“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”

Këtë frazë e kishte hedhur në qarkullim sot Agron Gjekmarkaj në një status a shkrim që botohej nga mediat e majta, në të cilin zotëria mbronte Yuri Kim nga sulmet e gjithfarëshme.

Zoti Gjekmarkaj, një ndër politikanët më demode të skenës sonë, i pranishëm si polemizues në premisë katoliku, por që të krijon përherë dyshimin se kostumi i qytetarëisë të cilën kaq shumë e ka për zemër, i rri pak si keq, shprehej se sulmet ndaj Kim shenjojnë një anë të errët të PD-së, që po nëpërkëmb tashmë edhe parimet bazë të kodeve shqiptare.

E me të lexuar këtë lloj dhaskalicë elementare, në Gjirokastër u shfaq Miku i radhës në një hotel ku po luante në vetë të parë pronarin dhe Zotin, meqenëse mirëqenia e mbarë vendit është meritë e tij. Kryeministri që zyri konakun e po i vardisej vetes gjithë serbes. Përherë nën parimin se shtëpia e kujtdo është e imja, nëse aty unë shkoj mik.

Në politikë ka interesa dhe jo miq. Këtë këshillë e kanë dhënë të tjerë dhe meqenëse përpiqemi të bëjmë pjesë në botën e qytetëruar është e udhës që ta lexojmë marrëdhënien me të tretë për atë që është.

Nëse ky Gjekmarkaj me të tjerë po mendojnë ta ndajnë shoqërinë mbi kriter pro apo filoamerikanizmi dhe antiamerikanizmi, kjo është punë e tyre. Por Yuri Kim nuk do parë dhe as nuk është një mik në Shqipëri. Ajo nuk po sulmohet prej kujt për rracën, për Amerikën, parimet e shtetit të saj, për flamurin, apo luftërat që vendi i saj ka zhvilluar.

Ajo po sulmohet për politikën që ndjek këtu për Shqipërinë dhe këtu nuk hyn fare në ekuacion miqësia dhe miku. Po zhvillohet një betejë politike ku zonja ka hyrë vetë. Ndaj nuk kuptohet kjo çetë mediatike që bërtet për Amerikën, përkundrejt një shoqërie të ndarë dhe nën thundrën e një qeverie të hiperkorruptuar, e cila po ashtu është më proamerikania.

Parimet e Kodit Zakonor që shtihen në punë, nuk prekin asnjë tel. Ato janë mjerimi intelektual i njerëzve që në vend se ta argumentojnë një politikë, zgjedhin rolin e militantit dhe mbrojnë dikë që nuk ka nevojë të mbrohet. Ndoshta edhe për t’u afirmuar në anën e duhur të historisë.

Parimi i mikut dhe Zotit është krejtësisht i pavend dhe nuk ilustron gjë në kohën tonë, meqenëse pyetja që shtrohet është: shtëpinë e morëm vesh se e kujt është, po Shqipëria vallë e kujt është?

Se për këtë po lufton edhe z. Gjekmarkaj, kjo duket ashiqare. E kujt është prona, shtëpia, hapësira publike, more po deti dhe plazhi? Të kujt janë? Na e thotë dot z. Gjekmarkaj, apo të pyesim Yuri Kim mbase na e thotë?