Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur më 11 shkurt, ku kreu i qeverisë ra pre e një telefonate mashtruese nga dy komedianët rusë të njohur si “Vovan & Lexus”.
Në deklaratën e saj, qeveria sqaron se telefonata ka ndodhur menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri po pranonte një numër të madh mesazhesh urimi dhe thirrjesh për rezultatin zgjedhor. Duke qenë se situata ishte tepër e ngarkuar, nuk ka qenë e mundur të kryheshin verifikime të plota për secilën prej këtyre komunikimeve.
Në këtë bisedë, e cila është publikuar më pas nga dy komedianët në platformën “Rumble”, ata i janë paraqitur Kurtit si përfaqësues nga Presidenca e Letonisë. Gjatë telefonatës, kryeministri i Kosovës është ankuar se ndaj tij dhe qeverisë së tij është zhvilluar një luftë hibride e orkestruar nga Serbia dhe Rusia, ndërsa ka akuzuar edhe opozitën për përfshirje në këtë proces. Gjithashtu, ai ka folur për ish-emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, duke e cilësuar atë si një instrument kyç në rrëzimin e qeverisë së tij të parë gjatë pandemisë.
Në bisedën me personat që mendonte se ishin zyrtarë letonezë, Kurti ka diskutuar edhe për armatosjen e Kosovës, duke përmendur blerjen e pajisjeve ushtarake nga SHBA, Turqia, Kroacia dhe vende të tjera, si dhe për planet për hapjen e një fabrike të prodhimit të armëve brenda Kosovës.
Në deklaratën e saj, Zyra e Kryeministrit e ka cilësuar këtë incident si një tjetër provë se Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon të ndërhyjë në punët e saj. Sipas qeverisë, gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe dezinformuese, të cilat kanë ndikuar në procesin zgjedhor. Këto përpjekje janë dokumentuar edhe nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Në përfundim të reagimit të saj, Zyra e Kryeministrit ka shprehur keqardhjen që Kurti është bërë shënjestër e një mashtrimi të tillë, por ka theksuar se ky incident rikonfirmon qëndrimet e tij parimore dhe konsistente për çështjet kyçe, si në biseda publike, ashtu edhe në ato private.