Qendra ‘Këshillimi’, u themelua nga një nënë e cila humbi djalin e saj para një viti e gjysmë nga përdorimi i substancave narkotike. Arjeta Musliu me profesion psikologe, vendosi që dhimbjen e saj ta kthejë në forcë dhe ta përmbush amanetin që i dha djalit të saj, se do ta themelojë një qendër këshilluese, që t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre të rinjve që përballen me problemet e njëjtat me të cilat u përball edhe djali i saj, e që për fat të keq nuk arriti ta mposhtë luftën me drogën.
Pas sukseseve që po tregon qendra “Këshillimi” Musliu thotë se nuk ka pasur dyshime që një qendër e tillë nuk është e nevojshme, sepse në kohen kur djali i saj ka qen përdorues i lëndëve narkotike, i ka munguar një qendër e tillë.
Sipas Musliut, qendra ‘Këshillimi’, tashmë e pesë muaj po kryen këtë punë në mënyrë vullnetare dhe pavarësisht vullnetit, po has në shumë vështirësi, duke filluar nga lokali që kanë me qere, pastaj punëtorët e shumë gjëra të tjera të cilat kërkojnë përkrahje që po mungon.
Musliu tha se ka kërkesa të shumta nga prindërit, sa i kanë fëmijët akoma të vegjël, t’i dërgojnë në qendrën “Këshillimi”, në mënyrë që ata të informohen me pasojat e kësaj dukurie por pavarësisht vullnetit të saj, kjo punë kërkon financim, ambiente më të zgjeruara për ligjërata, staf më të gjërë e shumë gjëra të tjera që janë të nevojshme.
Përveç këshillave në qendër, Musliu mban edhe ligjërata në shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Ferizajt. Ajo tha se gjatë ligjëratave ishte befasuar në aspektin pozitiv, ku kishte parë një interesim të madh nga nxënësit për të dëgjuar dhe për të mësuar gjëra rreth kësaj dukurie.
Sipas Musliut, thelbi i një rezultati për t’u largu fëmija nga konsumi i lëndëve narkotike është përkrahja familjare, komunikimi, pranimi në shoqëri dhe në asnjë mënyrë, kritikimi, ndëshkimi apo dëbimi nga shtëpia.
Ajo ka rekomanduar të afërmit e personave që konsumojnë drogë, që atyre t’i japin përkrahje e dashuri pa fund sepse përdoruesit e lëndëve narkotike gjithmonë janë të penduar dhe të hysh në luftë me drogën nuk është aspak e lehtë.
Ndryshe, Qendra Këshilluese “Këshillimi”, gjendet në Ferizaj dhe është qendër e cila iu del në ndihmë të gjithë të rinjve për t’u larguar nga lëndët narkotike./KosovaPress/