“Na ka hequr magjinë e një fotoje, ndjesitë e një letre, të shkruarin, aromën e një libri, botimin e njëgazete, fjalinë: “Shihemi në orën 8 në sheshin në qendër”, dyqanin e ushqimeve afër shtëpisë, bisedat pa fund në lagje me bashkëmoshatarët, frikën se mund të përgjigjej babai në telefonin fiks të shtëpisë, ditarin sekret, tullumbacet në korridor, dedikimet në radio, sikletin e të kërcyerit në çift, lojërat në shoqëri, komunikimin.

Kur teknologjia të ketë varrosur edhe tronditjen e fundit relacionale, do të arrijë edhe vdekjen e pashmangshme të emocioneve dhe vetëm në atë moment, ajo do të na ketë shndërruar në kafshë urbane sa të afërt, njëkohësisht edhe aq të largët”. – Nga interneti, autor anonim.

Sigurisht që teknologjia ka sjellë përfitime të mëdha. Më parë ishte e pakonceptueshme të shiheshe me dikë që jetonte larg, ndërkohë që sot gjithë bota gjendet në një celular, të cilin e mbajmë gjithë kohës nëduar. Komunikimi është bërë më i afërt, duke thyer çdo kufi. Shumë punë mbyllen në kohë rekord vetëm përmes internetit, kur dikur duhet të prisje në radhë të gjata, pasi gjithçka bëhej me shkrim dore.

Por me çfarë çmimi e kemi paguar këtë “avancim”? Me varrosjen e emocioneve. Dua vetëm të pyesësh veten: “A ke marrë kohët e fundit ndonjë kartolinë apo letër? Nëse po, a ke ndjerë të njëjtin emocion si një urim klishe në Facebook?”. Në ditët e sotme duket e habitshme të ulesh e të shkruash një letër apo kartolinë për urim. Është shumë më e thjeshtë t’i shkruash dikujt në profilin e tij/saj në rrjetet sociale, pasi kështu e shohin edhe të tjerët. Ndërkohë, me këtë zgjedhje “varrosen” emocionet e diçkaje të shkruar me shkrim dore.

Sot nuk po lexohet me justifikimin se ekzistojnë librat online, të cilët kanë rritur edhe analfabetizmin funksional. Në ditët e sotme mund të lexohet dhe nuk kuptohet se çfarë është lexuar. Një libër online nuk e zëvendëson kurrë një libër të printuar. Kurrë. Nëse e harron diçka, në një libër online duhet të harxhosh kohë ta gjesh se ku e ke lexuar, ndërkohë që një libër të printuar e hap dhe rilexon çfarë ke harruar. Mbi tëgjitha, është harruar aroma e një libri që me kalimin e kohës, bëhet akoma më e mirë.

Sot është zbehur komunikimi me të tjerët. Gjithmonë e më tepër preferohen mesazhe të shkurtra nëtelefon, ndërkohë po flitet më pak përballë me të tjerët. Fëmijët luajnë lojëra elektronike, ndërkohë qëharrojnë se duke dalë të luajnë jashtë me bashkëmoshatarët e tyre, nxisin edhe imagjinatën. Me imagjinatën mund të udhëtosh kudo, ndërkohë me një lojë elektronike imagjinata mbetet e pazhvilluar dhe krijohen probleme shpine e shikimi.

Ka sjellë kaq të mira teknologjia, por njëkohësisht edhe kaq shumë të këqija. Mirëpo, se cila prej të dyja anëve mbizotëron, kjo varet nga individi dhe nga sa vetë individi i ka kushtuar rëndësi teknologjisë. Nëfund të ditës, secili nga ne e kupton se çfarë ka ndryshuar tek vetja me kalimin e kohës, sa po lexon dhe sa po ndërvepron me të tjerët. Nëse bilanci del negativ në krahasim me të shkuarën, sigurisht duhet tëmerren masa të ndryshohen disi raportet.