Esat Mekuli, poezia si Manifest për Lirinë e Mendjes
“Tempora Mutantur”, botuar më 1935
Në vitin 1935, kur kombi shqiptar ishte ende e mbërthyer nga pushtimi, skamja, mjerimi dhe nga prangat e traditës, autoritetit absolut dhe paragjykimeve të rrënjosura, një poet i ri nga Nokshiqi, Esat Mekuli, guxoi të flasë ndryshe. Poezia e tij, e mbushur me revoltë të vetëdijshme dhe thirrje për çlirim shpirtëror, përfaqëson një moment kthese në letërsinë shqipe. Kjo më poshtë nuk është thjesht poezi; është një akt rebelimi intelektual.
Me një gjuhë të ngjeshur e të fuqishme, Mekuli sfidon verbimin mistik, nënshtrimin ndaj dogmave dhe autoritetit, duke u bërë zë i një brezi që kërkon dritë, mendim kritik dhe liri të vërtetë.
Poezia “Tempora Mutantur” ndërtohet mbi një strukturë ritmike të përsëritur: fraza “Shqelmova të kaluemen” kthehet në një refren që simbolizon shkëputjen nga e vjetra, nga besimet e imponuara dhe nga mashtrimet e institucionalizuara. Ky ritëm retorik krijon një tension të brendshëm, duke i dhënë vargjeve forcën e një fjalimi para një turme; para popullit.
Figura letrare të tilla si “gurrën e së Vërtetës”, “Diellin jetëdhënës” dhe “ta përmbysim rrenën prej fronit” e ngrejnë poezinë nga niveli estetik në një plan universal të simbolikës. Mekuli jo vetëm denoncon errësirën, por edhe shpall një vizion të ndriçimit dhe të rilindjes nga pushtimi.
Në vitin 1935, kjo poezi përbënte një sfidë të hapur ndaj normave dhe autoriteteve të kohës. Mesazhi i saj kishte dimension të dyfishtë: çlirim nga nënshtrimi fetar e politik, por edhe emancipim kulturor e intelektual. Kjo e bën krijimin jo vetëm një dokument letrar, por edhe një manifest social.
Të dashur lexues,
Në kohën e Mekulit, “rrena” ishte shpesh e mishëruar në autoritetin absolut të fesë, monarkisë sllave dhe traditave patriarkale. Sot, ajo shfaqet në forma të tjera: propagandë mediatike, lajme të rreme, manipulime politike e ekonomike. Por mesazhi i tij mbetet po aq aktual: të mos pranojmë verbërisht, të sfidojmë çdo autoritet që përdor mashtrimin për të na sunduar, të kërkojmë të vërtetën dhe të luftojmë për lirinë e vërtetë.
Fraza “ta përmbysim rrenën prej fronit” mund të lexohet sot si një thirrje kundër çdo forme të pushtetit abuziv, qoftë ai ideologjik, mediatik, financiar apo teknologjik. Mekuli e shkroi këtë për brezin e tij, por e la si amanet për brezat që do të vinin pas tij: për ne.
Largpamësia e poetIt
Esat Mekuli ishte jashtëzakonisht largpamës. Në një kohë kur pak guxonin të sfidonin hapur strukturat e ngurta shoqërore, ai e bëri këtë me një poezi të guximshme dhe të përjetshme. Ai e kuptoi se çlirimi i njeriut nuk fillon nga ndryshimi i sistemit politik, por nga çlirimi i mendjes.
Vargjet e tij të vitit 1935 tingëllojnë edhe sot si një mesazh i gjallë: pa mendim të lirë, nuk ka liri të vërtetë. Kjo e bën Mekulin jo vetëm poet, por edhe vizionar e udhërrëfyes shpirtëror për brezat që vijnë.
Tempora Mutantur
Poezi nga Esat Mekuli
Tempora Mutantur
Shqelmova të kaluemen — verbimin mistik të gjyshave të mij
dhe shkima gjithë dritat shëjte për të cilat menduen se janë t’amshueme:
shkatërrova shtigjet kah mësheftsija — për mue Zoti asht rrenë
që e kanë trillue të fortit — dikushi të jetë mbi dikë;
tjetër botë nuk ka — njeriu ka lindë me jetue i lirë prej paragjykimesh,
dhe jeton vetëm njiherë…
Shqelmova të kaluemen — besimin e verbët n’asgja
dhe, aty ku lulzonte rrena — besimi fanatik në Parajsë e Zot —
i solla dritë të vërtetës, lajmova fitoren mbi terrin e padijes —
mashtrimeve që bahen „n’emën t’Madhnisë së tij”
për të mirën e atyne që predikojnë për te
e të tjerëve që qeshin me gjithçka…
Shqelmova të kaluemen — prrallat me të cilat
ma mbushte mendjen im at,
im at, që beson në fuqinë e „Madhnisë së tij” dhe mendon se tanë „e vërteta asht në Të”…
Sepse — u ngina me errësinë, me trillime që na brejnë jetën, na shkatërrojnë si krymbi fuqinë tonë
dhe na bajnë „gjylpana të rëndomta për qepjen e azdisë së larme”…
O, na jetojmë në mashtrim dhe mashtrohemi përditë:
etnit tanë na mësojnë me iu përulë Zotit në qiell dhe Mbretit në tokë,
e na i pranojmë fjalët e tyne, pse mendojmë se ata flasin të vërtetën,
dhe thellë i përkulim qafat — për nderë të baba-Zotit dhe baba-Mbretit,
me gjunj para tyne, të gatshëm edhe jetën me dhanë…
(… pa dijtë se kjo asht rrenë e kurnisun, se asht shërbim i „nevojës”,
se kjo asht mashtrim mashtrimesh — gjithmonë me mbetë n’prangat e traditës
dhe me i përkulë krenat, me u gjunjue përvujtëshem në pluhun
dhe prore me vuejtë, dhe prore me u kacafytë në mjerim…)
— O, mjaft me rrena! Duem me pi tashma në gurrën e së Vërtetës
langje jetëdhansë: idetë që lindin bashkë me kohën që gufon para nesh — shkumbon, vlon e grish si kangë e fuqishme e rinisë —
rinisë sonë të përgjakshme së cilës flatrat ia thyejnë dhe e zhdukin ku munden…
Por — kush mund ta tresi rinien? Jetën e milionave?
Kush mundet me ndalë? Kush mundet me e zhdukë?
Kush me ndalë Kohën në rrjedhjen e nderimit të saj? Kush Diellin me e shue —
Diellin jetëdhënës, që ngrihet flakrueshëm mbi sukat e kuqremta?
— Shokë, fitorja asht e jona, se na jemi jeta që po rritet, gufon nga gjaku, nga nevoja për fitore;
fuqia që do të shpërthejë si vullkani — me bumbullimë që botën ka me tundë —
tue rrënue gjithçka asht kalbë, me rrenë e mashtrime të kurnisuna,
n’humnërën e pafundët, në lamtumirën e mbrame!
… Dhe atëherë mbi ne do t’ia fillojnë kangës agimet e fitores sonë:
zanet do të shpërthejnë anë e mbanë botnave që klithin për Ditën e re që po zbardh, për Diellin shkëlqyes që në Liri
do të rrezojë me flakë të re që të mbijnë farna të reja edhe ma të plleshme…
Sepse, ju t’ardhshmit, do të rriteni të lirë, si zogu në rrëmb;
ju, fatlumë, që do të jetoni me bukuritë e nanës Natyrë,
ku do të kërkoni kuptimin e fantazisë së pafrenueshme dhe zemrave gazmore —
ju, të bardhët, që në gurrën e jetës do të ndieni gjithë gëzimet e saja…
Prandej — ta përmbysim rrenën prej fronit ku sundon
dhe me shkatërrimin e saj të marrim gjakun e lirive tona të pengueme!