Pa dyshim, Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar. Ai, si themelues dhe drejtues i revistës ma prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, me shumë analiza e tekste, të shkruara me dije e kulturë u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend.

Gjergj Fishta, në tekstin ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi:
“Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme:

a) mbi pavarësinë politike,

b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme,

c) mbi ekonominë,

d) kulturën dhe

e) moralin. “

Revista “Hylli Dritës”, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u shndërrua në një institucion që synonte t’i bante shqiptarët në kohën kur ishte ba Shqipnia. Revista, duke bashkuar elitën ma të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që i dha kulturë kombit shqiptar. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj, me shumë të drejt Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Një ABC politike e kulturore. Sidomos për m’i dhanë shpirt shtetit. Atë çka vërtet na mungon. Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtet, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore. Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik… Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë. “Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore.

Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë. Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”

Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe nëpërmjet saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja.//MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress