Trajtesë nga Afrim Fanda

Liderët e dy partive më të mëdha sllave në ish IRJM u takuan kokë më kokë, dhe pa përfillur fare partitë shqiptare, caktuan datën e zgjedhjeve, më 15 korrik 2020. Dhe pikërisht këto parti shqiptare qe nuk u pyetën as për datën e zgjedhjeve, u turën me plot kompetenca të pushetit që ua mohon kushtetuta, t’u premtojnë shqiptarëve fushë me lule në shkëmbim të votave të tyre. Premtimi që ra më së shumti në sy ishte ai i kreut të BDI, Ali Ahmeti. “Komandanti” që mburej se “ka shkatërruar Jugosllavine”, me premtimin për kryeministër shqiptar të ish IRJM po zbatonte pikë për pike strategjinë perfide të gatuar në kuzhinën e UDB që në kohën e ish RSFJ, për të paraqitur shqiptarët si një pakicë që gëzon të gjitha të drejtat, madje e mbi-përfaqësuar në nivelet më të larta të pushtetit! Natyrisht, publiku nuk kishte pse ta dinte dakordësinë me LSDM-në për këtë skemë manipulimi, ndërsa kandidati i përzgjedhur nga të dy palët, nuk kishte si të ishte më i përshtatshëm se sa Naser Ziberi, ish ministri dhe nënkryetari i qeverisë së Branko Cervenkovskit për dy mandate rradhazi (që nga viti 1996) dhe bashkëpërgjegjës për krime ndaj shqiptarëve në Bit Pazar, Ladorisht, masakrën e Gostivarit etj. Por ku e gjeti guximin kreu i BDI për këtë ofertë tallëse dhe ofenduese për shqiptarët?

Pikërisht tek opozita pa kauzë kombëtare, po aq vazale ndaj partive sllave sa dhe vet pozita. Opozitë, e cila në vend se të adresonte para elektoratit shqiptar kushtetutën si burimin real të nëpërkëmbjes së të drejtave të tyre kolektive, të demaskonte lojën e “kryeministrit shqiptar”, dhe të kërkonte votat e tyre në funksion të ndryshimeve kushtetuese për një zgjidhje reale të çështjes shqiptare në ish IRJM, për kauzë të vetme kishte rrëzimin e BDI-së, me synimin e vetëm, zëvendësimin e saj në bashkëqeverisjen pa kushte me partitë sllave. Dhe argumenti pothuajse i vetëm i përdorur në fushatën parazgjedhore, ishte fakti se BDI e korruptuar, bashkë me VMRO-në e koruptuar (nje bashkëqeverisje që perfundoi para tre vitesh dhe pas kesaj ASKUSH me peshe nuk u denua!) e paskan vjedhur shtetin! Athua se shqetësimi i vetëm i shqiptarëve duhet të jetë vjedhja e shtetit, i cili i i përbuzë dhe diskriminon ata që në aktin më të lartë juridik të tij – në kushtetutë. Me motive të qarta të manipulimit të opinionit dhe vullnetit politik të shqiptarëve, në vend të këmbënguljes për barazi kushtetuese, e gjithtë vëmenjdja e tyre tentohet të orientohet drejt korrupsionit të VMRO, të cilës, qëllimisht, për të mjegulluar skenën e krimit, i faturohen të gjtha krimet e bëra ndaj shqiptarëve me dekada të tëra, nga të dy partitë sllave që ndërohen në pushtet, për të ushtruar pushtetin ekskluziv që ua jep sistemi qeverisës unitar. Ndërkohë, largimi i VMRO paraqitet si zgjidhja përfundimtare e të gjitha problemeve të shqiptarëve.

Dhe ndodhi ajo që pritej nga ata që ishin të gatshëm ta njohin, dhe ta pranonin realitetin. Për fat të keq, edhe për këto zgjedhje, shqiptarët nuk arritën të krijojnë një forcë politike që realisht do të mbronte interesat e tyre kolektive të mohuara në kushtetutën e ish IRJM, që më 1945. Në vend të kësaj, partitë e tyre vërtetë fituan 32 mandate deputetësh, por këto mandate janë në duar të partive dhe në shërbim të interesave të tyre, e jo në funksion të interesave kolektive të shqiptarëve. Pa asnjë përfitim nga kjo, partitë shqiptare edhe në këto zgjedhje u keqpërdorën për të deformuar realitetin e zgjedhjeve në taborin sllav. LSDM, me ndihmën e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Besa, mori 4 mandate shtese, që shërbyen si mbulesë për dekorin multietnik fallco, dhe për dalë nga këto zgjedhje me dy deputetë më shumë se VMRO e cila realisht është fituese edhe e këtyre zgedhjeve. Pjesa tjetër e opozitës, ASH-AAA, nëse mund të quhet opozitë, për faktin që Alternativa si pjesë e koalicionit ASH-AAA është akoma në bashkëqeverisje me BDI, edhe përkundër ndihmës së pakushtëzuar të LVV, jo që nuk arrriti ta mposhti BDI-në, por BDI edhe në këto zgjedhje doli faktori kryesor per krijimin e qeverisë, për faktin se çdo kombinatorikë tjetër e sforcuar, do të prodhonte qeveri jo stabile, dhe rrjedhimisht përsëri zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët nuk harruan se këto dy parti bashkëqeverisën (Alternativa akoma vazhdon) dhe votuan bashkë me BDI, të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet në dëm të shqiptarëve.

Mbështetja e pakuptimtë, jo parimore dhe pa kushte nga ana e LVV e koalicionit ASH-AAA, në vend të mesazheve të qarta për të githa partitë, për një platformë elektorale konstruktive për zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve në ish IRJM, përveç se komprometoi vet atë, la shijen e hidhur jo vetëm tek përkrahësit e saj, por tek të gjithë shqiptarë në ish IRJM, të cilët kishin varur shpresat tek LVV. Mbetet i paqartë kriteri i çuditshëm i përzgjedhjes për përkrahje të Alternativës përkundrejt Lëvizjes Besa, të dyja në koalicion me LSDM, e para në koalicion qeverisës ndërsa e dyta në koalicion parazgjedhor!? Ashtu siç është dhe fakt i pamohueshëm dhe i ditur për të gjithë shqiptarët në ish IRJM (si duket, përveç LVV), se çështja kombërate, dhe realizimi i interesave të shqitparëve si grup etnik, nuk ka qenë, dhe nuk do të jetë kurrë preokupim i Alternativës me agjenda fundamentaliste të finacuara nga vende të treta (në media hidhen dyshime për Truqinë, Katarin dhe Iranin), e as i karieristëve të ASH, të cilët synojnë komoditetin e pushtetit, te provuar edhe më parë në kuadër të PDSH (lehtësisht e verifikueshme në biografitë e anëtarëve të kryesisë së ASH). Dhe për gjithë ata që menduan se kjo ishte thjesht nje lajthitje e krerëve të LVV, erdhi goditja e dytë. Një ditë pas zgjedhjeve, në një kumtesë zyrtare, duke e quajtur “lajm i mirë”, shprehu kënqësinë për fitoren e LSDM, pasardhësen e Lidhjes komuniste të Maqedonisë, përgjegjëse për gjysëm shekulli terror komunist mbi shqiptaret, e duke shtuar këtu dhe krimet e vet LSDM viteve të fundit ndaj shqitparëve të pafajshëm në Ladorisht, Brodec, Gostivar, Reçicë të Vogël – Tetovë, Bit Pazar të Shkupit, Sopot…

A ishte kjo deklaratë e krerëve të LVV, tregues i mosnjohjes së thellë të realitetit të shqiptarëve nga krerët e VV, apo po ndodh ajo që do të zhgjënjente të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata në ish IRJM: LVV vendosi të flijojë interesat kombëtare të shqiptarëve të ish IRJM, në kërkim të pëlqyeshmërisë nga faktori ndërkombëtar, për të qeverisur me shtetin e Kosovës “së pavarur”, duke u paraqitur para tyre si faktor stabiliteti në rajon dhe kontribues për fqinjësi të mirë në dëm të shqiptarëve të ish IRJM!?

Për fat të keq, shqiptarëve në ish IRJM edhe këtë herë u mungoi mesazhi i qartë nga dy qendrat shqiptare, Tirana dhe Prishtina për të gjitha ata që nuk (duan të) dinë se çfar mundet dhe duhet bërë me këto 32 mandate të fituara në zgjedhjet e fundit. Ndaj dhe, partitë shqiptare, në vend se bashkë me 32 deputetët e sapo zgjedhur dhe 15 kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, të ftojnë partitë fituese sllave për të biseduar në mënyrë publike dhe transparente para opinionit shqiptar dhe sllav, për ndryshimet e domsdoshme kushtetuese, ku do të pasqyrohej realiteti i shtetit me dy bashkësi etnike të mëdha, dhe sistemit qeverisës në përputhje me këtë, e me këtë të sigurohej paqja, stabiliteti dhe një e ardhme me e mirë për të dy popujt, ato rendin në bisedime të fshehta duke negociuar, secila veç e veç, për përfitimet e tyre personale dhe klanore, naturisht, në dëm të gjithë këtyre më lartë.