vendit pa hile e interes, por jo për hatër të ‘miqve’ të vihet në pyetje sovraniteti, dhe kapitullimi i ‘tokës së askujt’ të ‘kumbarit’ të Vuçiqit!

Nanë, dua që të pyes edhe njëherë, a ke ‘acar  nga kjo shakullinë’, apo siklet nga pafytyrësia dhe zbrazësia e disa ‘evlatëve’ tu, që i rrite në skamje, por që tani, disa po tentojnë të të kafshojnë brutalisht; disa nga TV studiot në emër të fjalës së lirë, disa nga portalet, parlamenti, dhe një satrap, përbindësh, nga Tirana.

Këto lehje lemerisëse janë kundër shtrirjes së sovranitetit në veri që po ndodh, dhe kërkohet pa fije turpi që t’i falet Serbisë diçka, derisa, aktet sublime e heroike të policisë sonë të guximshme e profesioniste i krahasojnë me aktet vrastare të Serbisë, e liderin që shtriu sovranitetin në veri e quajnë fashist, e krahasojnë me Hitlerin e Millosheviqin, një kualifikim që s’e ka bërë as Beogradi zyrtar.

Loke, le të shpresojmë se politikanë tanë s’do të turren sërish te zyrat e ndërkombëtarëve që t’i çojnë deri në fund pazaret që u mbetën peng!

Le të besojmë, se përfundimisht ka ardhur koha që Kosova të ngritët, jo me flamurin e ndarjes, por me flamurin e triumfit, bashkimit dhe dashurisë vëllazërore. Të bashkuar rreth sovranitetit, le t’i vij fundi agonisë, dhimbjeve, qyqarllëkut, dhe dimrit të gjatë me netët edhe më të gjata. Le të shpallen këto zgjedhje si më demokratiket në rajon, dhe për këtë të gjithë mbajmë përgjegjësi!

Nanë, ky shkrim vjen si një prelud i mërgimtarëve tu, që vimë e ikim fluturimthi, në kohë të mira e të vështira “midis reve tua të rënda dhe gjëmimeve tua.” Do të vimë të çmallemi, të votojmë, e të të lëmë në brez ndonjë metelik për ndonjë hall nanë, dhe pastaj me fytyra të zymta sërish drejtë qiellit si ‘Kashta e Kumtrit’ në katër kontinente do të shpërndahemi, duke ta kthyer shpinën në mes pellgjeve dhe vrimave të reve, me shpresë se do të lëmë shëndosh-e-mirë e në duar të sigurta!

By