Askush nuk e di me siguri se çfarë është diskutuar në telefonatën 90 minutëshe mes Vladimir Putin të Rusisë dhe Donald Trump të SHBA. Në njoftimet përkatëse për shtyp Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini vetëm sa bëjnë me dije se të dy presidentët kanë rënë dakord se lufta në Ukrainë duhet të mbyllet me një paqe afatgjatë. Ndërkohë media të ndryshme raportojnë për një armëpsuhim ndaj objektivave energjetike ukrainase të kushtëzuar me një kërkesë të Putin që të ndërpritet furnizimi me armë.

Nëse kjo gjë konfirmohet atëherë diplomacia personale e Donald Trump në këtë sektor të marrëdhënieve ndërkombëtare ka marrë goditje. Kjo pasi magjia e paqebërësit Trump është mbyllur me një negociatë të gjatë me homologun rus që po merr kohë dhe po dikton termat e veta që janë se një paqe pa konsideruar situatën në terren nuk mund të mbyllet.

Ukraina që në këtë moment ka pushuar së qeni një vijë e kuqe e sigurisë perëndimore duke njoftuar se në kontinent Rusia ka një liri më të madhe. Po kështu është raportuar se do të ketë lëvizje edhe të trupave amerikane nga bazat e NATO-s në Europë, një lëshim ky që nuk është i vogël.

Problem në këtë moment është i natyrës strategjike për Rusinë të paktën. Lufta në Ukrainë është ridiemensionuar kështu me ulje si një element taktik i kësaj strategjie që lidhet qysh tani te pyetja: si duhet të jetë peizazhi i sigurisë euroaziatike në të ardhmen?

Në ekuacion, me apo pa dashje ka hyrë edhe BE-ja që së fundmi po diskuton një politikë të përbashkët mbrojtjeje dhe financim të përbashkët të armatimit, që nis me një shifër jo të vogël: 150 miliardë eurosh. Pavarësisht zigzakeve dhe dyshimeve, mjafton të shihet sesi po interpretohet gjendja për të kuptuar se Europa do të armatoset. Dhe me armatosjen vjen edhe tjetërsimi i statusit të saj si fuqi. 

Në një shënim të vetin para disa ditësh, ish-kreu i komandës aleate, James Stavridis, sugjeronte se Europa mund të përdorë komandën e NATO-s si shtab organizimi, por nëse gjërat shkojnë siç kanë nisur, është e qartë se financimet masive do të diktojnë ndryshimin e komandës. Duke e marrë këtë skenar si linear dhe pa ndryshime të mëdha, mund të parashikohet se shndërrimi i Europës në fuqi të madhe, përfshirë kapacitetet bërthamore, nuk është më një opsion teorik. Ky variabël sjell me vete ndikime të mëdha edhe në Mesdhe, pasi një rreze ndikimi është patjetër deti i njohur.

Ku shkon atëherë interesi i një fuqie bërthamore si Rusia për sigurimin e saj? A ëshë më e domosdoshme SHBA dhe në momentin e tanishëm, a është me interes që të nxitet ky dualizëm në radhët e Perëndimit? Deri ku shkon krisja e partneritetit euroatlantik? Deri te presidenca Trump, apo ka diçka të strukturuar tashmë?

Si do të sillet BE-ja me Kinën në eventualitetin e një konflikti me SHBA? Dhe si do të ndikojë politika e tarifave në riorientimin e tregtisë ndërkombëtare?

Në një mënyrë apo në një tjetër Rusia është e detyruar të pranojë sot perspektivën e një rivaliteti cilësisht të ri në kontinent, ku kundërshtari i saj kryesor, SHBA po lëshon terren. Si duhet kuptuar ky zhvillim dhe çfarë përfaqëson ai në planin ekonomik? Si do ta përkufizojë BE-ja veten dhe cila do të jetë politika e saj e jashtme? Si do të asimilohet kriza aktuale e sektarizmit të vendeve si Hungaria apo Çekia?

Dalja eventuale e SHBA nga kontinenti, qoftë edhe dobësimi real i pranisë së saj, shtron megjithatë një problem imediat: rishikimin e strategjisë bërthamore nga Rusia. Që nuk ka më asnjë arsye të qenësishme që të mbajë në këmbë një strategji që trashëgohet që nga Traktati i Varshavës.

Vakumi është një problem si për partnerët e dikurshëm të SHBA, ashtu edhe rivalët, që deri më sot kanë folur për një arkitekturë të re sigurie. Koha ka ardhur që propozimet të provohen sa të sinqerta kanë qenë. Ndonëse, nëse SHBA nis e sillet në Europë si Australia, atëherë çështja ka ndryshuar kryekëput. Europa do të jetë e dënuar të marrë në dorë atë që mbetet duke nisur së pari nga kuptimi që ka për kufinjtë e vetes, historikë dhe gjeopolitikë.

By