Një ndër ekspertët e njohur mjekësorë britanikë Jeremy Farrar, shprehet për revistën “Spiegel” se normaliteti është ende larg.

“Do të na duhet kohë të rifitojmë besimin”, shprehet ai.

I pyetur nëse koronavirusi do të mposhtet këtë vit, Farrar shprehet se nëse gjërat do të ecin mirë, në fillim të vjeshtës apo dimrit të këtij viti do të mund të flitet për periudhën postpandemike. Shqetësim për ekspertin britanik janë dy variantet e reja të virusit, ai afrikan dhe britanik që sipas tij do të bëhen dominantë.

“Është e pashmangshme që këto variante të bëhen dominuese në botë. Kjo do ta bëjë më të vështirë kontrollin e pandemisë – dhe mund të shkojë më keq nëse virusi vazhdojnë të ndryshojë. Kështu ne jemi në një garë dramatike kundër një virusi që ndryshon dhe është nën një presion të jashtëzakonshë imunitar”, shprehet Farrar.

Sipas tij përballja me këtë rrezik kërkon patjetër zhvillimin e vaksinave të brezit të dytë.

“Ne duhet me urgjencë të zhvillojmë vaksina të brezit të dytë dhe barna që targetojnë më shumë proteina të virusit që i shpëtojnë varianteve të reja. Dhe ne duhet të vëzhgojmë nga afër sesi evoluon virusi në botë,” shprehet ai duke shtuar se vendet nuk po e bëjnë një gjë të tillë.