E vërteta e parë është kjo: kryetar kuvendi, kryeministër apo kryetar shteti nuk bëhesh për të bërë qejfe, për të pirë e për të ngrënë ushqime e pije sa më të shtrenjta e falas, për të bredhur nëpër botë zyrtarisht a jozyrtarisht, për t’u pasuruar duke keqpërdorur karriget politike, për t’u rrethuar me servilë e mendjepaktë, që bëjnë krejt çka u thuhet mirë e keq! Kryetar kuvendi, kryeministër e kryetar shteti, nuk bëhesh, pra, për të zhvatur shtetin. Jo. Kryetar kuvendi, kryeministër e sidomos kryetar shteti, bëhesh, siç ishte bërë kryetari i LDK-së kryetar i Kosovës koloni e, mandej, shtet protektorat, që, në rast se e kërkojnë punët tragjike historike, edhe për të dhënë jetën për atë shtet, për nderim e dinjitetin e popullit që përfaqëson. E jo, jo, jo për të nënshkruar Marrëveshje tradhtie siç është ajo që u nënshkrua prej kryetarit të LDK-së e të Kosovës me kryetarin e Serbisë, shtetit okupator të Kosovës, Millan Millutinoviqin më 28 prill, 1999!

E vërteta e dytë është:

Krim nuk quhet vetëm vrasja e njeriut, po edhe vrasja e të vërtetës dhe e të drejtës.

Udhëheqja e LDK-së po vret të vërtetat dhe të drejtat që nuk i pëlqejnë, që nuk janë në interesin e saj, që e zbulojnë, e përfushin, e tregojnë politikën e saj në thelbin e saj: gjithnjë politikë e mjerë e, siç u pa më lart, në disa raste edhe politikë tradhtare.

Për fatin e historisë shqiptare, këto vrasje janë të përkohshme.

Historinë e Kosovës, historinë shkencore të Kosovës, nuk do ta shkruajë LDK-ja po historianët. Historia e falsifikuar që LDK-ja e ka shkruar për veten e Kosovën do të ketë fatin e historive partiake e shtetërore që Stalini e Duçe kishin shkruar për partitë e tyre dhe për shtetet që kishin sunduar me dhunë: do të hidhet në plehun e historisë!

Historinë e Kosovës dhe të Shqipërisë së bashkuar nuk do ta shkruajnë partitë po historianët e Shqipërisë dhe të Kosovës së Bashkuar. Një shkrues i saj jam edhe unë jo vetëm me Ditarët e mi.

Por, para se të shkruhet kjo histori e Kosovës, pasi Kosova të bëhet shtet i së drejtës, shpresoj që të vërtetat dhe të drejtat të cilat do t’u shpëtojnë vrasjeve prej rrenave, shpifjeve e urrejtjeve të anëtarëve, të udhëheqësve të kryehershëm dhe të mëvonshëm të LDK-së dhe të rrogëtarëve të saj do t’i sjellin shumë të dhëna e dëshmi të reja arkivore e kujtimore asaj historie.